Vlorë/ Sekuestrohen 4 mina me telekomandë të programuara për shpërthim në distancë

0
62

Vlorë/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, e bazuar në inteligjencën policore, parandalon ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me shpërthim të telekomanduar të lëndës plasëse.

Sekuestrohen 4 mina me telekomandë, me eksploziv C4, të programuara për shpërthim në distancë.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Knock Out 3”, i zhvilluar nga strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 51-vjeçari, banues në Lezhë, i cili i kishte fshehur 4 minat, me eksploziv C4, në kroskotin e automjetit që drejtonte.

Më herët, Policia e Vlorës sekuestroi 5 mina të tjera gjatë operacioneve “Knock Out” dhe “Knock Out 2”. Si rezultat i punës së Policisë, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, u vunë në pranga 4 shtetasit që transportonin këto mina me eksploziv C4.

Në vijim të punës intensive të Policisë, për të garantuar sundimin e ligjit në të gjithë vendin, për të parandaluar ngjarjet kriminale, si dhe për të kapur dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit që janë rrezik për rendin dhe sigurinë publike, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, finalizuan operacionin e koduar “Knock Out 3”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

P. N., 51 vjeç, banues në Lezhë.

Shërbimet e Policisë, në rrugën “Gjergj Kastrioti”, ndaluan automjetin tip “Ford Fiesta”, që drejtonte i arrestuari. Gjatë kontrollit të imtësishëm, në kroskotin e këtij automjeti, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 4 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e shtetasit P. N.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Top Channel