Ushtarakja e re britanike vrau veten prej ngacmimeve seksuale të pandaluara të eprorit, vendos hetimi (fotot)

0
44

Një ushtarake 19-vjeçare britanike që përshkruhej si “e dashur dhe e bukur”, ka vrarë veten pas fushatës së pareshtur të ngacmimeve seksuale nga eprori saj, u tha sot në seancën hetimore të çështjes.

Jaysley Beck u gjet e vdekur në kazermat e artilerisë britanike Larkhill Camp në rajonin Wiltshire në dhjetor 2021.

Hetimet mbi vdekjen e adoleshentes evidentuan një “periudhë intensive avancimesh të padëshirura nga oficeri saj epror, i cili sipas autoriteteve nuk u emërua publikisht prej arsyeve ligjore.

Ky i fundit ishte përgjegjës për caktimin e detyrave për Jaysley, dhe gjithmonë sigurohej që ata të ishin bashkë.

Jaysley i kishte thënë miqve e familjarëve se e konsideronte eprorin e saj si një shok dhe përpiqej të shkonte mirë, por rrjedhimisht sjellja e tij imponuese u bë e padurueshme.

Në tetor 2021, eprori kishte dërguar të resë më  shumë se 1,000 mesazhe në WhatsApp të shkruara dhe me zë, numër që u rrit deri në 3,500 muajin e mëpasshëm.

19-vjeçarja tragjike kishte një të dashur dhe nisi të dyshonte se po manipulohej nga oficeri, çka e kishte shprehur me miqtë e saj para vdekjes.

Jaysley, nga Cumbria në veriperëndim të Anglisë, punonte në ushtrinë britanike që kur ishte 16 vjeçe.

Duke folur me rrjetin BBC, nëna e saj Leighann Mccready, tha se e bija ishte gëzimi i familjes “që ndriçonte dhomën”.

Por një javë para vdekjes Jaysley kishte mbetur “e trembur e duke u dridhur” jashtë një hoteli në një udhëtim pune, prej sjelljes së shefit të saj ushtarak.

E trazuar ajo i kishte telefonuar të atit dhe një mikeshë erdhi ta merrte, sipas fakteve të dhëna në raportim.

Jaysley ishte ankuar se ndjehej në grackë nga sjella e shefit të saj dhe se nuk dinte si ta përballonte, duke e përshkruar “të papërballueshme e mbytëse”.

Nëna e saj Leighann tha se e kishte nxitur të bijën të raportonte për sjelljen e shefit por për arsye të panjohura Jaysley nuk e kishte bërë.

Ajo shton se bija e dinte procesin e gjatë e të ngadaltë të trajtimit të ankesave të këtij lloji nga ushtria, pasi ishte ankuar më parë për sulm seksual nga një tjetër epror ushtarak.

Leighann tha se e bija ushtarake ishte ankuar më parë kur një burrë “e kishte prekur në mes të këmbëve dhe tentoi ta kapte nga qafa” në barin e një qendre stërvitore.

Incidenti ishte raportuar nga një mike e vajzës por autorit i ishte dhënë vetëm një paralajmërim dhe ishte urdhëruar t’i shkruante një kërkesë ndjese.

Shërbimi hetimor tha se masa e mëparshme dhe sjellja e eprorit të Jaysley “ishin me siguri shkaku i vetë-vrasjes së saj”.

Në të shtohej: “Megjithse kjo sjellje kishte përfunduar një javë para vdekjes së saj, duket se efekti vazhdoi të përkeqësohej duke shembur forcën e saj mendore dhe mirëqenien e ushtarakes”.

Një zëdhënës i ushtrisë tha për rrjetin The Sun: “Mendimet dhe simpatia jonë janë me familjarët e ushtarakes Jaysley-Louise Beck dhe miqtë e saj në këtë kohë të vështirë”.

“Ushtria ka pranuar rekomandimet e shërbimit të hetimit si pjesë e përkushtimit tonë për përmirësimin dhe ruajtjen e sigurisë së njerëzve tanë”.

Zyrtarët thanë se nuk është përcaktuar ende nga hetimet mënyra e saktë e vdekjes së ushtarakes 19-vjeçare.


Top Channel