“Përrallë nga e kaluara”/ Filmi është zgjedhur pjesë e festivalit “Lumiere Classics”

0
53

“Përrallë nga e kaluara”, filmi komedi ndër më të mirënjohurit në kinematografinë shqiptare do të shfaqet në tetor në Francë.

Filmi me regji nga Dhimitër Anagnosti prodhim i vitit 1987 në vendin tonë është përzgjedhur të jetë pjesë e seksionit Treasures & Curiosities i festivalit të filmit klasik, “Festival Lumiere”, në Lion të Francës.

Lajmin e bëri të ditur Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit. Ashtu si filmi “Tana”, i cili u shfaq në të njëjtin festival në vitin 2022, edhe filmi “Përrallë nga e kaluara” do të mbajë tashmë logon Lumiere Classics, një logo prestigjioze që promovon restaurimet më të mira të kohëve të fundit dhe mundëson rizbulimin e tyre nga një audiencë gjithnjë e më e gjerë. thuhet nga Arkivi i Filmit në faqen e tij.

Festivali i Filmit Lumiere është një festival vjetor filmi, që mbahet çdo tetor në Metropolis të Lyonit, Francë, që nga viti 2009.

“Përrallë nga e kaluara” është mbështetur mbi disa motive të veprës së Andon Zako Çajupit “14 vjeç dhëndër” dhe më pas skenari është zhvilluar si krijim origjinal i Dhimitër Anagnostit. Filmi ishte fitues i çmimit “Aleksandër Moisiu” në vitin 1988 për skenarin.

U nderua me çmimin e dytë në Festivalin e 8 të Filmit Artistik Shqiptar, 1990. Aktoret Hajrie Rondo dhe Elvira Diamanti u nderuan me çmimin e dytë dhe të tretë. Fiton çmimin e dytë në Festivalin Ndërkombëtar të filmit të Europës Lindore në Bondy, Francë 1990. Muzika e filmit është nga Limos Dizdari.

Aktorë në role Admir Sorra, Elvira Diamanti, Robert Ndrenika, Hajrie Rondo, Xhevdet Feri, Xhemil Tagani, Mira Minga, Teli Stefani, Mimika Luca, Medi Malkaj, etj. Filmi tregon historinë e martesës së Gjinos 14 vjeçar me Marigonë 20 vjeçare.


Top Channel