Lavdërohet Kurti: Këtë vit kemi subvencionuar afro 10 mijë familje për të blerë pajisje efiçiente për ngrohje – Telegrafi

0
65

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është lavdëruar të shtunën për punën e bërë gjatë qeverisjes së tij sa i përket efiçiencës së energjisë.

Ai ka thënë se gjatë këtij viti përmes Ministrisë së Ekonomisë, kanë subvencionuar afro 10 mijë familje për të blerë pajisje efiçiente për ngrohje.

Kurti tutje ka shtuar se është dyfishuar buxheti me mbështetje të Bashkimit Evropian dhe synojnë të rrisin efiçiencën e energjisë edhe për shumë familje të tjera.

Aktualisht është i hapur subvencioni për pajisje efiçiente shtëpiake dhe për sisteme diellore për ngrohje të ujit sanitar.

“Të dashur qytetarë ju ftoj që të aplikoni dhe përfitoni nga ky subvencionim. Për t’u informuar më shumë rreth subvencionit, vizitoni: https://shorturl.at/clnQ9. Linku për aplikim për subvencionim të pajisjeve efiçente shtëpiake: https://ekosova.rks-gov.net/467. Linku për aplikim për subvencionim të sistemit diellor për ngrohje të ujit sanitar: https://ekosova.rks-gov.net/468”, ka shkruar kryeministri në llogarinë e tij në Facebook.

Thirrja për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar është hapur më 18 gusht.

Në thirrjen për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente përfshihet subvencionimi i makinave rrobalarëse, makinave enëlarëse dhe frigoriferëve ose frigoriferëve me ngrirëse.

Vlera e subvencionimit për një pajisje makinë rrobalarëse është 200 euro. Për prindërit vetushqyes vlera e subvencionimit për një pajisje është 300 euro. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një pajisje është 400 euro.

Vlera e subvencionimit për një pajisje makinë enëlarëse është 150 euro. Për prindërit vetushqyes, vlera e subvencionimit për një pajisje është 250 euro. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një pajisje është 300 euro.

Vlera e subvencionimit për një pajisje frigorifer ose frigoriferëve me ngrirëse është 100 euro. Për prindërit vetushqyes vlera e subvencionimit për një pajisje është 150 euro. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një pajisje është 200 euro

Për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar Instalimi i sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, do të subvencionohet vetëm një sistem diellor për ngrohjen e ujit sanitar për një shtëpi dhe sistemi duhet të blihet i ri.

Instalimi i sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar subvencionohet 40 për qind e vlerës investive të komplet sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar dhe jo më shumë se 1000 euro.

Për të dy thirrjet të drejtë aplikimi kanë të gjithë konsumatorët familjarë, konsumi mujor i energjisë elektrike i të cilëve nuk është më i vogël se 250 kWh/muaj në të paktën dhjetë muaj brenda 12 muajve të fundit.

Aplikimi për subvencionim bëhet online përmes platformës e-Kosova. /Telegrafi/