Microsoft: Kina dyshohet se përdor inteligjencën artificiale për të ndikuar tek votuesit amerikanë

0
59

Kompania amerikane ‘Microsoft’ tha të enjten se ka identifikuar një rrjet profilesh të rreme në rrjete sociale të kontrolluara nga Kina, në përpjekje për të ndikuar tek votuesit amerikanë duke përdorur inteligjencën artificiale.

Një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington tha se akuzat se Kina, duke përdorur IA, ka krijuar llogari të rreme në rrjete sociale janë ‘të mbushura me paragjykime dhe spekulime dashakeqe’ dhe se Kina punon që Inteligjenca Artificiale të përdoret në mënyrë të sigurt.

Në një raport të ri studimor, ‘Microsoft’ tha se llogaritë e rrjeteve sociale ishin pjesë e një operacioni për mbledhje informacioni që dyshohet se kryhet nga Kina. Fushata ka ngjashmëri me aktivitetin që Departamenti Amerikan i Drejtësisë i ka atribuar ‘një grupi elitar brenda Ministrisë së Sigurisë Publike të Kinës’, tha ‘Microsoft’.

Ekspertët e kompanisë amerikane nuk thanë se cilat platforma të rrjeteve sociale u përdorën, por fotografitë që shoqëronin raportin dukej të tregonin publikime nga ‘Facebook’ dhe ‘Twitter’ që tani njihet si X. Raporti e vë theksin tek një mjedis mediash sociale që paraqet rrezikshmëri për t’u keqpërdorur, ndërsa amerikanët përgatiten për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Qeveria amerikane ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016 me një fushatë të fshehtë në rrjete sociale dhe ka paralajmëruar për përpjekjet e mëvonshme të Kinës, Rusisë dhe Iranit për të ndikuar tek votuesit.

Raporti jep shembuj të kufizuar të aktivitetit më të fundit dhe nuk shpjegon në detaje se si ekspertët e ‘Microsoft-it’ ia atribuan publikimet Kinës.

Një zëdhënës i ‘Microsoft-it’ i tha agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ se ekspertët e kompanisë përdorën një ‘model të shumëplanësh për të verifikuar lidhjen’ me Kinën, i cili mbështetet në ‘prova teknike dhe prova kontekstuale’. Sipas raportit fushata filloi të përdorte Inteligjencën Artificiale rreth marsit të vitit 2023 për të krijuar përmbajtje politike në anglisht dhe për të ‘imituar votuesit amerikanë’, tha Microsoft.

IA mund të krijojë imazhe, tekst dhe media të tjera nga e para. Përmbajtja e publikimeve të reja është shumë më tërheqëse sesa pamjet vizuale të pakëndshme të përdorura në fushatat e mëparshme nga grupet shtetërore kineze, të cilat mbështeteshin në vizatime dixhitale, grupe fotografish që mund të blihen nga interneti dhe dizajne të tjera grafike manuale, shkruan ekspertët e ‘Microsoft-it’.

Raporti përmend një shembull të një imazhi të krijuar nga IA, për të cilin ‘Microsoft’ tha se vinte nga një profil kinez, ku shihet Statuja e Lirisë duke mbajtur një pushkë me mbishkrimin: ‘Gjithçka po hidhet tutje. PERËNDESHA E DHUNËS’.

Zëdhënësi i ‘Microsoft-it’ tha se profilet e identifikuara ishin përpjekur të shfaqeshin si amerikanë duke publikuar vendndodhjen e tyre si brenda Shteteve të Bashkuara dhe duke publikuar slogane politike amerikane./VOA


Top Channel