“Tempulli”/ U kap afër shkollës së mesme të Peshkopisë me kanabis, nën hetim 19-vjeçari

0
38

Një 19-vjeçar nga Dibra është nën hetim, në kuadër të megaopercionit “Tempulli”.

I riu me iniciale F. Rr., u kap në afërsi të perimetrit të sigurisë së një shkolle të mesme në Peshkopi, me një sasi të vogël lënde narkotike, e ndarë në doza.

“Policia e Dibrës në zbatim të masave të sigurisë në shkolla, për parandalimin dhe goditjen e shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave dhe nxënësve të shkollave, si dhe në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, është siguruar informacion se në afërsi të perimetrit të sigurisë së një shkolle të mesme në qytetin e Peshkopisë, shiteshin doza të lëndës narkotike cannabis sativa menjëherë është ndërhyrë për goditjen e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e policisë.

19-vjeçari, në përfundim të veprimeve të para hetimore është proceduar penalisht, ndërkohë që në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Sipas policisë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu ditën e sotme është vënë në pranga një 29-vjeçar në Tiranë i cili ishte shpallur në kërkim. Kapja e 29-vjeçarit A.Sh është bërë në rrugën “Mine Peza”, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, vijon.


Top Channel