Tifozët e Belgjikës dhe ata të Suedisë mbesin të ngujuar në stadium shkaku i sulmit të dyshuar terrorist – Telegrafi

0
48

Tifozëve të Belgjikës dhe Suedisë u është thënë të qëndrojnë në stadiumin kombëtar të belgëve pasi dy suedezë u qëlluan për vdekje në një sulm të lidhur me terrorizmin.

Ndeshja kualifikuese për Euro 2024 mes Belgjikës dhe Suedisë u ndërpre në pjesën e parë pasi “lojtarët vendosën se nuk duan të vazhdojnë lojën, për shkak të asaj që ndodhi në Bruksel”, thuhej në një njoftim të stadiumit.

Ende asnjë i dyshuar nuk është arrestuar, ndërsa policia e armatosur ka rrethuar vendin e ngjarjes.

Një zëdhënës i policisë konfirmoi se dy persona ishin vrarë nga të shtënat, por nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.

Qendra Kombëtare e Krizave në Belgjikë ngriti alarmin për terror në qytet në nivelin më të lartë të hënën mbrëma. Ajo është zhvendosur në vendin e dytë më të lartë për pjesën tjetër të Belgjikës.

Të shtënat ndodhën pranë bulevardit d’Ypres – në një zonë në veri të qendrës së qytetit të Brukselit.

Videoja e raportuar për incidentin tregon një person të armatosur me një xhaketë dhe një helmetë të bardhë duke ndjekur një burrë në një ndërtesë. /Telegrafi/