Vrasja e Martin Bardhit, Imzot Gjergj Meta: Këto ngjarje sjellin zymti në të gjithë vendin

0
53

Ipeshkvi i dioqezës së Rrëshenit të Mirditës, Imzot Gjergj Meta ka reaguar për vrasjen e Martin Bardhit të ndodhur një ditë më parë.

Ai thekson se këto ngjarje të rënda shkaktojnë ndikim negativ dhe sjellin zymti në të gjithë vendin.

“Të dashur miq,

Dje në Rrëshen ndodhi një ngjarje shumë e rëndë që shkaktoi vdekjen e një personi, plagosjen e tre të tjerëve dhe solli tronditje të madhe tek të gjithë ne. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre e shërim sa më shpejtë të plagosurve!

Në një qytet të vogël si i yni, ngjarje të tilla e shenjojnë thellësisht jetën e çdo njeriu, por kanë ndikim negativ dhe sjellin zymti në të gjithë vendin. Ju ftojmë të gjithëve sot, në meshën e orës 17:00, gjatë së cilës do të kremtojmë edhe përkujtimin e Shën Vinçenc de Paolit, që të lutemi për qytetin tonë, në mënyrë që në zemrat e secilit të sundojë paqja dhe e mira. Na jep o Hyj paqen dhe dashurinë tënde!“, mesazhi i Imzot Gjergj Metës.

Vrasja e Martin Bardhi ka mbetur ende pa një autor. Janë shoqëruar në komisariatin e Lezhës persona nga fisi Reçi, mes tyre sipas burimeve është shoqëruar edhe Saimir Reçi i cili pati dhe konfliktin në mars të këtij viti dhe i ati i këtij të fundit.

Atentati ndodhi rreth orës 10:40 pranë lokalit të viktimës Martin Bardhi, 59 vjeç. Dyshohet se në fillim, 59-vjeçari dhe autorët janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe sherri ka degraduar në përdorimin e armëve. Atentatorët më pas janë larguar me një fuoristradë të zezë.

Të plagosur mbetën kushëriri i viktimës Indrit Bardhi, Olti Gjini dhe Ilir Bardhoku, të cilët janë dërguar në spital.

Dyshohet se hakmarrja ka qenë shkak i vrasjes, pasi në mars të këtij viti, së bashku me të birin, Erind Bardhin, Martini qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit Saimir Reçit, nipi i Kastriot Reçit të ekzekutuar në vitin 2020. Saimir Reçi arriti t’i shpëtonte atentatit, ndërsa Bardhi u vu në pranga.

Vetëm pak ditë më parë, viktima kishte dalë nga burgu. Mes fiseve Reçi dhe Bardhaj ka pasur vazhdimisht konflikte dhe dyshohet se edhe vrasja lidhet me përplasjen mes dy fiseve.


Top Channel