SHPËRNDAJE

Bleona

“Forbes”, një nga revistat më të njohura të globit, i ka kushtuar një artikull këngëtares shqiptare, Bleona Qerreti, dhe sukseseve të saj në nivel ndërkombëtar
Ajo që njihet thjesht si “Bleona”, e që është quajtur edhe “Madonna e Shqipërisë”, ka një vetëbesim të papërkulshëm e perfomanca provokuese, shkruan “Forbes”.

Ka nxjerrë 8 albume deri tani, thotë se ka shitur 1,5 milionë kopje, ka fituar një sërë çmimesh muzikore, ka dalë në kopertinat e mbi 35 revistave, e ka performuar para miliona adhuruesve në mbarë botën.

Për revistën e njohur, ajo çfarë e dallon rritjen e “Pop Star”-it në nivel global nga të tjerët, është modeli ekonomik: Bleona është një artiste e pavarur dhe e vetëfinancuar. Pikërisht mënyra që ka ndjekur për të bërë përpara në këtë industri, ka qenë thelbësore në përvijimin e karrierës së saj.

“Duke përdorur fondet e mia në vend të atyre të markave, jam bërë bos-ja e vetes”, thotë brunja bukuroshe. “Kam kontroll të plotë mbi kreavititetin, stilin muzikor, stilin e videos, çfarë dua të vesh, e së fundi edhe si dua ta prezantoj veten në tregun global”.

Këngëtarja kujton se, të bëhesh pjesë e një marke të caktuar bart gjithmonë në vetvete rrezikun, që një artist të paraqitet përpara fansave të tij si diçka që nuk është në të vërtetë, e këtë aspekt të karrierës së saj ka ndërmend ta ruajë të paprekur.

“Marka ime, rregullat e mia”, është motoja e Bleonës.