SHPËRNDAJE

Këto ditë, revista e ilustruar britanike History Today e cila që nga viti 1951 botohet çdo muaj, gjithnjë me synimin që një audience sa më të gjerë t’i prezantojë një interpretim serioz dhe autoritativ të historisë, në edicionin e vet online, ka paralajmëruar botimin e një shënimi për librin e Blendi Fevziut, të botuar së fundmi në anglisht me titullin “Enver Hoxha: The Iron Fist of Albania”.

Shënimi, për botimin në anglisht të librit të Fevziut, (Albania’s Executioner Unmasked), që do të botohet në volumin 66 të History Today (do të dalë në shitje më 8 gusht 2016) është shkruar nga Richard Hodges, President i Universitetit Amerikan të Romës (AUR), themeluar në vitin 1969. Duhet theksuar se ky universitet nuk është amerikan veç në emër, por është pjesë e pandashme e traditës amerikane të arsimit të lartë; ndër të tjera, duke u konsideruar si pjesë e District of Columbia (territori që s’i takon asnjë shteti federal amerikan, pasi aty është i vendosur kryeqyteti), ndërkaq selinë akademike e ka në Romë. AUR konsiderohet si vazhdimësi e natyrshme e përpjekjeve civile për të krijuar dhe rritur lidhjet midis Amerikës dhe Europës në angazhimin e përbashkët kundër fashizmit dhe të gjitha diktaturave tjera. Me fjalë të tjera, fjala është për një shënim/vlerësim serioz, nga një autoritet serioz, botuar në një revistë serioze, për më tepër, një revistë serioze ekskluzive për çështje të historisë, të njohur dhe të pranuar botërisht si e veçantë në mesin e botimeve të kësaj fushe.

Dhe jo pa qëllim e vë theksin në të gjitha këto pika, sepse, sipas mendësisë tonë arkaike, super-theksimi i epitetit “serioz” sikur ia rrit vlerën një gjëje, edhe pse, personalisht, mendoj se kjo është një marrëzi e jona e llojit të vet. Në rastin konkret, as History Today dhe as Universiteti Amerikan në Romë as që lodhen shumë për atë nëse unë, apo dikush tjetër nga bota jonë shqiptare, i trajtojmë ata si “mjaftueshëm serioz” apo jo! Në frymën e traditës më të mirë akademike / intelektuale britanike dhe amerikane, ata merren veç me fakte. Dhe trajtimi i veçantë te libri i Fevziut për Enver Hoxhën përbën një fakt.

Si njëri prej atyre që, në vjeshtën e vitit 2014, u pata përshfirë në një debat (tipik) shqiptar rreth librave të Fevziut për Enver Hoxhën dhe Ahmet Zogun, përkundër faktit se, në ndërkohë, ka pasur mbi njëzet shkrime në gazeta e mediume botërore (përfshirë BBC, the Guardian etj) për librat e Fevziut, si dhe shënime personale në “Twitter” nga autoritete si Simon Montefiere, ish-gazetar dhe një nga autorët më të vlerësuar të asaj që quhet Popular History, nuk kam dashur që të komentoj rreth asnjërës prej tyre. Ato që të gjitha ishin shkrime/mendime/komente të botuara kryesisht në gazeta e forume, d.m.th janë brenda proveniencës profesionale të vetë Fevziut.

Enver-01

Ndërkaq, shënimi te History Today është një gjë krejtësisht tjetër.

Pos që është një revistë shumë serioze brenda fushës akademike të historisë, History Today paraqet edhe një nga shtyllat e traditës më të mirë intelektuale britanike. Themeluar nga Brendan Bracken, ministër i parë britanik i informacionit i pasluftës së Dytë Botërore, që, ndër të tjera, gjatë karrierës së vet ka shërbyer edhe nën Uinston Churchill-in, History Today ka nxjerrë edhe volumet prestigjioze History Review të dedikuara ekskluzivisht për audiencë akademike. Me një fjalë, History Today paraqet majat e asaj që mund ta cilësojmë si mendim serioz e shkencor në fushën bashkëkohore të historisë. Fakti që një revistë e tillë, që është institucion në vete, vendos të vlerësojë një vepër hulumtuese të njërit nga ne (Fevziu megjithatë është një nga ne), nuk është aspak diçka e vogël. Përkundrazi!

Dhe gjithë kjo më bëri të reflektoj për marrëzinë, thuajse komike, që rëndom i përfshin të gjitha debatet tona.

Në frymën e traditës (më të keqe) intelektuale shqiptare, debati i vitit 2014 rreth librave të Fevziut, shumë pak u përqendrua te vlera/rëndësia e mundshme e këtyre botimeve, por, çuditërisht, u fokusua rreth asaj nëse Fevziu, si gazetar, ka të drejtë të merret me këto tema dhe debati përfundoi te konstatimi (bizarr) se Fevziu paska lënë në hije punën e akademikëve të historisë. Për mua, në një formë, ky debat pati shpërfaqur prirjen e tonë të brendshme që shoqërinë tonë të vazhdojmë ta rregullojmë sipas normave tipike për diktatura apo regjime autoritare. Një gjë që vërtet është për keqardhje dhe dëshmon se, përkundër deklarimeve tona dhe veshjeve e paraqitjeve chic, ne vazhdojmë të jemi orientalë e monistë të fshehtë dhe se atë që e deklarojmë si mendim intelektual tonin, e kemi të cytur nga shtytje të ulta provinciale që buthojnë nga smira e xhelozia gati edhe primitive. Natyrisht, ky kualifikim nuk i përfshin të gjithë ata që u patën bërë pjesë e këtij debati, sepse p.sh reflektimet e Mustafa Nanos, Ardian Vehbiut e disa të tjerëve rreth kësaj teme, përmbanin ngacmime të dobishme intelektuale, të domosdoshme për çdo reflektim e analizë.

Gjatë debatit për librat e Fevziut, në shkrimet e mia, pata mbrojtur tezën se librat historikë të Fevziut duhen parë brenda zhanrit të vet unik, ajo që cilësohet si Popular History që është një lloj nënzhanri i asaj që bota e cilëson si Creative NonFiction. Asokohe, por edhe sot, tendencën për të parë Fevziun në petkun e dikujt që po ua marrka punën akademikëve të historisë apo po i lënka ata nën hije, më është dukur absurd, por edhe komik. Për më tepër, e kam përjetuar si dëshmi të hidhur se, si shoqëri, ne akoma lundrojmë në ujëra të trazuara, jashtë rrjedhave normale bashkëkohore që sot janë standart në botën normale.

Por Richard Hodges nuk ndikohet nga marrëzitë tona, sepse ai e ka fatin jetësor që të mos jetë pjesë e tyre. Në shënimin e vet, Richard Hodges asnjëherë nuk i referohet Fevziut si një historian, përkundrazi e cilëson ashtu siç është ai vërtet, një gazetar i politikës, por, gjithsesi, punën e tij te libri për Enver Hoxhën, Richard Hodges e vlerëson si “një përpjekje guximtare për ta analizuar këtë përbindësh (Enver Hoxhën)”. Richard Hodges po ashtu e pranon si të drejtë dhe korrekte metodologjinë krijuese të Fevziut; Hodges thekson se Fevziu është bazuar në memoare bashkëkohësish të Hoxhës, dokumente nga arkivi i shtetit shqiptar dhe në intervista me të mbijetuar nga kampet e internimit. Me fjalë të tjera, Richard Hodges nuk e lartëson Fevziun në piedestalin e historianit, siç u pat bërë temë një trajtimi të kotë te ne, por e vlerëson atë brenda proveniencës së tij si gazetar guximtar hulumtues, ndërkaq librin e Fevziut e vlerëson dhe e dallon si një pikë të domosdoshme reference për çdo studiues (akademik) serioz që në të ardhmen mund t’i qaset studimit të Enver Hoxhës dhe Shqipërisë së tij.

Konsideroj se ky shënim te History Today përbën një lajm të mirë për të gjithë ne, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo Fevziu dhe libri i tij. Është një lajm i mirë për komunitetin intelektual në Shqipëri si dhe një hap më shumë drejt integrimit tonë kulturor e intelektual në habitatin tonë të natyrshëm, atë europian. Po ashtu do të duhej të përbënte një rast të mirë reflektimi për të gjitha marrëzitë e debateve tona, një rast i mirë që debateve të ngjashme, në të ardhmen, t’i qasemi më me shumë racionalitet dhe dashamirësi intelektuale për njëri-tjetrin. Në fund të fundit, ne, që e cilësojmë veten intelektualë, deshëm apo nuk deshëm, krijojmë standartin (të mirë apo të keq) që, në heshtje, ndjekin të tjerët.

Shkruan: Albatros Rexhaj

(Autori është shkrimtar. Ky shënim është krejtësisht personal)