​Shënohet Dita e Bamirësisë për nder të Nënë Terezës – Telegrafi

0
65

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të veçantë caktoi 5 shtatorin, përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë u krijua me qëllim të sensibilizimit dhe mobilizimit të njerëzve, OJQ-ve dhe palëve të interesuara në të gjithë botën për të ndihmuar të tjerët përmes aktiviteteve vullnetare dhe filantropike.

Kjo ditë shënohet edhe në njohjen e rolit të bamirëseve në lehtësimin e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis vendeve, si dhe të përpjekjeve të organizatave bamirëse dhe individëve, përfshirë edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Shën Nënë Terezës.

Në Agjendën 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm të miratuar në shtator 2015, Kombet e Bashkuara pranojnë se çrrënjosja e varfërisë në të gjitha format dhe dimensionet e saj, përfshirë varfërinë ekstreme është sfida më e madhe globale dhe një kërkesë e domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm.

Agjenda gjithashtu kërkon një frymë të solidaritetit global, duke filluar nga ndërmarrjet e vogla e deri te kooperativat e mëdha dhe organizatat e shoqërisë civile dhe ato filantropike në zbatimin e Agjendës të përqendruar në nevojat e më të varfërve dhe më të prekurve nga krizat humanitare.

Data e 5 shtatorit për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë u zgjodh për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës së Kalkutës, e cila mori Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979.

Shën Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Për mbi 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve e jetimëve. Ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë.

Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë. Ndërsa Papa Françesku më 4 korrik të vitit 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit ka shpallur Nënë Terezën, si Shën Tereza. /KP/