Mbi 1 mijë studentë regjistrohen në UAMD në raundin e parë/ Kërkesë e lartë në Infermierinë e Përgjithshme

0
60

Raundi i parë i procesit të regjistrimeve në universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës u përmbyll në datën 11 shtator, ku 1187 studentë rezultuan të regjistruar në ciklin e parë të studimeve (Bachelor).

Programet studimore ku interesi i maturantëve ka qenë më i lartë janë kryesisht degët teknike mjekësore, si “Infermieri e Përgjithshme”, “Mami”, programet studimore në fushën e teknologjisë së informacionit dhe “Shkenca Kompjuterike”.

“Regjistrime të shumta ka pasur edhe në degët e biznesit i cili në këtë vit të ri akademik ofroi programin “Informatikë Ekonomike” ku regjistrimet deri më tani janë shumë të kënaqshme, po ashtu në “Financë-Kontabilitet” apo “Administrim Biznesi”. Interes shumë dhe regjistrime ka pasur edhe për programet që ofrojnë diploma të dyfishta mes UAMD-së dhe universiteteve publike europiane me të cilat UAMD ka firmosur marrëveshje”, bën të ditur UAMD, që është i pari universitet publik në vend që këtë verë mori nga Komisioni Europian vulën e universitetit europian, si pjesë e Aleancës së Universiteteve Stars EU.

Degët në të cilat për raundin e parë të regjistrimeve, numri i studentëve është relativisht i ulët janë vetëm dy programe “Histori dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare” dhe “Filozofi-Sociologji”. Në degën e “Filozofi-Aociologjisë” janë regjistruar deri tani vetëm 2 studentë. Sipas UAMD-së, procesi i raundit të dytë i cili fillon së shpejti, pritet të ketë më tepër regjistrime se në raundin e parë, pasi maturantët janë njohur me kuotat e ngelura dhe janë më të qartë në zgjedhjen që duhet të bëjnë”.

UAMD, universiteti më i ri publik në vend, i hapur në vitin 2006, ka të regjistruar aktualisht mbi 17,000 studentë.


Top Channel