Senatori Menendez në gjykatë për t’u përballur me akuzën për marrje ryshfeti

0
36

Senatori Demokrat, Bob Menendez përballet të mërkurën në një Gjykatë Federale të Nju Jorkut me akuzat për marrje ryshfeti ndërsa po shtohen thirrjet brenda Partisë Demokrate për dorëheqjen e tij.

Zoti Menendez ka thënë për mediat amerikane se është i pafajshëm dhe se nuk ka në plan të japë dorëheqjen si Senator.

Të përfshirë në aktpadinë e prokurorisë federale të Nju Jorkut janë edhe bashkëshortja e Senatorit Menendez, Nadine dhe tre biznesmenë nga Nju Xhersi, Jose Uribe, Fred Daibes dhe Wael Hana, të cilët gjithashtu kanë thënë se janë të pafajshëm.

Biznesmeni Wael Hana u arrestua në aeroportin Kennedy të Nju Jorkut të martën pasi u kthye vullnetarisht nga Egjipti për t’u përballur me akuzat dhe u urdhërua të lirohet në pritje të gjykimit.

Nëse Senatori Menendez shpallet fajtor për të tri akuzat e padisë penale, sipas llogarisë që ka bërë ish prokurori federal Adam Kamenstein, ai mund të marrë dënim maksimal prej 45 vjetësh burgim.

Prejse u bë e ditur se është ngritur aktpadia penale zërat që i kanë bërë thirrje senatorit Menendez të japë dorëheqje po shtohen. Prej tyre, ndër më të zëshmit ka qenë Guvernatori i Nju Xhersit, shtet që zoti Menendez përfaqëson në Senat, i cili ka thënë se akuzat janë aq serioze sa ndikojnë tek aftësia e tij për të përfaqësuar denjësisht popullin e Nju Xhersit.

Senatori është larguar përkohësisht nga posti i Kryetarit të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit pasi kështu përcaktojnë rregullat e brendshme të Partisë Demokrate amerikane për zyrtarët që përballen me padi penale. Por zoti Menendez ka refuzuar thirrjet që të japë dorëheqjen si senator duke sqaruar se ai në fakt, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të kandidojë sërish.

Në detajet e dhëna javën e kaluar, prokurori Damian Williams tha se “Agjentët e FBI-së zbuluan rreth 500,000 dollarë të futura në zarfe dhe dollapë. Një pjesë e parave, sipas tij, u gjetën në xhepat e xhaketës së senatorit dhe për këtë ai publikoi edhe fotografi të bëra gjatë bastisjes së shtëpisë së Senatorit në Nju Xhersi.

Prolurori Williams tha se “në disa nga zarfet me para u gjetën shenjat e gishtërinjve të një prej biznesmenëve të akuzuar. Agjentët zbuluan gjithashtu shufra ari të dhënë nga biznesmenët Fred Daibes dhe Wael Hana. FBI-ja, gjithmonë sipas prokurorit Williams, gjeti edhe Mercedesin që biznesmeni i tretë i akuzuar, Jose Uribe u dha atyre”.

Prokuroria federale e Nju Jorkut sqaroi se dyshon që Senatori Menendez mori këto ryshfete që të përdorë ndikimin e tij për të ndihmuar interesat e Egjiptit dhe në të njëjtën kohë të ofrojë mbështetje për biznesmenët e akuzuar.


Top Channel