Raporti i ODIHR për zgjedhjet lokale të 14 majit/ Ambasada e SHBA-së: Zbatoni rekomandimet

0
41

Ambasada e SHBA ka mirëpritur raportin e fundit të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit që përshkruan fushat me përmirësim të vazhdueshëm, si dhe mangësitë.

Sipas postimit të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxisin qeverinë, partitë politike dhe institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, të cilat përfshijnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, akuzat për blerje votash nga të gjitha palët, marrjen e masave për të siguruar fshehtësinë e votimit dhe parandalimin e frikësimit të votuesve, si dhe presionin mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit.

Raporti theksoi gjithashtu nevojën për të siguruar zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit në mënyrën e duhur, dekriminalizimin e shpifjes, si dhe mbështetjen e gazetarisë së pavarur.

Shtetet e Bashkuara mbështesin angazhimin për të trajtuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, në mënyrë që të sigurohet një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe konseguent si dhe kërkesat e popullit shqiptar për një demokraci të fortë, thekson ambasada amerikane.


Top Channel