Voller tregon arsyen pse shkarkuan Flickun, Gjermania do të zgjedh brenda tre javëve trajnerin e ri – Telegrafi

0
74

Përfaqësuesja e Gjermanisë ka mbetur pa trajner pas shkarkimit të gjermanit Hansi Flick ku pësoi humbjen e tretë radhazi ndaj Japonisë 1-4.

E në sfidën miqësore ndaj Francës, Gjermaninë do ta udhëheq drejtori sportiv legjenda Rudi Voller.

63-vjeçari ka folur për shkarkimin e Flick dhe emërimin e trajnerit të ri në krye të Përfaqësueses së Gjermanisë.

“Të gjithë e dimë se detyra ime kryesore sapo mora postin e drejtorit sportiv përkon me mbështetjen e Flickut dhe kështu bëra, madje deri në orët e fundit para shkarkimit”.

“Dështimi në Kupën e Botës mendoja se do të na shërbente si mësim i mirë në vazhdimësi, por rezultatet sërish munguan. Dukej sikur asgjë nuk funksiononte. Gjithsesi, respekti për Hansin nuk mbetet pas. Ai është një ‘top’ trajner tashmë, i uroj suksese në detyrat e tjera profesionale”, u shpreh Voller.

Tutje legjenda gjermane ka thënë se brenda tre javëve do të zyrtarizohet edhe trajneri i ri i ‘Pancerave’.

“Tekniku vendës do të ishte i përkryer, marrë në konsideratë që do të luajmë Evropianin përballë publikut tonë. Detyra kryesore jona është gjetja e trajnerit sa më shpejt”.

“E shumta në harkun e tri javëve do të jetë e përfunduar si çështje. Ndryshimi i frymës mbetet jetik, sigurisht që kemi diskutuar disa emra”, tha Voller. /Telegrafi/