SHPËRNDAJE

Zarbica

Rruga e Zarbicës, e cila për krah e ka lumin Molla Reka, ruan kujtime sa të hidhura, po aq edhe krenare.

Rruga dhe lumi, janë shumë afër njëra tjetrës, si dy dëshmitarë të rrallë, të cilat kanë parë me sytë e tyre shumë ngjarje e ndodhi nga më të rëndësishmet në historinë e malësorëve të kësaj krahine.
Rruga për dallim nga Molla Reka, ka marrë dritën jeshile nga autoritetet komunale dhe banorët e saj për t’i dhënë fund rrëfimit të kahmotshëm për asfaltim.
Po si do të asfaltohet Rruga e Zarbicës?
Kuptohet, me pjesëmarrjen e Komunës së Bujanocit dhe aksionit vullnetar të banorëve, të dëbuar nga Malësia e Bujanocit në Gjilan dhe diasporë.

Angaria

Udhëheqësia komunale e Bujanocit dhe ajo e Shoqatës „Vatra” e transformuar në Lëvizje politike, lehtë ia qitën kalemin: 70 për qind të mjeteve të parapara për asfaltimin e rrugës duhet të sigurohen nga komuna e 30 për qind, nga malësorët.
Matematikë e thjeshtë. Një kalkulim i tillë, nuk do filozofi. Por, shtrohet pyetja se një matematikë e tillë a është marrë parasysh edhe me Asfaltimin e Rrugës së Kombit: Tërnoc-Breznicë?!
Komuna e Bujanocit, kohëve të fundit, ka asfaltuar me qindra kilometra rrugë, të cilat i ka rregulluar pa pjesëmarrja e qytetarëve.
Është obligim i shtetit dhe komunës për rregullimin e infrastrukturës rrugore. Ka kaluar koha e Doktor Ilazit, ndjesë pastë, i cili në atë kohë shiste tokën e baballëkut për ta rregulluar rrugën e Zarbicës.
Aksionet vullnetare, të njohura dikur si angari, nga koha e Mareshalit Tito, tashmë janë demoduar.

Gjobitja

Pse të gjobiten malësorët, për këtë projekt, që i takon komunës dhe shtetit?!
A nuk u rropën e u dogjën për së gjalli, këta malësorë, kur u dëbuan nga vatrat e tyre stërgjyshore? A nuk u dhemb edhe sot shpirti e zemra për pronat e tyre të lëna djerrinë, a nuk kanë mall për varret e të parëve, a nuk Ju tingëllojnë akoma në veshë blegërima e bagëtive dhe gurgullimi i ujëra të bjeshkëve?!
Po, këta malësorë, që sot kanë hapur kuletat për asfaltimin e rrugës së Zarbicës, a nuk kanë pasur vërejtje për qarkullimin e lirë të njerëzve, për shtetësinë, që po ua merr shteti, për praninë e shtuar të forcave serbe përgjatë kufirit me Kosovën, për kompenzimin e dëmeve të luftës etj?
A kanë të drejtë, këta malësorë të dinë, se pas asfaltimit të rrugës, a kanë mundësi ligjore të kthehen të jetojnë dhe të ngritin biznese me dokumente të Kosovës?
Kujt do t’i shërbej kjo rrugë, nëse nuk krijohen kushtet për kthimin e malësorëve?
Krejt e dinë, se asfaltimi i rrugës së Zarbicës, është një nga kushtet themelore për kthimin e banorëve, por janë edhe disa kushte te tjera, pa të cilat kjo rrugë nuk ka kuptim.

Llogaria

Në këtë drejtim ka zëra, që mendojnë paksa ndryshe.
Po sikur Fondi Humanitarë i Malësisë së Bujanocit, këto 200 mijë euro sa i takojnë për pjesëmarrje në asfaltimin e rrugës, t’i investonte në bujqësi, gjërat do të dukeshin kështu: me këto para sikur të ishin blerë 200 krerë lopë, e çdo familje që kthehet t’i marrë nga 7 sish, menjëherë Malësia e Bujanocit, do t’i kishte 30 familje më shumë.
Jo vetëm kaq! Me 30 familjet e kthyera, do të ringjallet shkolla me 50 nxënës, do të inkuadrohen 15 punëtorë arsimorë, do të zgjidhet udhëheqësia e shkollës, me punëtorë shtesë, shërbëtorë e teknikë.
Bashkë me këto të mira, do të vihet në funksion ofiçaria, bashkësia lokale, ambulanca, biblioteka, xhamia, shitorja, linja e autobusëve dhe tregu javor (e premtja e dikurshme).
Ka edhe diçka, që e bënë këtë fond më kuptimplotë, interesimi i bizneseve në fushën e blegtorisë, gjedheve simentalë, bulmetoreve etj.
Edhe një e dhënë, ë cilën disa e dinë, po nuk ua thotë goja. Familja e Shefket Mehmetit, ka dy nxënës, që udhëtojnë këmbë nga Zarbica, për në shkollë të Muhocit.
Prindi i fëmijëve nxënës, është i obliguar t’i dërgoj fëmijët me motokultivator, në shkollë, në një largësi prej 15 km, duke i pritur ata deri sa ta mbarojnë mësimin.
Nëse këto 200 mijë eurot e grumbulluara nga banorët e Malësisë, dedikohen kryekëput për asfaltim e rrugës së Zarbicës, pa këto statistika, që përmendëm më lartë, zor se do të arsyetohet ky projekt për brezat e tashëm dhe të ardhshëm. /Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc/