DETAJET/ Zbardhen 6 vrasje të bujshme! Artan Tafani bashkëpunon me drejtësinë, në pranga 12 persona

0
68

Artan Tafani, tashmë i kthyer në të penduar të drejtësisë ka zbardhur gjashtë vrasje të ndodhura në kohë të ndryshme në vend dhe Greqi.

Ai ishte shpallur në kërkim si autor i grabitjes së një exchange në zonën e Astirit në Tiranë. Hetimet nga policia zbuluan se Tafani është pjesë e grupit të Laert Haxhiut në Lushnjë.

Pas dëshmisë së Tafanit, policia dhe FNSH-ja ndërmorën një megaoperacion në disa qytete të vendit për të shoqëruar personat të lidhura me këto ngjarje kriminale. Pasi u dhanë 15 urdhër arreste, gjatë këtij megaoperacioni ranë në pranga 12 persona, kurse tre të tjerë janë ende në kërkim.

Në pranga gjatë megaoperacionit “Never Forget” ranë Artan Tafani, Erisiana Abedini, Lulzim Spahia, Ligor Romaçka, Bujar Abedini, Bledar Berberi, Mariglen Topuzi, Enriko Xhahysa, Klea Xhafa, Idriz Manaj, Fatjon Haxhiu, ndërsa në kërkim janë shpallur Lorenc Lala, Firdeus Berberi dhe Kristi Bizheku.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamed Rrumbullaku theksoi se Laert Haxhiu, i cili është organizator dhe porositës në këto ngjarje, është arrestuar në Greqi dhe se po komunikojnë me autoritetet fqinje për ekstradimin e tij.

Veç vrasjeve janë zbuluar edhe pesë raste të vënies së tritolit, plagosje dhe tentativa vrasjesh. Sipas Tafanit vrasjet janë kryer në llogari të Laert Haxhiut dhe janë ekzekutuar në disa vende si në Greqi, Elbasan, Korçë, Lushnjë dhe Tepelenë.

Vrasja e Lulzim Qorrit, 12 Dhjetor 2018 në Athinë

44-vjeçari Lulzim Qorri u ekzekutua në një atentat mafioz teksa pinte kafe në një lokal pranë sheshit Omonia në Athinë. Në orën 23:00, dy persona me motoçikletë ndalojnë para lokalit me njerëz pasi luhej një ndeshje futbolli.Autori qëllon me tre plumba në kokë viktimën në distancë të afërt.

Vrasja e Fridmand Xhaferrajt, 13 Maj 2021 në Korçë

Fridman Xhaferraj dyshohet se u vra në qytetin e Korçës e më pas trupi u hodh në rezervuarin e Gjançit. Trupi i viktimës u gjet në rezervuar, ndërsa pista e vrasjes dyshohet larje hesapesh.  25-vjeçari me banim në fshatin Plug të Lushnjës ishte i dënuar më parë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim

Vrasja e Çajup Selimit, 1 Qershor 2021 në Tepelenë

Çajup Selimi u ekzekutua para shtëpisë së tij në Lagjen “15 Shtatori”. Dyshohet se dikush e thirri 52-vjeçarin të dilte dhe më pas e ekzekutoi. Sipas policisë në atë kohë, autorët e vrasjes dyshohet të ishin dy persona. Pista e dyshimit mendohet konkurrenca, për shkak të një biznesi që Selimi kishte në hyrje të qytetit.

Vrasja e Dikens Halilit, 3 Tetor 2021 në Athinë

Dikens Halili u ekzekutua në lokalin në pronësi të tij në lagjen “Agios Panteleimon” në Athinë. 39-vjeçari po fliste në telefon kur një person i paidentifikuar iu afrua dhe qëlloi në drejtim të tij 8 herë me armë. Në vitin 2010, atij iu bë atentat me tritol në makinë, por mundi të shpëtonte. Halili ishte pjesë e një bande që kërcënonin pronarët e “shtëpive të kuqe” në Athinë për t’u zhvatur para

Vrasja e Alban Semakut, 17 Tetor 2021 në Peqin

38 vjeçari Semaku u gjet i ekzekutuar me armë zjarri më 17 Tetor 2021. Ai u vra me dy plumba në trup, një në shpinë dhe një në brinjë. Semaku deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali, ndërsa në Lushnjë ai njihej me emrin “Elton Kinezi”.

Vrasja e Albi Bashaliut, 27 Dhjetor 2021 në Elbasan

35-vjeçari u vra me armë në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Viktima sapo kishte zbritur nga makina e tij për të shkuar në një kafe. Pasi e ekzekutuan Bashaliut i dogjën makinën. Ai kishte precedentë penalë pasi 4 vite më parë kishte qëlluar me armë në drejtim të 2 personave në Peqin. Ngjarja u dyshua për hakmarrje pasi në qershor të atij viti, vëllai i viktimës, Leonard Bashaliu vrau Ylber Xhahysën. Bashaliu u konfliktua për motive banale me Ylber Xhahysën për gërvishtjen e makinës 5 vite më parë dhe dyshohet se ishte ky konflikt që çoi në vrasje.

Kush është Laert Haxhiu?

Shqiptari i shpallur në kërkim për vrasjen e dyfishtë në vitin 2017 është arrestuar në maj të këtij viti pas një ndjekjeje si nëpër filma nga oficerët e Janinës në Greqi. Gjykata e Janinës vendosën ta lënë në burg Haxhiun, i cili u dërgua në burgun e Korydallos deri në paraqitjen e kërkesës zyrtare për ekstradimin e tij. Sipas avokatit të tij, Haxhiu nuk i pranon akuzat për vrasjen në Lushnjë në vitin 2017 me dy të vdekur dhe dy të plagosur dhe nuk dëshiron të ekstradohet pranë autoriteteve shqiptare, por kërkon të qëndrojë në Greqi.

Haxhiu qëndronte në shtetin fqinj me dokumente të falsifikuara. Në lejen e qëndrimit greke, ai mbante identitetin si Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji. Mbi të dënuarin me 18 vite burg nga Gjykata e Lushnjës rëndojnë veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Si ndodhi vrasja e dyfishtë në vitin 2017?

Në 11 tetor të vitit 2017, Xhulio Shkurti ndodhej në një lokal së bashku me shokët Zamir Latifi, Jurgen Hoxha dhe Sajmo Xhelili. Aty afrohen me makinë dy persona të cilët hapin zjarr në drejtim të tavolinës duke lënë të vdekur në vend Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën.

Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi u nisën për të ekzekutuar Xhuljo Shkurtin, nipin e Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës. Plumbat e kallashnikovit qëlluan për vdekje Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën ndërsa shënjestra e atentatit, Xhulio Shkurti mundi të shpëtonte. Prokurorët e SPAK konkluduan se krimi ka pasur si motiv hakmarrjen, referuar një historiku konflikti mes familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut, nisur që gjatë veprimtarisë së bandës famëkeqe të Lushnjës, në vitin 1998. Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht 2020, pasi bashkë me disa persona të tjerë kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotel ‘Volorekës’ në Pogradec. Ndërkohë Orges Bilbili u kap në 10 prill 2020 në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Ai u plagos nga një punonjës policie pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar. Një vit më parë, GJKKO dënoi me burgim të përjetshëm Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin.


Top Channel