Pak pritshmëri që Banjska ta ndryshojë agjendën e Samitit të Berlinit – Telegrafi

0
80

Në një kohë tensionesh dhe pak javë pas sulmit terrorist në Zveçan, Tirana do t’i bëjë bashkë liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit. Zyra e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka dhënë detaje në lidhje me agjendën, ndërsa njohës të çështjeve politike në Kosovë dhe Shqipëri, kanë pak shpresë që sulmi terrorist, do të bëhet temë e procesit.

Në mesin e tetorit, Tirana do të jetë nikoqire e Samitit të Berlinit.

Agjenda tashmë është përcaktuar.

Këshilltarja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Odeta Barbullushi, në disa intervista ka treguar se do të fokusohen më shumë tek ekonomia, me disa iniciativa për të lehtësuar tregtinë dhe transportin.

Mirëpo, nuk dihet nëse sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit do ta ndryshojë këtë agjendë. Kjo pasi, zyra e Ramës e as BE-ja nuk u janë përgjigjur Televizionit Dukagjini për këtë çështje

Profesori Dritëro Arifi beson se kjo do të duhej të ndodhte.

“Duhet të ndryshoj edhe qasja e BE-së. Nuk mundet Serbia që t’i marrë fondet e BE-së dhe të sillet në mënyrë joevropiane. Kjo besoj duhet të jetë pika kryesore. Duhet të shkoj pak më thellë, që Serbia të sanksionohet që të mos financohet. Vetëm një sanksionim total i Serbisë mund ta vetëdijesoj që të sillet në mënyrë evropiane”, ka thënë Arifi.

Pritshmëri se sulmi terrorist në Banjskë do të trajtohet në këtë samit nuk ka as analisti nga Shqipëria, Ben Andoni.

“Kam një parashikim që Samiti i Tiranës nuk do të arrij të prevaloj dot mbi gjendjen aktuale. Sepse forca dhe mënyra se si aktorët evropianë të fuqishëm mund të ndikojnë ndaj Serbisë, shikoj që është gjithmonë e më e zbehtë. Sot e kësaj dite nuk kemi një qëndrim të ashpër, përveç qëndrimeve sporadike të zyrtarëve të ndryshëm ndaj Serbisë”, ka thënë ai.

Andoni thekson se pesimizmin ia shton edhe fakti që Shqipëria nuk reagoi siç u prit për këtë rast.

“Kam një indikacion që shteti shqiptar, më saktësisht Presidenti i vendit, nuk është që thirri Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ju e dini që gjithçka që ndodhë në Kosovë ka efekt të menjëhershëm në Shqipëri. Po shoh që vendet e tjera kanë qëndruar pak të baraslarguara nga kjo lloj situatë shumë e ashpër”, ka deklaruar Andoni.

Ndryshimin e agjendës e ka kërkuar kryeministri Albin Kurti, i cili theksoi se pas sulmit në Banjskë, asgjë më nuk duhet të jetë e njëjtë për Serbinë.

Në takimin e fundit në kuadër të Procesit të Berlinit, u nënshkruan tri marrëveshje që ndërlidheshin me njohjen e diplomave, kualifikimeve për tri profesione, si dhe me lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti.

Kjo e fundit, akoma nuk është zbatuar nga Bosnja dhe Hercegovina, e cila nuk lejon kosovarët që të udhëtojnë atje vetëm me letërnjoftim./RTV Dukagjini/