Propozim-ligji për amnisti do të dorëzohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut – Telegrafi

0
47

Qeveria e RMV-së i ka dhënë dritë jeshile propozim-ligjit që parashikon lirimin e plotë për të dënuarit deri në 6 muaj burg si dhe uljen në masën e 30 për qind për disa kategori të të dënuarve. Njoftimi është bërë i ditur nga Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga sipas të cilit propozimi tani do të dërgohet për miratim në Kuvend. Lloga tha se propozimi nuk parasheh amnisti për veprat e rënda penale.

“Amnistia nuk vlen për personat të cilët janë të dënuar me burgim të përjetshëm, për vepër penale vrasje, për vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor, kundër shtetit, kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, për vepra penale “Keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve” nga neni 353, “Punë të papërgjegjshme në shërbim” nga neni 353-c, të gjithë nga Kodi Penal, për krime kundër rendit publik nga nenet 394 deri në 394-d të Kodit Penal, si dhe për krimet e kryera gjatë ushtrimit të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore”, deklaroi Krenar LLoga, Ministër i Drejtësisë.

Me këtë ligj rregullohet lirimi nga dënimi me burg i personave të dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm në dënim me burg për vepra penale të parashikuara me Kodin Penal ose me ligje të tjera, të cilat në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë filluar ose nuk kanë filluar me vuajtjen e dënimit në INK në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe personat e dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm në dënim me burg për vepra penale të parashikuara me kode penale të një shteti të huaj, përderisa kryerësi është shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dënimin e vuan në vend mbi bazë të ekzekutimit të aktgjykimit penal të gjykatës së huaj ose ndërkombëtare. Lloga ka shtuar se qëllimi kryesor i ligjit është lirimi i kapaciteteve të burgjeve.

“Qëllimi është që të mundësohet risocializimi i kryerësve të veprave penale dhe lehtësimi i institucioneve ndëshkuese korrektuese, duke pasur parasysh faktin se situata atje gjatë periudhës së kaluar është alarmante, e kjo ishte potencuar në raportet e shumta ndërkombëtare, si dhe nga Komiteti kundër torturës në kuadër të Këshillit të Evropës”, shtoi Krenar LLoga, Ministër i Drejtësisë.

Amnistia nuk vlen për personat që i kanë kryer veprat që i nënshtrohen amnistisë pas datës 1 shtator 2023. Amnistia nuk vlen për personat e dënuar ligjërisht për të cilët, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, është lëshuar urdhër arrest për shkak se janë të pakapshëm për organet e ndjekjes penale./Alsat/