Zëdhënësi i Qeverisë për takimin në Bruksel: Presim të mos jetë vëmendja vetëm te Asociacioni – Telegrafi

0
64

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka deklaruar se në takimin e 14 shtatorit që pritet të mbahet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi pret që të mos ketë kushtëzim dhe bllokim të marrëveshjes duke vënë vëmendjen vetëm te njëra pikë e saj.

Kryeziu në RTV Dukagjini ka thënë se ky takim duhet të jetë fer, i drejtë dhe i balancuar dhe se pret që të ketë finalizim të planit të sekuencuar të zbatimit të marrëveshjes bazë.

“Varet nga dinamikat e brendshme të takimit, ne e dimë se çfarë mund të presim nga ky takim në vija të trasha, presim finalizimin e planit të sekuencuar të zbatimit të marrëveshjes, por ky takim duhet të jetë fer, i drejtë dhe i balancuar. Mos të ketë kushtëzim dhe bllokim të marrëveshjes duke vënë vëmendjen vetëm te njëra pikë e saj. Pikat e marrëveshjes bazike zbatohen në mënyrë të pavarura nga njëra tjetra”, ka deklaruar Kryeziu.

Ndër të tjera, Kryeziu ka akuzuar Serbinë për shkelje të marrëveshjes bazë që kur është dakorduar në Bruksel e nënshkruar në Ohër.

Ai ka thënë se nga ana e Bashkimit Evropian ka munguar një kritikë më e ashpër ndaj Serbisë karshi sjelljes së saj.

“Ka pas ngecje në kuptim të zbatimit e kjo për shkak të qasjes së Serbisë dhe kushtëzimeve të saj. BE-ja e ka këndvështrim e vet dhe të qartë ndoshta jo aq sa e thotë publikisht por kanë kaluar gjashtë muaj prej dakordimit të marrëveshjes bazike, prej atëherë përveç që është minuar, është shkelë me dhjetëra herë në mënyrë flagrante, shkelje me dy këmbë, duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo është evidente, nuk ka nevojë të bindet ndokush, ka munguar një kritikë më e ashpër e  BE-së ndaj sjelljes së Serbisë”, ka vijuar ai.