FAO: Çmimet botërore të ushqimeve shënojnë rënie në muajin gusht – Telegrafi

0
66

Çmimet botërore të ushqimeve gjatë muajit gusht ranë për 2.1 për qind në krahasim me muajin paraprak, ndërsa çmimet e orizit u rritën me 9.8 për qind duke arritur nivelin më të lartë në 15 vjet.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), çmimet e drithërave ranë me 0.7 për qind, derisa çmimet e grurit ranë me 3.8 për qind për shkak të “disponueshmërisë më të lartë sezonale nga korrjet e vazhdueshme në disa eksportues kryesorë në hemisferën veriore”.

Në njoftim thuhet se çmimet e orizit u rritën për shkak të “ndërprerjeve tregtare të regjistruara si pasojë e ndalimit të korrikut të eksportit orizit të bardhë Indica nga ana e Indisë”.

Çmimet e vajrave bimore ranë me 3.1 për qind, duke reflektuar çmimet më të ulëta globale për vajrat e palmës, lulediellit dhe sojës. Edhe çmimet e qumështit ranë me 4 për qind nga korriku në gusht, duke vijuar një prirje rënëse tetë-mujore.

Derisa, çmimet e mishit u ulën me 3 për qind falë rënies së të gjitha llojeve të mishit në muaj. Ndërkohë, çmimet e sheqerit u rritën me 1.3 për qind. /Telegrafi/