I dorëzoi shtëpinë, paratë dhe zemrën familjes nga Kosova, miqësia që çeli në tmerrin e luftës – Telegrafi

0
79

Marrëdhënia e Sadikut dhe Shpresës, çiftit nga Kosova me Guidon dhe Lilianën shkon përtej miqësisë. Bashkëshortët nga Tirana iu erdhën në ndihmë familjes me 5 fëmijë gjatë vitit 1999 kur Kosova përjetonte periudhën e tmerrshme të luftës.

Me shumë mirënjohje, Sadiku dhe Shpresa rrëfyen në Tv Klan se si u strehuan në apartamentin e vogël me 2 dhoma e një kuzhinë.

Më vonë, erdhi edhe vëllai i Shpresës dhe në këtë shtëpi jetuan 11 vetë për 3 muaj.

Veç kësaj, ishin plot njerëz të tjerë që hynin e dilnin, por në asnjë moment Guido dhe Liliana nuk u ankuan. Kjo është arsyeja pse Sadiku dhe Shpresa kanë ardhur në program, për të shprehur mirësinë e miqve të tyre. Gjatë programit, ata mësojnë se Guido ka ndërruar jetë, por Liliana ndodhet në anën tjetër të ekranit për të marrë mesazhin e tyre.

Sadik: E nderuara Lili! Çka thotë shpirti dhe mendja jonë, e familjes tonë për të gjitha ato të mira që keni ju në botën tuaj, ne nuk mund të shprehim as fjalë, as mirësi sepse jeni më të mirë se çdo fjalë që mund të thuhet. Juve ju kemi ftuar që t’ju bëjmë këtë surprizë, për të marrë mesazh jo ju, por populli ynë nga mirësia juaj. Faleminderit shumë! Ju nuk na keni strehuar vetëm ne, e di mirë ti sa njerëz nga Kosova kanë depërtuar aty. Ju filluan të mësonit emrat e fshatarëve të mi, të njerëzve të mi, të shokëve të mi dhe njerëzve të luftës dhe sa herë jemi takuar, prej 23 vitesh sa herë takohemi, ju i mbani mend emrat dhe pyesni për jetën e tyre, si është ai?

Liliana: Sadik, koha kur unë ju njoha ju sot mua më vjen ndërmend kur hapa derën dhe ajo zonjë që është atje, me Erjonin e vogël 3 vjec, me Rezonin 5 vjeç, me Ritën, me Artën, me Furtunën, të panjohur për mua, unë nuk kisha si ta mendoja ndryshe, përveçse ta hapja portën, ta hapja shtëpinë dhe atë Shpresë unë e bëra zonjë shtëpie që ajo me fëmijët e vet ta ndërtonte vetë jetën si në shtëpinë e saj.

Sadik: Zoti Ardit, më duhet, për pak sa nuk e përmenda një detaj. Pas 2-3 ditësh profesori kishte marrë pagën, rrogën dhe ne një mëngjes u zgjuam, profesori kishte shkuar në punë. Komplet pagën siç e kishte marrë, e kishte lënë në dollap dhe Lili thotë, “Sadiko, shihi këto para, profesori ka marrë rrogën dhe jua ka lënë juve. Merrni sa të doni, tuajat janë, harxhojini”.

Ardit Gjebrea: Liliana!

Liliana: Urdhëro!

Ardit Gjebrea: Jo 3 muaj, por 3 ditë, 11 vetë në një shtëpi me 2 dhoma e një kuzhinë dhe ka një moment që del edhe një psherëtimë.

Liliana: Jo! Jo penduar që nuk ka ndodhur, por kurrë mos ardhshin ato ditë dhe në foto, se atëherë s’kishte telefona, ne kemi pasur netë që në shtëpinë tonë ka pasur edhe 30 vetë sepse Sadiku qëndronte te “Asllan Rusi” që lidhej me Kukësin për të parë se cilët kosovarë, cilat familje kishin ardhur në Tiranë. Sadiku u bë një menaxher i mirë i situatës për qytetarët e vet, për të njohurit e vet, për fshatarët e vet. Ai i rregullonte, i sistemonte, i drejtonte për në pikat ku merreshin ndihmat. Unë te këta njerëz kam parë dhe kam mësuar se njerëzit duhet të duhen.