Sa shumë talente në Kombëtare! Silvinjo në vështirësi kë të zgjedhë më parë

0
49

16 nëntor 2022, Shqipëri-Itali, ndeshja e fundit, apo më saktë 50 minutat e fundit të Armando Brojës nën fanelën kuqezi.

Dëmtimi i rëndë për të, erdhi në mesin e muajit dhjetor me klubin e tij Chelsea në Premier League, ligamenti i gjurit të djathtë, është dëmtimi më i rëndë që mund të pësojë një futbollist. Mjafton fakti, që iu deshën 9 muaj kohë për t’u riaftësuar dhe mbrëmjen e djeshme, shënoi golin e parë pas 360 ditësh, thuajse një viti.

Pavarësisht kësaj, atëherë kur dukej se kishim humbur një nga elementët kryesorë, ku hera herës dukej se pa të nuk mund të bënim aq mirë sa duhej, ndryshimi i trajnerit dhe bashkë me të edhe lista na konfirmoi tjetër gjë. Sot Shqipëria me Sylvinhon në stol pas pesë ndeshjesh e sheh veten në krye të Grupit E me 10 pikë: me 3 fitore, një barazim dhe një humbje, apo me 8 golat e shënuar dhe vetëm 3 të pësuar.

Paraqitja shumë e mirë e Jasir Asanit, Taulant Seferit, Myrto Uzunit dhe padyshim Sokol Cikalleshit, të papërmbajtshmit Ernest Muçi, apo zbulimi i ri i Mirlind Dakut, bën të mos ndihet mungesa e Brojës në këtë periudhë.

Por tani Armando Broja është rikthyer dhe këtë rikthim e bëri në sytë e trajnerit të Kombëtares kuqezi Sylvinho, i cili bashkë me prezantimin e tij të parë me të, pas 8 muajsh në krye të pankinës së Shqipërisë, i ka dorëzuar edhe ftesën për të qenë i pranishëm në grumbullim që në ndeshjen me Çekinë, më 12 tetor në Tiranë.

Duket si absurde për atë çka na ka mësuar historiku i Kombëtares kuqezi, por këtë herë Sylvinho më tepër se për lojën në tërësi, do të jetë në “hall” se kë nga këta emra, që po shënojnë thuajse çdo javë, do të aktivizojë në repartin e sulmit. Shqipëria asnjëherë më parë, nuk ka pasur luksin të ketë kaq shumë talente dhe njëkohësisht kaq shumë alternativa për të kontribuar në një tjetër arritje të madhe, siç është ëndrra jonë e radhës, Europiani “Gjermani 2024”.


Top Channel