Bisedime të pasuksesshme/ Në Bruksel u takuan Kurti dhe Vuçiç

0
44

Takim i pasuksesshëm ishte ai mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell BE-ja doli me propozim për kompromis, por që Kurti refuzoi.

 “Për fat të keq, pas takimit të gjatë, Kurti nuk ishte i gatshëm që të ecët para, të fillojë një proces kredibil për themelimin e Asociacionit. Ai insistoi të formalizohet njohja de facto si hap i parë. Duhet të them që Presidenti i Serbisë ka pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për implementimin e marrëveshjes. Erdhi me një propozim tjetër, por u pajtua me propozimin tonë. Provuan shumë por ishte e pamundur të arrijmë diçka”, tha Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Borrell tha se palët kanë mungesë vullneti për implementimin e marrëveshjes bazë për normalizim të marrëdhënieve, derisa shtoi se kanë hyrë në një cikël të tensioneve e de-eskalimit e që nga këtu dalin me dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë dhe shkuarjen në zgjedhje.

Edhe presidenti serb akuzoi Kurtin për mungesë konstruktiviteti, pasi thotë se nuk ka pranuar as propozimin e BE-së dhe as të Serbisë.

 “Sa i përket rrjedhës, nuk ka pasur shumë gjëra të këndshme, por shumë gjëra të pakëndshme. Logjikisht, të gjithë po luftojmë për të veten. Është e qartë se Kurti po i shmanget formimit të AKS-së. Serbia nuk po i ikën detyrimeve të saja, por ne i folëm si është dhe BE-ja se si duhet ecur gjërat. Dhe ne e pranuam një propozim të tillë, pavarësisht se nuk ishte i lehtë, por Kurti e refuzoi dhe kështu përfundoi çdo gjë”, tha Vuçiç.

Megjithatë, shefi i qeverisë së Kosovës thotë se në këtë takim ai ishte i vetmi që solli propozim në tryezë, një udhërrëfyes për sekuencimin e planit të zbatimit të marrëveshjes për normalizim.

“Presidenti i Serbisë nuk ka dhënë asnjë propozim dhe takimi nuk ka pasur një rezultat. Nuk ka mundur të ketë kompromis meqenëse nuk mund  të ketë kompromis mes propozimit me sekuencë dhe kushttëzimit të vjetër”, tha Kurti.

Me këtë Kurti akuzoi ndërmjetësit për anshmëri në proces.

“Është për të ardhur keq që Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë e kushtëzimin nga Serbia e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues…E unë s’mund ta pranoja një të tillë duke cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam. Edhe ky dokumenti i vjetër që paraqet dokumentin e kushtëzimit që një herë Asociacioni e pastaj shohim, e kemi në dorë e s’kemi qenë në dijeni që ka pasur një të tillë”, tha Kurti.

Tutje, Albin Kurti shtoi se masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vënë Kosovës duhet të largohen.


Top Channel