Droga, 1000 të arrestuar që nga janari deri në fund të gushtit

0
69

Përdorimi dhe shpërndarja e drogës është shndërruar në një fenomen në vend.

Edhe më shqetësues është fakti se shumë të rinj kanë rënë në kurthin e drogës. Disa përdoren nga grupet kriminale si shpërndarës e të tjerë bëhen të varur nga lëndët narkotike. Top Channel mëson se nga janari deri në gusht në operacione të ndryshme policia ka arrestuar mbi 1 mijë persona për veprat penale të drogës.

Në disa operacione kundër shpërndarjes së drogës kryesisht në Tiranë  policia ka vërejtur se ata targetonin ambientet afër shkollave dhe mjediset që frekuentoheshin nga të rinjtë duke shfrytëzuar naivitetin e tyre i bënin vartës të drogës pa kuptuar pasojat shkatërruese.

Prandaj këtë vit akademik Ministria e Brendshme dhe ajo e arsimit hartuan paketën për sigurinë e shkollave ku perimetri i sigurisë do të shtrihet 50 metra në vijë ajrore rreth shkollave ku policia dhe autoritete të tjera do të ndalojnë çdo paligjshmëri brenda kësaj hapësire që ndikon tek nxënësit.

Në lidhje me personat që shesin drogë janë duke u diskutuar 2 nisma ligjore, ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se do të shihet mundësia e ndryshime në kodin penal për të dyfishuar dënimin për këdo që do të tentojë të shesë drogë pranë shkollave, nga ana tjetër Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se po përgatitet një projektligj për amnistinë ku në kategoritë që përfitojnë janë edhe të dënuarit apo ata që janë nën hetim për shpërndarje të dozave të vogla të drogës.


Top Channel