Arrestimi i 233 personave që shisnin drogë pranë shkollave, jehonë në mediat e huaja

0
55

Megaoperacioni për ndalimin e shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, që çoi pas hekurave 233 persona, ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare.

Në operacionin mbarëkombëtar ku morën pjesë 3000 oficerë, u shkatërruan 23 grupe kriminale që dyshohet se shpërndanin kanabis, kokainë, heroinë dhe ekstazi pranë shkollave dhe universiteteve, shkruan Abc News.

Më tej, përmendet fakti se Shqipëria ka pasur prej kohësh reputacionin si rruga kryesore evropiane e trafikut të drogës. Për një kohë të gjatë, ajo u konsiderua gjithashtu si një qendër e prodhimit të marijuanës.

Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, qeveria e majtë e Partisë Socialiste e kryeministrit Edi Rama prezantoi synimin për shkatërrimin e bimëve të kanabisit, raporton Associated Press. Gjatë dy viteve të ardhshme, ajo shkatërroi miliona bimë kanabisi me një vlerë tregu prej 7 miliardë eurosh, mbi dy të tretat e prodhimit të brendshëm bruto vjetor në atë kohë.

Operacioni antidrogë vuri në pranga 233 shpërndarës të substancave narkotike, ku mbi 100 prej tyre ushtronin veprimtarinë kriminale në kryeqytet e kishin shënjestër të rinjtë në moshë shkollore. Fijet e shpërndarësve me sekserët e vegjël në shkolla po këputen nëpërmjet megaoperacionit të koduar “Tempulli”.


Top Channel