Rasti i trevjeçarit, avokati Hasani: Edukatorët kanë kryer tri vepra penale – Telegrafi

0
49

Avokati i familjes, Hyseni, Nasuf Hasani ka njoftuar se nëna e trevjeçarit që u rrah nga edukatorët e kopshtit “Gëzimi Ynë”, tashmë ka dhënë deklaratën në Polici.

Hasani para mediave tha se presin nga organet e drejtësisë që të veprojë sipas procedurave, ndërsa tha se të dyshuarat po vazhdojnë të qëndrojnë në Polici, transmeton Telegrafi.

“Kanë bërë tri vepra penale. Uroj të mos ketë më raste të tilla. Janë duke intervistuar nga Policia e Kosovës. Është hera parë, fëmija ka trauma, sa i përket kopshtit tashmë është e pamundur të dërgohet, ai ka qenë edhe i izoluar nga fëmijët tjerë. Edhe gjatë natës, ai po ka truma, nuk dëshiron të kujtojë muhabetet rreth kopshtit, ai duhet t’i nënshtrohet tretmanit të psikologut”, tha avokati.

Ndryshe, të hënën, një qytetar në rrjetin e tij social në Facebook ka njoftuar se nipi tij është rrahur nga tri edukatore.

“Të nderuar media dhe prindër! Dua të ndaj me ju diçka të tmerrshme që sapo ka ndodhur në Fushë Kosovë, në çerdhen shtetërore të fëmijëve “Gëzimi Ynë”, është rrahur brutalisht nipi im Lisi, vetëm 3 -vjeç. Shikoni kamerat ku shihet qartë që po rrihet e tërhiqet zvarrë, me pas e dërgojnë në një dhomë pa kamera dhe e rrahin pa mëshirë të tri mësueset e kësaj k***e”.

Lidhur me rastin, drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë ka njoftuar se Policia është duke intervistuar edukatoret, ndërsa tha se do të pezullojnë nga puna personat që u përfshinë në rastin e dhunës.

Telegrafi ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga drejtoresha e kopshtit “Gëzimi ynë”, por që e njëjta nuk është lajmëruar.

Për rastin ka pasur reagime të shumta, ndërsa nëna e trevjeçarit para mediave tha se djali ka edhe disa probleme shëndetësore. /Telegrafi/