EULEX reagon për bastisjen te familja Fazliu: Nga viti 2008 vetëm asistojmë për institucione të caktuara – Telegrafi

0
54

Pjesëtarë të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë kanë kryer një bastisje sot në banesën e dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu.

Avokati i familjes, Artan Qerkini para mediave tha se zyrtarët e Speciales kanë marrë disa dokumente.

Pas kësaj bastisje, EULEX përmes një postimi ka thënë se nuk ka mandat për kryerjen e drejtpërdrejtë të operacioneve të bastisjes dhe konfiskimit

“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) sqaron se që prej vitit 2018 EULEX-i nuk ka mandat për kryerjen e drejtpërdrejtë të operacioneve të bastisjes dhe konfiskimit”.

EULEX-i ka thënë se ata mbështesin operacione të institucioneve të caktuara duke nënkuptuar Gjykatën Speciale, dhe se këtë e bëjnë duke respektuar të drejtat e njeriut.

“Në kuadër të kornizave të mandatit aktual për mbështetjen e institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt ngritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnisë dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat evropiane më të mira, në lidhje me operacionet e tilla, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore”, thuhet tutje në reagimin e EULEX-it./Telegrafi/