Gjykimi ndaj Agron Mustafës pritet të fillojë në janar, akuzohet se Telekomit i shkaktoi dëm rreth 7 milionë euro – Telegrafi

0
85

Procesi gjyqësor ndaj ish-kryeshefit të Telekomit, Agron Mustafa pritet të fillojë në janar të vitit 2024 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me akuzën për rastin “PayKos”, e që dëmi i pretenduar ndaj Telekomit pretendohet të jetë afër 7 milionë euro.

Mustafa ngarkohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”.

Një lajm i tillë u bë i ditur për “Betimi për Drejtësi”, nga gjykatësi i ngarkuar për gjykim të kësaj lënde, Sabit Sadikaj.

Sipas gjykatësit Sadikaj, lënda do të trajtohet në bazë të radhës se kur është dorëzuar aktakuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, më 4 maj 2023 Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar për ngritje të aktakuzës ndaj Mustafës.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 euro”, thuhej në njoftim.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 dhe 1.5 të KPRK-së.

“Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, vijon njoftimi.

Ndryshe, Mustafa ngarkohej edhe në një rast tjetër, për të cilin në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila me 21 shtator 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tre ish-drejtuesve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të akuzuar për korrupsion. /Telegrafi/