Shtohen të rinjtë e papunë/ Paradoksi me shtimin e vendeve të punës

0
54

Megjithëse gjithandej kërkojnë punëtorë, shkalla e papunësisë tek të rinjtë në 3-mujorin e dytë të këtij viti është rritur.

Kjo referuar Anketës Tremujore të Forcave të Punës, përpiluar nga INSTAT.

“Këtu po flasim për grupmoshën nga 15-29 vjeç, ku përqindja e të papunëve është 22,3%, duke pësuar një rritje prej 0,4% nga tremujori i mëparshëm, rritje kjo që tregon ende sot dobësinë që ka tregu i punës përsa i përket ofertës për punë cilësore për të rinj. Nëse një i ri ka investuar duke bërë një shkollë të lartë, master, e gjen veten përballë kërkesave që ka tregu për të punuar si kamarier, banakier, apo punëtor i thjeshtë në industri apo kompani të caktuara. Dhe i gjendur përballë kësaj situate ky i ri dekurajohet, ose qëndron i papunë për një kohë të gjatë, pra më shumë sesa 1 vit, ose detyrohet të shkojë në emigracion, ose gjen mënyra informale, pse jo edhe të paligjshme për të fituar para.

Kjo situatë zgjidhet atëherë kur në Shqipëri të ndërmerren politika parandaluese dhe politika riparuese. Politikat parandaluese janë forcimi i këshillimit të karrierës, dhe identifikimit dhe kultivimit të talentit të nxënësve që në moshë të hershme. Riparimi ka të bëjë me përcaktimin e një ofertë kombëtare për punë që do të përkthehej në profesione, zanate dhe kritere që kërkohen për to, me qëllim që të ridimensionohen të gjitha kuotat e pranimit në universitete dhe shkolla profesionale duke i përkthyer nevojat në punë konkrete në tregun e punës.”- shprehet eksperti Erion Muça.

Ekspertët thonë se ka ikur koha e thirrjeve dhe ndërgjegjësimit publik mbi opsionet për punë plot, pasi tani jemi në kohën kur sipërmarrjet dhe bizneset duhet të provojnë dhe promovojnë veten si dhe sa janë përmirësuar.


Top Channel