Detaje nga plagosja e 34-vjeçares në Durrës/ U deklarua se u qëllua nga nëna, sot përgënjeshtron ngjarjen

0
45

Detaje të reja hedhin më shumë dritë mbi plagosjen e një 34-vjeçareje nga Kameruni natën e kaluar në Durrës.

E punësuar, si shumë shtetas të tjerë afrikanë në Durrës, 34-vjeçarja ka përfunduar në spital me një hemorragji të lartë për shkak të prerjeve në dorë. Paraprakisht, policia vendore deklaroi se 34-vjeçarja ishte dëmtuar në banesë me mjet prerës nga familjarë të saj dhe për të sqaruar situatën i ka shoqëruar të dy personat që jetonin me të në ambientet e komisariatit të policisë së Durrësit për të dhënë shpjegime.

Komunikimi me një anglishte të çalë si nga e plagosura, që ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital, ashtu dhe nga dy personat e shoqëruar ka vështirësuar zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.

E plagosura jeton në lagjen nr.13 të Durrësit, në plazh, së bashku me nënën dhe të dashurin e saj. Ajo është e punësuar në një nga fabrikat në zonën e Shkozetit në Durrës.

Paraprakisht u deklarua se e plagosura kishte deklaruar se ishte qëlluar nga e ëma që jetonte me të, më pas nga komunikimet ka rezultuar se gjatë një konflikti në banesë shtetasja nga Kameruni ka goditur xhamin e një dere duke u vetëdëmtuar.

Gjithsesi hetimet në lidhje me ngjarjen dhe pretendimet e ngritura vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes brenda familjes.


Top Channel