Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano zbulon pesë nënshkrimet më të mira të verës – Telegrafi

0
74

Afati i transferimeve të verës u mbyll të premten mbrëma, duke i dhënë fund tre muajve të dramës dhe spekulimeve. Klubet evropiane shpenzuan relativisht shumë, por Liga Premier si gjithmonë e pati primatin.

Gazetari dhe eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano mbuloi të gjithë afatin kalimtar, dhe zbuloi ekskluzivisht disa transferime të mëdha.

Duke folur për CaughtOffside, Romano identifikoi pesë marrëveshjet më të mira, ku tri u nënshkruan nga klubet angleze si Chelsea, Liverpool dhe Manchester City, dhe dy tjera u nënshkruan nga klubet spanjolle, Real Madridi dhe Barcelona.

“Jude Bellingham në Real Madrid. Mendoj se ai është një përforcim i jashtëzakonshëm për Real Madridin, një lojtar fantastik. Ata paguan para të mëdha, por ai është një lojtar për të tashmen dhe të ardhmen, dhe ndikimi i tij në La Liga ka qenë i çmendur”, ka thënë fillimisht Romano.

“Moises Caicedo te Chelsea është i dyti. Më pëlqen marrëveshja sepse beteja me Liverpoolin kishte 48 orë të pabesueshme”.

“Urime Liverpoolit sepse në pozicionin numër tre kam përfshirë Dominic Szoboszlai nga RB Leipzig. Për Liverpoolin nuk ishte një negocim i lehtë, por ata kanë një talent të lartë, një lojtar të nënvlerësuar që mund të sjellë gola, asistime, kreativitet dhe cilësi”.

“Pozicioni numër katër, Josko Gvardiol te Manchester City. Ky është një qendërmbrojtës i mirë, që bën histori, sepse ai është qendërmbrojtësi më i shtrenjtë në histori. Unë e shoh atë duke sjellë shumë lidership pranë lojtarëve si Ruben Dias dhe John Stones. Ai është një lojtar që ka potencial të pabesueshëm”.

“Doja të përmendja gjithashtu një transferim të futbollit për femra, sepse bëhet fjalë për Ona Batlle që i bashkohet Barcelonës nga Manchester United. Ajo ishte mbrojtësja e djathtë më i mirë në Angli dhe një nga lojtarët më thelbësorë në skuadrën e Man Utd”, përfundoi eksperti i transferimeve. /Telegrafi/