India pezullon vizat për kanadezët, në përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve (fotot)

0
34

Njoftimi vjen pas “kërcënimeve të sigurisë” teksa kryeministri Justin Trudeau tha se India është e përfshirë në vrasjen e aktivistit Sikh ne Kanada.

Marrëdhëniet mes Indisë dhe Kanadasë janë përkeqësuar më tej sot teksa Delhi njoftoi pezullimin e shërbimeve të vizave për kanadezët prej kërcënimeve të sigurisë që kishte hasur në ambasadën dhe konsullatat në Kanada.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme indiane Arindam Bagchi, konfirmonte sot masën e pezullimit duke përmendur si arsye “nxitjet për dhunë, mosveprimin e autoriteteve kanadeze ndaj krijimit të një mjedisi që prish punën e komisionit të lartë dhe konsullatave indiane”.

India ka përmendur më parë akuzat se Kanadaja po mbron ata që Delhi quan “terroristë” të lëvizjes Kalistan, grupi pro-pavarësi i besimit Sikh, që është i jashtëligjshëm në Indi. Në Kanada ku grup ka krijuar popullatën më të madhe pas krahinës së tyre indiane Punjab.

“Jemi të ndërgjegjshëm për kërcënimet e sigurisë për konsullatat tona në Kanada”, tha  Bagchi, duke shtuar se situata ka trazuar funksionimin e plotë të tyre.

Ai tha se situata e vizave do të rishikohet rregullisht.

Zhvillimi duket se është gjithashtu një kundërpërgjigje e Indisë ndaj deklaratës së kryeministrit kanadez Trudeau se “ka prova të besueshme” se Delhi është përfshirë në vrasjen e aktivistit indian Sikh, Hardeep Singh Nijjar në qershor në Kanada.

India refuzon supozimet si “absurde” dhe prej atëherë vendet kanë dëbuar diplomatë të njëri-tjetrit në veprime të ndërsjellta.

Bagchi tha më tej se stafi diplomatik kanadez në Indi mund të nisë të reduktohet, që vendet të kenë “barazi” në përfaqësitë e tyre diplomatike.

Çështja e separatizmit të lëvizjes Khalistan, për pavarësinë e një shteti Sikh ka qenë një pikë e vjetër tensionesh në lidhjet Indi-Kanada. Kanadaja ka një komunitet të gjerë Sikh dhe India akuzon se ata po bëjnë një sy qorr ndaj “ekstremizmit” Khalistani në tokën e tyre.


Top Channel