Situatë alarmante në Patos/ Flakët dalin nga kontrolli, rrezikohen depozitat e naftës! Balla: Të mbrohen zonat e banuara

0
39

Situatë alarmante në Bashkinë e Patosit.

Zjarret të favorizuara nga era dhe errësira e natës kanë dalë nga kontrolli duke djegur me dhjetëra hektarë me ullinj dhe shkurre në Patosin e Vjetër. Situata nuk është premtuese as në Margeliç, e cila gjithashtu ndodhet nën pushtetin e flakëve.

Sipas banorëve, ka shtëpi që rrezikohen dhe depozita me naftë bruto. Po ashtu, një nënstacion elektrik është shkrumbuar nga flakët në Patos, ndërsa OSHEE është detyruar të stakojë energjinë elektrike, si masë e nevojshme sigurie.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se është e pamundur ndërhyrja e zjarrfikseve pasi sipërfaqa me vatra të shumta zjarri është e madhe dhe terreni shumë i vështirë.

Në një reagim referuar situatës, ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaron se po punohet për shuarjen e flakëve, dhe mbrojtjen e zonave të banuara.

“Po ndjekim situatën në Bashkinë Patos, fshati Margëlliç, ku po luftohet me zjarrin, i cili ka marrë përmasa tepër të mëdha. Forcat zjarrëfikëse të Patosit, Roskovecit, Fierit, kompanisë Albpetrol po punojnë në disa drejtime për të mbrojtur zonat e banuara, ndërsa janë nisur forca edhe nga Lushnja, Vlora dhe Berati. Policia e Shtetit ka dërguar efektivë të shumtë të FNSH, ndërsa ka arrestuar autorin e dyshuar të kësaj zjarrvënie”- shkruan Balla.


Top Channel