Zbulimet e fundit të teleskopit James Webb në ‘planetin e largët’ – çfarë do të thonë këto për kërkimin e ‘jetës aliene’? – Telegrafi

0
75

Teleskopi Hapësinor James Webb ka gjetur prova se një planet përtej sistemit tonë diellor mund të jetë i mbuluar nga një “oqean”.

Astronomët nuk mund të shikojnë drejtpërdrejt në sipërfaqen e planetit, të quajtur K2-18 b, por, teleskopi Webb analizoi atmosferën për të dhëna se çfarë mund të gjendet më poshtë, raporton Business Insider, përcjell Telegrafi.

Rezultatet e bëjnë këtë planet që gjendet 120 vite dritë larg, të duket gjithnjë e më shumë si një vend që mund të jetë i banueshëm për jetën.

Zbulimi më potencialisht “ndryshues loje” nga observatori i NASA-s – dhe që duhet kushtuar kujdes i veçantë – është një aludim i një molekule të quajtur ‘dimetil sulfid’ (DMS), që dihet se vjen vetëm nga “jeta e gjallë”.

“Ne mund të shohim me plot kuptimin e fjalës hapat e parë drejt identifikimit të jetës diku tjetër”, tha për Business Insider, Nikku Madhusudhan, një astronom në Universitetin e Kembrixhit, që udhëhoqi hulumtimin e ri.

Megjithëse intriguese, këto të dhëna janë të pasigurta dhe nuk janë një zbulim i qartë i asaj molekule. Është shumë herë për të konkluduar në “jetë jashtëtokësore”, por astronomët do të bëjnë hetime të mëtejshme.

Dimetili sulfid do të ishte “provë e fortë” për praninë e “jetës së gjallë”

E vetmja gjë që dihet për dimetilin sulfid (DMS) është përbërja me organizma të gjallë, sidomos me ‘fitoplankton’ që gjendet në oqeanet e Tokës. Prandaj, nëse do të konfirmohej prezenca e këtij komponenti në planetin K2-18 b, do të ishte një “provë shumë e fortë për një lloj aktiviteti biologjik atje”, tha Madhusudhan.

Megjithatë, një zbulim i tillë i jashtëzakonshëm kërkon prova jashtëzakonisht të forta.

Ekipi i Madhusudhan analizoi të dhënat e reja të gjetura lidhur me këtë komponent, por gjetjet nuk rezultuan të qarta.

Është një arsye pse astronomët janë jashtëzakonisht të kujdesshëm në lidhje me këtë zbulim të mundshëm dhe kanë nevojë për një vështrim tjetër në planet.

“Kërkohet shumë më tepër punë përpara se të parashikohet mundësia e jetës ‘aliene’, duke filluar nga një konfirmim i padiskutueshëm i pranisë së DMS“, tha Doriann Blain nga Instituti Max Planck për Astronomi, i cili ka studiuar më parë planetin K2-18 b.

Madhusudhan pajtohet gjithashtu. Ai shpreson të publikojë rezultate të reja nga vëzhgimet e reja të Webb deri në këtë kohë vitin e ardhshëm, duke ofruar më shumë prova, pro ose kundër pranisë së DMS-s në K2-18 b.

Webb zgjidhi misterin e ‘metanit të munguar?’

Ajo që është e qartë në të dhëna dhe inovatore në vetvete, është se Webb zbuloi metanin në atmosferën e K2-18 b.

Zbulimi zgjidh një problem dhjetëvjeçar të “metanit të munguar”, në të cilin astronomët e dinin se duhet të kishte metan në atmosferën e disa planetëve, por nuk mund ta gjenin.

Gjetja e metanit është e rëndësishme sepse përmban karbon, që është një element themelor për jetën siç e dimë deri më sot.

“Edhe gjëja më themelore që ne po themi – që gjetëm molekula me bazë karboni – është një revolucion i madh në këtë fushë”, tha Madhusudhan.

Konfirmimi i këtyre gjetjeve kërkon shumë më tepër vëzhgim të K2-18 b. Gjatë vitit të ardhshëm, Madhusudhan ka planifikuar një observim me Webb për të hulumtuar më shumë planetin, ashtu si edhe një ekip tjetër astronomësh.

Webb detektoi molekula në atmosferën e planetit që Hubble nuk mund t’i shihte

Me një madhësi 2.6 herë më shumë se Toka dhe me një masë 8.6 herë më shumë, K2-18 b nuk është lloji i planetit që shkencëtarët tradicionalisht e marrin në konsideratë kur kërkojnë jetë aliene.

Është një “nën-Neptun” ose një “mini-Neptun”. Brendësia e saj ndoshta është e mbushur me akull dhe jo me shkëmb. Siç thotë Blain: “K2-18 b nuk është saktësisht një binjak i Tokës.”

Por, vëzhgimet e mëparshme të këtij planeti, me teleskopin hapësinor Hubble, lanë të kuptonin se mund të kishte avuj uji në atmosferën e tij. Kjo ishte mjaft intriguese sa Madhusudhan dhe bashkëpunëtorët e tij e vëzhguan me teleskopin Webb në fillim të këtij viti.

Kur drita e yjeve kalon nëpër atmosferën e K2-18 b, molekulat në ajër atje do të thithin disa gjatësi vale të dritës dhe do të reflektojnë të tjerat. Duke analizuar se cilat gjatësi vale kalojnë dhe shkëlqejnë në Tokë, përgjatë spektrit infra të kuqe të dritës, Webb mund të identifikojë gjurmët unike të gishtave “spektrale” të përbërjeve të ndryshme në atmosferë.

Webb mund t’i analizojë ato spektra në rezolucion shumë më të lartë se Hubble. Rezultatet, të treguara të hënën nga NASA dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës, ishin të qarta: ndoshta ka dioksid karboni dhe metan në atë atmosferë.

Këto gjetje, të cilat pritet të publikohen në “Astrophysical Journal Letters”, vendosin një lloj planeti të ri në kërkimin e jetës aliene.

Mini-Neptunët nuk janë konsideruar si kandidatët më të mirë për jetën aliene në të kaluarën, por duket se janë lloji më i zakonshëm i planetit në galaktikën tonë. Tani, me fuqinë e teleskopit Webb, astronomët mund të shohin saktësisht se çfarë ka në atmosferën e këtyre planetëve.

“Kjo hap mundësi të tjera”, tha për Insider, Eliza Kempton, një astronome në Universitetin e Maryland, e specializuar në spektrat e atmosferave ekzoplanetore.

“Ky është planeti i parë me madhësinë e një nën-Neptuni që na tregon një spektër të paraqitur bukur. Është diçka që ne e kemi pritur për një kohë të gjatë”, tha ajo.

K2-18 b mund të jetë një lloj i ri bote: planeti ‘Hycean’

Planeti K2-18 b mund të jetë i pari i njohur si bota “Hycean” – një lloj planeti teorik me një atmosferë të trashë hidrogjeni dhe një sipërfaqe të mbuluar në një oqean uji.

Vëzhgimet e Webb-it të planetit K2-18 b janë “jashtëzakonisht mirë në përputhje” me modelet që parashikojnë atmosferën e botëve “Hycean”, sipas Markus Scheucher, i cili udhëhoqi disa nga ato modele.

Përkatësisht, prania e metanit dhe e dioksidit të karbonit pa amoniak, “do të nënkuptojë një oqean që ndërvepron me atmosferën”, tha Scheucher, nga Laboratori Jet Propulsion i NASA-s, në një email për Insider.

“Bazuar në atë që dimë se si funksionon kimia atmosferike, nuk ka asnjë shpjegim tjetër”,  potencoi Madhusudhan, i cili drejtoi ekipin që propozoi për herë të parë “botët Hycean” në vitin 2021.

Megjithatë, Kempton nuk është aq i sigurt dhe tha se duhet bërë më shumë modelime për të siguruar që shenjat e vëzhguara nga Webb mund të vijnë vetëm nga një oqean.

Meqenëse studimi i atmosferës së planetëve Hycean është kaq i ri, është e mundur që shkencëtarët të mos kenë zbuluar ende procese të tjera mund të bëjnë të detektueshëm dioksidin e karbonit dhe metanin në atmosferën e K2-18 b.

“Do të doja t’i shihja ato lloj studimesh të hulumtohen më shumë: ‘A është ky një shenjë unike e një oqeani ujor apo jo?’ – sepse është një argument kaq indirekt – përpara se të jem rehat për të thënë se ka ujë të lëngshëm atje”, tha Kempton për Insider.

Nëse oqeani ekziston, tha Madhusudhan, ekziston një mundësi që të jetë shumë i nxehtë për jetë. /Telegrafi/