Panairi i librit për fëmijë pritet të bëhet tradicional në kryeqytet – Telegrafi

0
65

Është shënuar dita e fundit e Panairit të librit për fëmijë në Prishtinë, organizim ky i cili pritet të bëhet tradicional.

Për katër ditë me radhë fëmijët në qendër të kryeqytetit kanë mundur të informohen për libra të ndryshëm si dhe të blejnë libra me çmime më të ulëta.

Panairi është organizuar nga “Etea” dhe Libraria Dukagjini, me mbështetje të Komunës së Prishtinës.

Përveç shitjes së librave, aty janë ofruar edhe aktivitete të ndryshme për fëmijë. Ndërsa për fëmijët që kanë blerë libra, ka pasur edhe shpërblime.

Aulon Kaqiu nga organizata ”Etea” tha se qëllimi i këtij panairi është që fëmijët të shohin libra të ndryshëm si dhe të shtohet interesimi për leximin e tyre.

“Kemi të kënaqur shumë. Sot është dita e fundit. Qëllimi është me i nxit fëmijët me libra dhe për të bërë aktivitete për fëmijë. Libra ka mjaftueshëm vetëm a i blenë dikush, këtu bëhen joga çdo ditë, joga për fëmijë dhe argëtim për fëmijët, sot përfundon (panairi)” tha Kaqiu.

Ndërsa, Alda Muhaxheri nga “Libraria Dukagjini” tha se interesimi i fëmijëve për libra është shumë i madh, derisa shtoi se librat po shiten me çmime më të ulëta.

“Panairi ka katër ditë që ka filluar, edhe interesimi është shumë i madh sidomos prej fëmijëve. Ka pas aktivitete të shumta, të gjitha janë mundësuar nga organizata ‘Etea’. Nga ne janë organizuar disa evente tjera. Prej fëmijëve ka tepër interesim në çdo libër, më së shumti ka interesim për librat me ngjyrosje, çmimet janë nga më të ndryshmet. Jemi munduar të mos kemi çmime të larta…”, tha ajo.

Esmera Mera e cila kishte dalë të blejë libra për mbesën e saj tregoi se panairet për fëmijë duhet të zhvillohen derisa shtoi se fëmijët duhet të edukohen duke lexuar libra.

“Ishin lojërat në edukatën fizike dhe tani ia mora një libër, mbesa është 4-vjeçare. Nëse ne duam të edukojmë nipat dhe mbesat duhet të këtë panaire të shpeshta, është në të mirën e shtetit, kur i kemi fëmijët e edukuar edhe shteti është i edukuar”, tha ajo.

Edhe prindi Sabedin Hasani u shpreh se përpos panaireve për fëmijët duhet të zhvillohen edhe shumë aktivitete të tjera.

“Panairi është nxitje për fëmijët dhe është argëtim…Panairi është shumë i mirëseardhur edhe duhet të ketë më shpesh…”, tha ai.

Ndërsa nxënësi Endi Nikolla tha se po kërkon librin e tij të preferuar për ta blerë në panair.

“Jam Endi Nikolla, në klasën e tretë në shkollën ‘Don Bosko’ edhe jam duke kërkuar një libër qe e ka emrin Ditari i Grekut”, tha ai.

E Nori, nxënës në klasën e katërt, tregoi se panairi po i pëlqen shumë.

“Emrin e kam Nori, i kam tetë vjet, jam në klasën e katërt në shkollën ‘American School of Kosova’, e kam marrë librin ‘Ditari i Tregut’ edhe i kam krejt librat, edhe shumë e dua”, tha ai.

Ndërsa nxënësi Gent Hajdari tha se panairi ka mjaftueshëm libra.

“Po, ka shumë libra, jam në klasën e katërt”, tha ai. /Kp/Telegrafi/