Shkodra e “bandave”/ Formacionet muzikore pushtojnë rrugët e qytetit të mbushura me vizitorë të huaj

0
57

Shkodra, qyteti ku u krijua orkestra e parë frymore në Shqipëri, u bë mikpritëse e takimit ndërkombëtar të bandave frymore.

6 grupet nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, për dy ditë me radhë, e kthyen qytetin në një shesh të madh feste ku bashkë me shkodranët festuan edhe turistët e shumtë.

“Ende nuk kemi parë asgjë nga Shkodra, sepse sapo kemi mbërritur por dëgjuam këtë muzikën e bukur dhe erdhëm këtu. Ishte një mikpritje shumë e ngrohtë për në muzikë e bukur dhe njerëzit miqësorë”, tha turisti.

U surprizuam shumë nga kjo muzikë e bukur në Shkodër. Është hera jonë e parë në Shqipëri po e shijojmë shumë. Çdo gjq është e këndshme”, tha një turist tjetër.

Për artistët, kjo ngjarje muzikore ka rëndësi për Shkodrën dhe të gjithë Ballkanin.

“Bashkimi i bandave nga vendet e tjera të Ballkanit është një tregues shume i mirë për të ardhmen e rajonit tonë. Shpresoj që muzika të përcjellë atë mesazh i cili për të gjithë është shumë i nevojshëm dhe vendi ynë ka shumë nevojë”, tha dirigjenti Samir Kalaja.

“Kultura, traditat, çdo gjë që vlen nis nga Shkodra. Unë kam kënaqësinë që një bandë e re dhe e vjetër njëkohësisht sepse vitin tjetër festojmë 115- vjetorin, vjen në qytetin tim të lindjes dhe janë gjithmonë të kënaqur”, tha dirigjentja  Nevila Kllako.

Tradita që ka Shkodra në muzikë duhet ruajtur dhe trashëguar, thotë kryebashkiaku Benet Beci.

“Tradita, historia dhe trashëgimia jonë për kulturën dhe artin është ajo që ne po shijojmë sot. Do mundohemi t’i forcojmë edhe më shumë, ta rikthejmë edhe më shumë. Këto janë disa ngjarje të rëndësishme për qytetin të cilat do të vijnë duke u shtuar. Mendoj se kanë vendin e tyre këtu sepse Shkodra është vendi i muzikës”, tha Benet Beci, kryetar i Bashkisë Shkodër.

Edicioni i trete i Takimit Ndërkombëtar të Orkestrave Frymore erdhi nën drejtimin artistik të Arben Muçës, Bardhyl Hysës dhe Dritan Mlikës.


Top Channel