Ballkani i Ilir Dajës, “Ylli Polar” i futbollit mbarëshqiptar

0
78

Ballkani ka konfirmuar edhe një herë se është klubi më i mirë në hapësirën mbarëshqiptare.

Duke flakur tutje inferioritetin dhe spontanitetin historik, që e ka bashkëshoqëruar procesin e zhvillimit të futbollit në trojet tona, për të dytën herë radhazi, klubi nga Suhareka ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e grupeve të një kompeticoni europian.

Një sukses i jashtëzakonshëm për një klub të vogël dhe pa historinë e shumë rivalëve të saj, fryt i një pune shumëvjeçare, i një investimi të konsiderueshëm financiar të presidentit Arsim Kabashi dhe familjes së tij, si dhe një projekti të mirëfilltë sportiv, që është kuruar në detajet më të imëta dhe kurorëzuar së fundmi nga trajneri më i mirë në hapësirën mbarëshqiptare, Ilir Daja.

Pjesëmarrja për të dytën herë në fazën e grupeve të UEFA Conference League i jep shkëlqimin e merituar emrit të klubit, si “brand” në arenën vendase, por mbi të gjitha ndërkombëtare. Do ta shndërrojë praktikisht në një magnet për shumë futbollistë shqiptarë dhe jo vetëm, për t’u bërë pjesë e një klubi me stabilitet, fitues, por edhe si trampolinë për t’u transferuar në sallonet e mëdha të futbollit europian.

Emrat e Ermal Krasniqit, Albion Rrahmanit dhe si fundmi të Meriton Korenicës janë shembulli më i mirë, i rrugëtimit që mund të marrë karriera e çdonjerit, që zgjedh të bashkohet me Ballkanin.

Suksesi në garat europiane është shndërruar gjithashtu në një burim të konsiderueshëm financiar. Klubi nga Suhareka, me kualifikimin për të dytën herë radhazi në grupet e UEFA Conferencë League, ka arkëtuar nga UEFA vetëm nga pjesëmarrja, si dhe shpërblimet për fitoren ndaj Sivassporit dhe Cluj shifrën 7.746.000 Euro.

Kësaj shume i duhen shtuar të ardhurat nga shitja e disa futbollistëve, të ardhurat nga biletat për ndeshjet e mëdha, si dhe sponsorizimet e ndryshme, duke konfirmuar se është pikërisht kjo rruga që do të duhet të ndjekë çdo klub për të qenë kompetitiv dhe mbi të gjitha fitues.

Megjithatë në këtë fazë të zhvillimit të Ballkani, shndërrohet në domosdoshmëri, objektivi për të investuar në infrastrukturë dhe për të krijuar një ambient gjithnjë e më shumë profesionist.

Asnjë sukses nuk është i rastësishëm, as i shpikur nga asgjëja, por faktet dhe statistikat konfirmojnë se cikli i sukseseve për klubin nga Ballkani përkon me marrjen në drejtim të trajnerit të konfirmuar e të suksesshëm, Ilir Daja.

Nga janari i vitit të kaluar, Ballkani me Dajën në stol është shndërruar në klubin më të mirë të Kosovës, konfirmuar me dy titujt kampion të fituar, si dhe Superkupën e Kosovës, për ta ngjitur në nivele të panjohura më parë, me konkurrimin në garat europiane, eliminimin e 6 kundërshtarëve të ndryshëm, si dhe dy biletat e arta në grupet e Conferencë League.

Këto suksese, pasojnë një karrierë të gjatë, me disa kulme, veçanërisht në drejtimin e Skënderbeut. Trofetë e fituar janë gjithashtu një gjerdan krenarie, që me shumë mundësi vetëm mund të pasurohet. Gjithsesi, konkurrimi në garat kontinentale do të duhet të jetë jetë krenaria më e madhe për Ilir Dajën, shkollën e trajnerëve shqiptarë dhe çdo dashamirës të futbollit tonë.

42 ndeshje të luajtura në Europë (vetëm Mirel Josa ka të njëjtin numër ndeshjesh), bilanci pozitiv në to, kualifikimet në 11 nga 15 turet europiane dhe mbi të gjitha pjesëmarrja për të tretën herë në fazat e grupeve janë rekorde që me shumë mundësi do të mbeten të pathyera dhe një shembull i jashtëzakonshëm i punës dhe profesionalizmit të diktuar nga trajneri aktual i Ballkanit, burim frymëzimi për gjithkënd që ka zgjedhur këtë profesion, por edhe një moment krenarie për çdo tifoz, pavarësisht ngjyrave të cilat simpatizon.

Në mënyrë të padiskutueshme, Ballkani është klubi “kampion” në hapësirën mbarëshqiptare dhe Ilir Daja trajneri më i mirë në trojet tona. /Supersport


Top Channel