Vlorë/ Parandalohen ngjarjet kriminale, sekuestrohen mina me telekomandë të programuara për shpërthim në distancë

0
47

Policia e Vlorës ka sekuestruar katër mina me telekomandë të programuara për shpërthim në distancë.

Në kuadër të operacionit “Knock out 3” u arrestua ne flagrancë shtetasi Petrit Ndoji banues në Lezhë.

51-vjeçari i kishte fshehur 4 minat, me eksploziv C4, në kroskotin e automjetit tip “Ford Fiesta” ndërsa u arrestua në rrugën “Gjergj Kastrioti”.

Më herët, Policia e Vlorës sekuestroi 5 mina të tjera gjatë operacioneve “Knock Out” dhe “Knock Out 2”, ndërsa u vunë në pranga 4 shtetasit që transportonin këto mina me eksploziv C4.

“Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, e bazuar në inteligjencën policore, parandalon ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me shpërthim të telekomanduar të lëndës plasëse. Sekuestrohen 4 mina me telekomandë, me eksploziv C4, të programuara për shpërthim në distancë. Finalizohet operacioni policor i koduar “Knock Out 3”, i zhvilluar nga strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 51-vjeçari, banues në Lezhë, i cili i kishte fshehur 4 minat, me eksploziv C4, në kroskotin e automjetit që drejtonte. Më herët, Policia e Vlorës sekuestroi 5 mina të tjera gjatë operacioneve “Knock Out” dhe “Knock Out 2”. Si rezultat i punës së Policisë, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, u vunë në pranga 4 shtetasit që transportonin këto mina me eksploziv C4. Në vijim të punës intensive të Policisë, për të garantuar sundimin e ligjit në të gjithë vendin, për të parandaluar ngjarjet kriminale, si dhe për të kapur dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit që janë rrezik për rendin dhe sigurinë publike, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, finalizuan operacionin e koduar “Knock Out 3”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: P. N., 51 vjeç, banues në Lezhë. Shërbimet e Policisë, në rrugën “Gjergj Kastrioti”, ndaluan automjetin tip “Ford Fiesta”, që drejtonte i arrestuari.

Gjatë kontrollit të imtësishëm, në kroskotin e këtij automjeti, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 4 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale. Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e shtetasit P. N. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme“, sipas policisë.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka përshëndetur aksionin e strukturave të policisë së Vlorës, të cilat neutralizuan një grup të rrezikshëm kriminal, i cili dyshohet se kishte në plan akte të rënda kriminale dhe terroriste, përmes përdorimit të lëndëve plasëse.

“Kam besim se Policia e Vlorës do të bëjë detyrën edhe në zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të reja dhe më të vjetra për vendosjen para drejtësisë të personave të dyshuar”,  shprehet Ministri i Brendshëm në statusin e tij përgëzues për policinë e Vlorës.


Top Channel