ORCA: Pesë anëtarë ilegalë të Këshillit Drejtues të UP-së, të përseritet zgjedhja e tyre – Telegrafi

0
74

ORCA përmes një njoftimi për media thotë se është e tronditur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili shpalli të paligjshme pjesëmarrjen e senatorëve të rinj studentë para se t’ju fillojë mandati në seancën për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues nga radhët e UP-së në qershor të vitit 2022.

ORCA “risjell në vëmendje të publikut se atë ditë, më 24 qershor 2022, janë zgjedhur në Këshill Drejtues plagjiatori Selim Bezeraj dhe infamozi Rifat Krasniqi”.

“ORCA është e brengosur për legjitimitetin dhe ligjshmërinë e të gjitha proceseve të rrjedhura nga ai vendim i paligjshëm për formimin e Këshillit Drejtues, shumica e anëtarëve të të cilit tashmë me vendim gjykate janë ilegalë. Proceset si zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm në Universitetin e Prishtinës, zgjedhja e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, aprovimi i rregulloreve dhe vendimeve të tjera që kanë dalë nga organi ilegal, mund të kontestohen nga secila palë në çfarëdo procedure tjetër administrative-juridike. ORCA fton Universitetin që të shmangë situata të tilla duke adresuar vendimin e gjykatës”, thuhet në reagim.

Tutje, ORCA thotë se “dënon me termat më të ashpër ata që interpretuan gabimisht një dispozitë aq të qartë dhe kërkon shkarkimin e përjashtimin e të gjithë zyrtarëve në të gjitha institucionet publike të cilët kanë dhënë interpretime të gabuara. Po ashtu dënon mungesën e përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në Gjykatë në seancën për shqyrtimin kryesor të rastit, çka tregon sjellje të papranueshme shpërfillëse të zyrtarëve të Universitetit kur është fjala për mbrojtjen e interesit të tij”.

ORCA pas këtij vendimi e konsideron ilegale përbërjen aktuale të Këshillit Drejtues nga radhët e UP-së, dhe kërkon përsëritje të procesit të zgjedhjes së atyre 5 anëtarëve.

“ORCA mbetet e përkushtuar të kontribojë në kthimin e ligjshmërisë në Universitetin e Prishtinës, në mbrojtjen e proceseve aktuale, të cilat mund të rrezikohen nga situata në të cilën është zhytur Universiteti për shkak të ndërhyrjeve politike të vitit të kaluar që rezultuan në këtë gjendje kaosi të paprecedent në historinë e UP-së”, përfundon reagimi. /Telegrafi/