Vijon skandali/ Laguna “Kune Vain” kthehet në moçal, mbushet sërish Gryka e Matkeqes! Kjo është vdekja

0
65

Fiks Fare ka denoncuar në vijimësi mbylljen e vendit “Gryka e Matkeqes”, pika e vetme, nga e cila laguna “Kune Vain”, një rezervat i mbrojtur rreptësisht nga shteti, merr ujin nga deti.

Fillimisht mbyllja u bë nga individë që kishin prona brenda Lagunës, duke tentuar që të fitonin dhjetëra mijëra metra. Pas denoncimeve të njëpasnjëshme, në qershor të këtij viti, mjetet e rënda të IKMT-së shkuan në atë zonë dhe hoqën disa inerte. Por, kaluan disa muaj dhe sërish kanali që lidh lagunën me detin është mbyllur. Aktualisht, ujërat e lagunës kanë filluar të ndoten, duke e kthyer të gjithë atë zonë në një kënetë dhe moçal. Uji i vetëm që futet në atë rezervat është ai i Hidrovorit të Tales, por është me ujëra të zeza.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan sërish në vendin e quajtur Gryka e Matkeqes, një kanal natyral që lidh Lagunën e Kune Vainit, një zonë rreptësishtë e mbrojtur, me Detin Adriatik. Fiksi ka denoncuar disa herë këtë mbyllje, teksa individë privatë hidhnin inerte me mjete të rënda. Denoncimi i parë ishte në verën e vitit 2022, teksa kamera fiksoi dhjetëra kamionë që shkonin në mes të ditës në një zonë të mbrojtur dhe askush nuk i shikonte. Pas denoncimit, në pranga ranë punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, teksa u shpallën në kërkim disa të tjerë.

Por, pavarësisht këtyre denoncimeve, persona apo firma të ndryshme tentuan që të mbyllnin sërish kanalin në pranverën e vitit 2023. Ata hodhën sërish inerte në mes të kësaj pike, duke mos lejuar ujin e detit të depërtonte në Lagunë. “Janë të njëjtët që e mbyllën edhe herën e kaluar. I njëjti grup. Askush nuk i shikon” pohojnë banorët. Në qershor të vitit 2023, pas denoncimeve të Fiks Fare, mjetet e rënda të IKMT-së shkuan te kjo Grykë. Sipas pamjeve, mjetet hoqën inertet nga kanali.

Por, a mjaftuan?! Jo, pasi sërish Gryka e Matkeqes është sërish e mbyllur. Uji i detit nuk depërton në brendësi, duke rrezikuar florën dhe faunën e të gjithë Lagunës. Madje edhe gjallesat ujore dhe të tjera që ndodhen në atë zonë. Uji I lagunës ka filluar të ndotet.

Gazetarët shkuan te Hidrovori i Tales, teksa filmojnë se ujërat e kanalit, ato të ndotura, hidhen në brendësi të lagunës. Në fakt janë ujërat e vetme që shkojnë në Lagunë. Pra ujëra të ndotura dhe jo nga Deti! Kamera e Fiksit shkoi edhe në brendësi të Lagunës, te “Shtëpia e peshkatarëve”. Laguna administrohet nga firma “Lura”, e cila ka marrë leje për menaxhimin 10 vjeçar të lagunës nga Ministria e Bujqësisë. Por, edhe në atë vend, në brendësi të lagunës, ujërat kanë filluar të ndoten.

Mes firmës “Lura”, Agjencisë së Zonave të Mbrojtura apo institucioneve të tjera ka mosrakordim përsa i përket menaxhimit të të gjithë këtij rezervati. Kontrata e firmës skadon në vitin 2023, pra këtë vit, dhe për pasojë askush s’e merr mundimin të hapë atë grykë, duke rrezikuar seriozisht të gjithë këtë eko-sistem.

Gazetarët e Fiks Fare biseduan edhe me ekspertin mjedisor Lavdosh Feruni, i cili thotë se mbyllja e kësaj gryke, të vetmes që lidh detin me pjesën lagunore, do të thotë “vdekja e lagunës”. “Prishet flora e fauna, për pasojë i gjithë ekosistemi. Do të ketë ngordhje të peshqve, në atë vend do të rriten vetëm bretkosa dhe se gjallesat që vijnë në atë vend, zogj të ndryshëm, do të shtegtojnë diku tjetër” pohoi z. Feruni. Sipas tij, duhet ndërhyrje emergjente pasi situate është alarmante, do të ketë erë të keqe pasi ujërat janë të ndotur. Edhe ato që vijnë nga hidrovori kanë kimikate, s’janë natyrale siç i do Laguna, të kripura nga deti.