OKB: Bota po i braktis gratë

0
57

Duke nisur nga lufta kundër varfërisë e deri të qasja në edukim, apo përfaqësimi në politikë, bota është duke “dështuar” në avancim të grave dhe vajzave, kanë paralajmëruar Kombet e Bashkuara në një raport për barazi gjinore, të publikuar të enjten.

Në raportin e Agjencisë së OKB-së për Gratë, UN Woman, është analizuar përparimi i bërë pas miratimit të një dokumenti nga vendet anëtare më 2015, përmes së cilit është synuar që të krijohet një botë më e mirë për të gjitha gratë deri më 2030.

Mirëpo, rezultatet janë të zbehta.

Kur i shohim të dhënat, duket se bota është duke dështuar në avancim dhe arritje të barazisë gjinore”, ka thënë zëvendësshefja ekzekutive e UN Woman, Sarah Hendriks.

“Dhe, sipas mendimit tim, arritja e këtij qëllimi është duke u parë prej larg”– ka shtuar ajo, raporton REL.

Synimi i bazuar në barazi gjinore parasheh që deri në fund të dekadës t’i jepet fund diskriminimit gjinor, dhunës ndaj grave, martesave me detyrim, dhe që të garantohet qasje në shëndet riprodhues, si dhe që grave t’iu garantohet pjesëmarrje në jetën politike dhe ekonomike.

Mirëpo “deri në gjysmën e periudhës deri te viti 2030, bota është duke dështuar me gratë dhe vajzat”, është thënë në raport, duke u përmendur që më shumë se gjysma e synimeve nuk janë përmbushur.

Çdo vit, 245 milionë gra mbi moshën 15-vjeçare janë viktima të dhunës fizike nga partnerët e tyre, dhe një në pesë gra janë të martuara para moshës 18-vjeçare.

Gratë i shpenzojnë 2.8 orë më shumë në ditë duke i kryer punët e shtëpisë, në krahasim me burrat, dhe gratë përbëjnë vetëm 26.7 për qind të të gjithë deputetëve në botë.

Ndryshimi i këtij trendi do të kushtonte me investime prej 360 miliardë dollarëve në vit në 50 vende në zhvillim, të cilat përbëjnë rreth 70 për qind të popullsisë së botës, ka vlerësuar OKB.


Top Channel