Kongresi thellon hetimet ndaj Presidentit Biden

0
55

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy njoftoi të martën se ligjvënësit do të nisin hetimet për të përcaktuar nëse ka bazë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidenti Joe Biden, një hap më tej në hetimet lidhur me dyshimet se zoti Biden përfitoi nga marrëveshjet e huaja të biznesit të të birit, Hunter Biden.

“Këto dyshime janë një pasqyrë e një kulture të korrupsionit”, u tha gazetarëve zoti McCarthy.

“Gjetjat tona tregojnë se zoti Biden gënjeu popullin amerikan lidhur dijenitë që kishte mbi marrëveshjet e bizneseve të familjes së tij me të huaj. Ka dëshmi nga persona që kanë qenë të pranishmëm, se presidenti u është bashkuar telefonatave, ka ndërvepruar në disa raste, ka ngrënë darka përmes të cilave i biri dhe partnerët e tij të biznesit kanë përfituar makina dhe miliona dollarë”, u tha zoti McCarthy gazetarëve.

“Ne jemi në dijeni se transfertave bankare prej gati 20 milionë dollarësh për anëtarë të familjes së zotit Biden dhe njerëzve të lidhur me të përmes kompanive guackë”, tha zoti McCarthy.

Ai ngriti dyshime se zoti Biden ka përdorur zyrën presidenciale për të koordinuar këto kontakte dhe se ato kishin marrë trajtim preferencial nga administrata e tij.

Një seri komisionesh të Dhomës së Përfaqësuesve nuk kanë arritur te gjejnë prova që vërtetojnë këto dyshime.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ian Sams shkroi në platformën sociale X se “Republikanët në Dhomën ne Përfaqësuesve kanë kryer hetime për Presidentin prej 9 muajsh dhe nuk kanë gjetur asnjë provë për shkelje. Vetë anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve e kanë thënë një gjë të tillë. Ai u zotua se do të mbante një votim të hapur për nisjen e hetimeve për shkarkim, tani ndryshoi qëndrim sepse nuk ka mbështetje. Politika ekstreme është më e keqja”, tha ai.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer e cilësoi javën e shkuar nisjen e hetimeve për shkarkim si absurde.

Republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një diferencë të ngushtë prej vetem 5 anëtarësh ndaj demokratëve. Por disa republikanë kanë shprehur shqetësime lidhur me nisjen e hetimeve për shkarkim të presidentit përpara zgjedhjeve të vitit 2024.

Anëtari republikan i Kongresit, Ken Buck i tha rrjetit NBC News të dielën se “Hetimi për shkarkim të presidentit Biden duhet të nisë kur të ketë prova për një krim të rëndë apo shkelje te ligjit. Kjo gjë deri tani nuk ekzison”.

Njoftimi i hetimeve për shkarkimin e zotit Biden krijon gjithashtu një përballje mes Kapitolit dhe Shtëpisë së Bardhë, pasi ligjvënësit duhet të arrijnë një marrëveshje me Presidentin për të shmangur mbylljen e qeverisë, duke qenë se fondet e e saj mbarojnë më 30 shtator.

Dhomës së Përfaqësuesve i kanë mbetur edhe vetëm disa ditë pune për të thirrur një seancë për miratimin e një rezolute afatshkurtër ose rrezikohet një mbyllje të qeverisë.

Nëse mbyllet qeveria, komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve nuk do të jenë në gjendje të punojnë për hetimin për shkarkimin e Presidentit.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve është përballur me rritje të trysnisë nga anëtarët konservatorë të grupit të tij parlamentar këtë verë, pasi ra dakord për një marrëveshje me presidentin për të rritur tavanin e borxhit.

“Është e mundur që dokumenti me akuzat për shkarkim të mos shkojë kurrë në Senat,” i tha Zërit të Amerikës Michael Thorning, drejtor i demokracisë në Qendrën e Politikave Bipartizane. “Duke patur një shumicë kaq të ngushtë, është e paqartë nëse ata do të arrijnë deri në fund me këtë. Ata sigurisht nuk mund të llogarisin në ndonjë mbështetje nga demokratët. Dhe kështu duhet të kenë mbështetjen e çdo anëtari të tyre. Dhe nëse humbasin mbështetjen e vetëm pesë prej tyre, nuk do të mund ta kalojnë atë.”

Edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve e miraton dokumentin me akuzat për hetimin për shkarkim të Presidentit, ka pak të ngjarë që Senati që kontrollohet nga demokratët të mbështesë gjyqin ndaj tij./VOA


Top Channel