Elbasan/ 51 shoferë të arrestuar gjatë dy javëve të fundit, mijëra të gjobitur

0
69

Kontrolle të shtuara nga Policia Rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe për të lehtësuar qarkullimin gjatë fashave të orareve me fluks të shtuar, për shkak të fillimit të vitit shkollor.

Shërbimet e Policisë monitorojnë pandërprerë akset rrugore, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, me qëllim evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti.

Gjatë 2 javëve të fundit, janë arrestuar 51 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, për drejtim të mjetit, në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi, si edhe janë sekuestruar 31 motomjete.

Gjithashtu, si rezultat i monitorimit të akseve rrugore të qarkut, me shërbime të shtuara dhe me pajisje të logjistikës bashkëkohore:

•Janë ndëshkuar 1238 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;

•Janë ndëshkuar 514 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara;

•Janë ndëshkuar 420 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit;

•Janë ndëshkuar 280 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;

•Janë ndëshkuar 339 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;

•Janë ndëshkuar 480 drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore.

Policia Rrugore e Elbasanit vijon kontrollet në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Gjithashtu, apelon për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, në favor të jetës dhe shëndetit tuaj.


Top Channel