“Do hetohen ish-ministra dhe ish-zv.kryeministra?” Dumani zbulon emrat dhe detaje nga dosjet e bujshme të korrupsionit

0
66

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, SPAK në një takim jo formal me gazetarët ka dhënë detaje për dosjet më të bujshme në vend.

Në lidhje me çështjen “Gërdeci” dhe fazën e hetimeve, Dumani tha se është ende në hetim.

“Çështja është në hetim. Nuk mund të them më shumë”, tha Dumani.

Ka patur letër porosi për Gërdecin?

“Kemi nisur një letër porosi, jemi duke bashkëpunuar me SHBA-në”, theksoi ai.

Për dosjen e “Sterilizimit”, ai tha se “nuk kam koment për vendimin e gjyqtarit Bani. E drejta e tij t’i gjykojë si të dojë faktet. Unë kam bindjet e mia për faktet. Çështja është në hetim paraprak”.

Dumani u pyet edhe për dosjen “Metamorfoza”, ku hetimet sipas tij vërtetuan përfshirjen e disa zyrtarëve të policisë dhe prokurorisë me botën e krimit. Ai theksoi se Gjykata e Lartë e Francës, Norvegjisë dhe Italisë kanë vendosur se të dhënat e përfituara nga aplikacioni Sky janë të përdorshme dhe të vlefshme.

A ka politikanë të përfshirë në çështjen “Metamorfoza” dhe a do të ketë të tjerë të arrestuar?

“Nuk ka prova për këtë, as akuza. Çështja është në hetim. Ka shumë punë”, u shpreh Dumani.

Për akuzën në SPAK ndaj ish presidentit Ilir Meta dhe anëtarëve të familjes së tij, Dumani theksoi se janë në pritje të një letërporosie nga SHBA-ja.

Në lidhje me bazën ushtarake në Sarandë, ai u shpreh se çështja është nën hetim.

Një çështje që u diskutua ishte dosja e Kompleksit Partizani, e cila sipas tij “është në fazë hetimi, janë marrë në pyetje persona pas orarit zyrtar? Nuk e kam këtë informacion. Sipas informacionit që kam unë, ka qenë brenda orarit zyrtar”.

Në lidhje me pyetjen nëse ndihen në presion për shkak të toneve të ashpra mes Tiranës dhe Athinës, pas çështjes “Beleri“ ai tha: Nuk jam prokuror i çështjes. SPAK nuk ndihet aspak i intimiduar. Çështja po ndiqet me qetësi. Ka kaluar çështja në tre shkallë gjyqësori. Është njësoj si çdo i pandehur tjetër, për sa kohë i ka siguruar të gjitha garancitë proceduriale.

Vendimet e GJKKO-së për çështjet e inceneratorit të Fierit, ai i quan të drejta. “Në burg kemi një ish ministër dhe një ish deputet. Jam i kënaqur me këtë.”

Në lidhje me pyetjen drejtuar nga Top Channel nëse do të arrihet modeli i Rumanisë, ai u shpreh se në vendin tonë mund edhe të tejkalohet.

“Pse jo, edhe mund ta tejkalojmë”, tha Dumani

Do të hetoni ish ministra ish dhe ish zv. kryeministra?”

“Pse jo”, shtoi Dumani.


Top Channel