LVV nuk merr pjesë në seancën e Kuvendit – Telegrafi

0
50

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, në të cilën pritet të diskutohet për propozim-rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Shefja e këtij grupi parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se qëllimi i Partisë Demokratike të Kosovës e cila e ka thirrur këtë seancë, por edhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – parti këto që nuk po votojnë asnjë marrëveshje apo projektligj në Kuvend, nuk ka të bëjë me gjendjen e Policisë.

“Që nga java e kaluar Grupi Parlamentar i PDK-së ka tentuar që ta ndryshojë rendin e ditës në seancë për të futur një pikë që ka të bëjë me një rezolutë për kushtet për Policinë e Kosovës. Ne vlerësojmë se qëllimi i PDK-së dhe AAK-së që nuk votojnë asgjë në Kuvendin e Kosovës, pra marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligje me rëndësi jetike për qytetarët, nuk ka të bëjë me gjendjen e Policisë së Kosovës, por vetëm me argumentimin e tyre se Qeveria nuk është e angazhuar sa duhet. Synimi i tyre është pushteti dhe jo interesi i shtetit”, është shprehur Kusari-Lila.