“Derby della Mole” i takon Juventusit, “Zonja e Vjetër” superiore ndaj Torinos – Telegrafi

0
65

Juventus ka mposhtur Torinon me rezultat 2-0 në atë që njihet ndryshe si ‘Derby della Mole’, ndeshje kjo e vlefshme për javën e tetë në elitën e futbollit italian.

Pjesa e parë ku karakterizua me lojë të qetë, ku të dy skuadrat po prisnin ndonjë gabim eventual të njëra-tjetrës për të kaluar në epërsi.

Vendasit shënuan që në minutën e gjashtë të ndeshjes përmes Moise Kean, por gjyqtari anësor ngriti flamurin lart për pozitë jashtë loje.

Të dy skuadrat më nuk patën ndonjë rast të mirë shënimi dhe shkuan në pushim mes pjesëve me rezultat të barabartë.

Avantazhin ekipit të Juventusit ia dhuroi Federico Gatti në minutën e 47-të të takimit pas një tollovie në zonë, por fillimisht u desh ndihma e VAR-it për të konfirmuar se gjithçka është në rregull.

Epërsinë e vendasve e dyfishoi polaku Arkadiusz Milik i cili u gjend në kohën e duhur dhe në vendin e duhur në minutën e 62-të, duke shënuar me kokë.

Deri në fund të ndeshjes, nuk pati më raste të mira shënimi dhe Juventusi mori fitoren e radhës në ligë dhe të tretën radhazi ndaj rivalit të qytetit Torinos.

Pas kësaj fitore, Juventus gjen veten në pozitën e tretë në tabelë me 17 pikë të grumbulluara, teksa ndeshjen e radhës e luan në udhëtim ndaj Milanit./Telegrafi/