SHPËRNDAJE

 
të drejtë. Ka çaste kur zotrote, pa qenë i vetëdijshëm se ç’ mund të të ndodhë në çastine ardhshëm,e humb drejtpeshimin dhe katandisesh nën rrotat e një makine dhe mbetesh pa duar, pa këmbë e pa ndonjë gjymtyrë tjetër trupore, edhe ate, jo për fajin tënd, po për fajin e tjetërkujt. Kjo më ka ndodhur mua, andaj po ta dëftoj ngjarjen, që ta kuptosh se njeriu, duke i marrë mbi vetehallet e tjerëve,shpesh herë bie viktimë e tyre…
Ishte dimër, pat rënë një borë e madhe, dhe e vetmja rrugë për të dalë në aeroportin e Kopenhagës, ishte – metrua.Mora valixhen, një valixhe të madhe ngjyrë lulëçimke, dhe zbrita në Stacionit Qendror, ku po prisnin me qindra udhëtarë tjerë, njësoj të shqetësuar si unë, sepse trenat ishin të vonuar dhe mundësia për ta kaluar natën e krishtlindjeve në aeroport ishte e madhe. Për të qenë e keqja edhe më e ngjethshme,jo vetëm unë, po dhe shumë të tjerë,kishim zbritur një platformë më tutje dhe e vetmja mënyrë për ta korrigjuar gabimin ishte të ngjiteshim përsëri lartë, të bënim nja tridhjet metra para, dhe pastaj të zbrisnim me shkallë automatike në platformën përkundruall.Deri sa po prisja pranë shkallëve që vinin dhëmbë – dhëmbë dhe zhdukeshin nën këmbët e mia, përpara më del një plakë e ngarkuar me dy valixhe të mëdha dhe hip në shkallët që ngjiteshin përpjetë. Edhe unë e ndoqa shembullin e saj dhe gjithçka do të shkonte për mrekulli,sikur zonja e lartpërmendur, një flokëbardhë e thatë, pasi u ngjitëm nja gjashtë a shtatë metra lart, të mos e humbte drejtpeshimin dhe të shembej mbi mua.
Ҫfarë mund të bësh në një çast të tillë? Ta lëshosh valixhen dhe ”lap topin” në shkallë dhe ta mbash plakën që, bashk me valixhet e saj, po përplasen mbi mua? Do t’ ishte një mrekulli e madhe sikur ta kisha parashikuar atë ngjarje, por duke qenë se kjo ndodhi në çast dhe s’ kisha kutë mbahem, u rrokullisa dhe unë teposhtë. Unë – i pari, me valixhe e laptop në dorë, ajo – pas meje, me të dyja valixhet që u rrokullisën para nesh…
N’ ato çaste, deri sa po rrëshqisja barkas teposhtë dhe po u bija shkallëve me duar eme brryla,gjithë kohën i përcjellë nga çirrmat e asaj fatkeqes, s’ isha në gjendje të mentoja asgjë. Të gjitha shpresat, si të bardhat, ashtu dhe të zezat, që rëndomt na mbajnë në jetë e na nxitin të gdhihemi në mëngjes, të pijmë kafe, të lahemi, të vishemi bukur, të dalim në punë, të punojmë etë luftojmë për një jetë më të mirë, i kishin marrë malet. Fatlumnisht, ajo pati fatin të degdisej mbi njërën nga valixhet e saj dhe nuk pësoi asgjë, ndërsa unë memzi që u shkëputa nga ai konvejeri i mallkuar që grinte me shkallët e tij të metalta. Tani që isha ngritur në këmbë e po shikoja rreth e përqark me sy të mjegulluar, e ndjeva shijen e gjakut, gjegjësisht shijen e vdekjes, në buzë.
Një burrë ma zgjati një pecetë të trashë dhe ma afroi valixhen pranë. Sëpari n’ ato çaste e kuptave qëua kisha kallë datën atyre që po më rritin pranë.
” Ta thërras urgjencën?” më pyeti burri.
” Jo, jo,” i thash. ”Jam për rrugë.Nëse duhet të vdes diku, preferoj të vdes atje ku jam nisur…”
Ashtu i thash atij bashkudhëtari të cilin kurrë s’ e kam parë edhe një herë në jetë.
Mos ma merr për të madhe që fillova kështu. Duke u nisur nga vetvetja, deshta ta kujtoj se njeriu, sado i trashë të jetë nën kapakun e kokës, duke u ballafaquar me çudirat e jetës, të cilatna çfaqen herë si ëndrra, herë si zgjëndrra, përjeton lloj lloj vdekjesh. Sikur të vdisja atë ditë, vdekja ime do të quhej “e papritur” dhe unë, gjatë kohës që po rrokullisesha nëpër dhëmbët e asaj makine mizore,nuk do të kisha as më të voglën shansë për të kujtuar as ty, as miqët tjerë, të cilët i kam dashur edhe atëherë kur më kanë tradhtuar. Mjerisht, jeta ynë paska edhe vdekje tjera, vdekje që ndodhin në mënyrën paskajore, gjatë së cilave ne çohemi në mëngjes, pimë kafen e rëndomtë, marrim bicikletën, dalim në punë, mbajmë ligjërata, flasim për Naimin, flasim për Lazgushin, por pa ndonjë ngazëllim që jemi gjallë dhe pa ndonjë pikëllim qënjë ditë do të hamë dhe askujt s’ mund t’ i ankohemi që edhe lagështia e varrit është e bezdisshme. Këtë vdekje enjihnin rapsodët e Mesjetës shqiptare dhe, sa herë që e ndienin shijen e saj në gojë, fillonin e këndonin për Gjergj Elezin, sepse ai, Gjergj Elezi, ai fisnik i varfër shqiptar,sikur të mos i ndiente lotët e motrës së dashur, nuk do të mësonte se çfarë po e hante nga brënda dhe fare lehtë mund të shkonte në botën tjetër…
Nejse, para se të eci më tutje, dua ta kujtoj se si sot, – ashtu dhe atbotë kur ma dërgove listën e pyetjeve tua– të jam mirënjohës që më nxite ta shkruaj këtë rrëfim dhe t’ iu dal hakut atyre që s’ dinin të shkruajnë e këndojnë shqip dhe punuan pesë vite me radhë për Flamurin Kuq e Zi. Vetë egzistenca e një shteti që sot quhet Republika e Kosovës dhe ajo republikë ka një territor, ka një gjuhë zyrtare,dhe ka një një popull që flet në gjuhën e Gjergj Kastriotit, dëshmon se lufta ynë ishte e drejtë dhe në shërbim të atyre që një një ditë edhe do të vdisnin për te. Të gjithë ne, që flasim shqip dhe e quajmë veten shqiptarë, jemi borxhllinj dhe, sitë mirët, ashtu dhe të kqinjtë, nëse ndonjë herë s’ i kemi shërbyer si duhet,duhet të përgjunjemi dhe t’ i kërkojmë falje. Të gjithë të tjerët– dhe kjo vlen si për mua, ashtu dhe fëmijëte mi – që preferojnë t’ i thonë bukës pan, pane, bread,psomi, ekmek, hleb e talk – s’ kanë tjera obligime pos të na lënë të qetë dhe të shprishen sa më shpejt me ata që iu duken më të fisëm.
Aty nga fundi më kishe pyetur sa vijon:
“ Cilat ishin arsyet që të prekën aq shumë sa që ti, ndryshe nga tjerët, ike në vetmi dhe njëzet vjet me radhë nuk fole me ata, me të cilët e kishe ndërtuar Shoqatës Kulturo – Artistike “Kosova”, edhe pse ata flisnin mirë për ty dhe gjithmonë të ftonin në mbrëmjet që organizonin për ”punëtorët e inkuadruar përkohesisht në Botën e jashtme?”
Pyetje e mirë, vëlla. Pyetje që të shpie nja njëzetmijë mila nën detë dhe nuk të nxjerr n’ asnjë ishull. Njësoj si ta pyesësh Adem Demaçin pse s’ i ka shkruar nja tridhjetë romane gjatë kohës që kalbej në burgjet e Jugosllavisë Titiste? Njësoj si ta qortosh Petro Markon që e shkruajti Hasta la Vistën,edhepse ata që Petrua i mentonte heronj, ishin kriminelë dhe sherbëtorë të Dushan Mugoshës.
Unë e kuptoj Petro Markon. Unë e kuptoj dhe Adem Demaçin. Unë i kuptoj të gjithë ata që kanë dalë nga ferri dhe s’ donë ta kujtojnë egzistencën e tij, edhe pse ferri, mjerisht, egziston dhe ne s’ kemi tjetër armë pos përbuzjes dhemohimit.Të shkruash për diçka të ka fyer, të ka ofenduar, të ka shkelur, të ka lënë pa gjumë, të ka vrarë në shpirt e të ka përcëlluar si një insekt të parëndësishëm – ështëndërmarrje e palezetshme dhe duhet guxim për t’ u ulur para para kompjuterit dhe për ta mbushur ekranin e tij me fjalë të buta e të përshtatshme.
Në do ta dish të vërtetën, të gjitha këto që do t’ i shkruaj këtu më poshtë kanë qenë të shkruara edhe një herë më parë. Saktësisht se si kanë ndodhur me orë, me ditë e me muaj gjatë viteve 79, 80 e 81.
Atëbotë, shumë muaj para mbledhjes vjetore të Shoqatës Kulturo – Artistike ”Vëllazërimi”, unë bëja detyrën e zëvendësdrejtorit në tri shkollat që gjendeshin në perendim të lagjes Rosengord dhe isha i detyruar të shënoja thuajse gjithëça që ndodhte rreth e përqark meje. Jo vetëm ato që thuheshin në mbledhjet e arsimtarëve dhe vendimet që merreshin n’ ato mbledhje, po dhe masat që duheshin marrë me nxënësit e dobët, burimet materiale që duheshin kërkuar nga Ministria e Arsimit, raportet e ndryshme që vinin nga Zyra për Mirëqenie Sociale, gjërat që thuheshin në mbledhjet e Shoqatës, kërkesat e ndryshme që i vinin SIM- it nga shoqatat, si dhe debatet tonë familjar lidhur me gjuhën që duhej të përdorej në shtëpi. Nëse ngjarjet tjera i shënoja në vija të shkurtëra, më shumë si fusnota të dokumenteve që na vinin nga organet qeveritare, fërkimet tona familjare i shënoja në vija të gjata, edhe ate, me një korrektësi të zjarrtë, për arsyen e thjeshtë se ato dilnin prej rrethit tim familjar dhe më godisnin mua dhe njerëzit me të cilët ndaja bukën dhe kripën. Unë, përndryshe, kam qenë gjithmonë i ndërgjegjshëm se ne, qeniet njerzore, nuk jemi të pagabueshme, dhe atë çast që i kuptojmë gabimet e kërkojmë falje, të keqes ia zëmë gjysmën e rrugës. E gozhdojmë në vend. Nuk e lëmë t’ i infektojë tjerët…
Ka mundësi që shumë njerëz, midis tyre edhe shkrimtarë të talentuar, që shkruajnë vetëm e vetëm për ta gdhendur talentin e tyre, por ky nuk ishte rasti me mua. Unë jetoja dhe veproja në një shoqëri që s’ kishte as më të voglën kurreshtje për fjalën dhe kulturën shqiptare. Unë, edhe sikur t’ i shkruaja nga dhjetë novela në javë, s’ kisha ku i botoja, sepse Kosova dhe Shqipëria i kishin mbyllur dyert për mua, Kosovë Rexhë Balën dhe disidentët tjerë shqiptarë. Unë mbaja shënime për nevojat e mia të përditshme dhe për t’ u shërbyer sa më mirë atyre që më kishin punësuar. Mu për ketë arsye, sa herë që e mbaroja ditën, pa marrë parasysh se ku isha, në zyrën e Seksionit ”Shote Galica” apo studion private, i shenoja gjërat më të rëndësishme të ditës dhe i ngjisja në dosjet përkatëse.
Ҫka s’ kisha n’ atë studion time, të cilën vetë e fshija dhe vetë e mbaja në rregull? Aty kisha nja dhjetë dosje të revistës ”Albania”, të cilën e kisha kopjuar faqe për faqe… Aty kisha një komplet të revistës ”Nëntori” të cilën e kisha gjetur dhe e kisha marrë falas nga Instituti i Gjuhëve Romane.. Aty kisha tri dosjet e romanit ”Udhëkryqi”, të cilin e kisha shkruar pastër dhe e ruaja për të ardhmen… Aty kisha dosjet e Shoqatës Kulturo – Artistike ”Vëllazërimi”… Aty kisha dosjet e Organizatës SIM… Dhe aty kisha nja tri dosje ku kisha shënuar fjalën ”Qorrsokaku”… Si emri, ashtu dhe faqet, me të cilat ikisha mbushur ato dosje, s’ ishin veçse plagë të cilat I gërvishja ditë për ditë, por pa mundur ta shquaj një rrugëdalje me xhade të hapur… Më vonë, kur do të pëllcisnin zënkat e mia me Organizatën Qarkore Jugosllave rreth pjesëmarrjes së një shoqate kroate në Festivalin e Kulturës Ndërkombtare, si dhe dilemat e mia për t’ u ndarë apo për të jetuar me Ninën,bashkshorten time, të tria dosjet që i kisha shkruar me dorë e shkronja shtypi, i futa në një kuti dhe shenova një fjali absurd: Anatomia e një shkurorëzimi…
Me sa duket, ndarjet, udhëkryqët e dramat kanë qenë tema që gjithmonë më kanë shqetësuar. Se si erdhi një çast kur unë, pa mentuar mirë, i mora të tria ato dosje dhe i hodha në gurmazin e një kontejneri, do të dëftoj kur të vijë koha, ndërsa tani dua të kthehem në vjeshtën e vitit 1978 kur unë, Nebih Bushi e Adil Zhuta, të prekur nga intrigat e dallaveret e ”jugofilëve” shqiptarë, aty për aty dhamë dorëheqje dhe i lamë matrapazët të lirë në punën e tyre.
Vendimi ynë s’ ishte pa pasoja. Hiç më shumë se dy – tri javë më parë, mbledhja vjetore e shoqatës kishte marrë tre vendime të rëndësishme. Në dorë të parë, shoqata ndërroi emër dhe aty e tutje do të quhej Shoqata Kulturo – Artistike “Kosova”. Në radhë të dytë, ajo vendosi që s’ ishte jugosllave por shqiptare dhe, menjëherë pas mbledhjes vjetore, e njoftoi Lidhjen e Shoqatave Jugosllavese dilte nga radhët e saj. Në radhë të tretë, mbledhjet e saj vjetore, gjithmonë do të fillonin me hymnin e Flamurit kombëtar.
Tani që kryesia mbeti në duart e Safet Ҫelës, Ajet Abdyl Latifit e Izet Izedinit, si unë, ashtu dhe Nebih Bushi, e dinim se ajo kryesia tjetër, e përkrahur nga zyrtarët e Legatës Jugosllave, menjëherë do të merte masa për ta kompletuar veten, për ta riantarsuar shoqatën në Lidhjen e Shoqatave Jugosllave dhe, sipas vendimeve që do të merreshin më vonë, për t’ u çantarsuar nga organizata SIM.Duke qenë se aty e tutje s’ isha as anëtar kryesie, unë, sipas parimeve demokratike, duhej të jepja dorëheqje edhe nga kryesia e SIM-it. Me kaq, nuk mernin fund vetëm përpjekjet tona për ta avancuar çeshtjen kombëtare, por merte fund edhe koncepti “albansk förening” në mesin e shoqatave të huaja. Që Shoqata Kulturo Artistike “Kosova” do ta ndiqte atë rrugë dhe do përfundonte në pirgun e plehrave, e dija qind për qind.Ajo që nuk e dija n’ ato çaste ishte data kur duhej të jepja dorëheqje nga kryesia e organizates SIM. Pa marrë parasysh ato që kishin ndodhur në Shoqatën Kulturo Artistike “Vëllazërimi”, mirësjellja e donte që unë, si kryetar i SIM-it, të luftoja deri në fund për interesat e saj.
Pikërisht n’ ato çaste vendosa të konsultohem me miqët e mi Vladimir Rozijan dhe Miguel Sengho da Kosta. Vladua s’ kishte kohë të vinte në mbledhje, por ishte i mendimit që duhej të prisja, edhe ate, për shkak se zgjedhjet e SIM- it bëheshin në behar të vitit tjetër. Ndërkohë, për t’ iu shmangur thashethemeve të Legatës Jugosllave,bëja mirë t’ ia dorëzoja një pjesë të detyrës kolegut tim portugez Migul Sengho dhe të vazhdoja deri në mbledhjen e shoqatave, kur mund të zgjidhej një kryetar tjetër.
Atëbotë jetoja në Söderkula. Pas një debati të gjatë e të pakëndshëm me Ninën, gruan time, se në cilën gjuhë duhej të flisja me vajzat,e pash që kishte ardhur koha për t’ u ndarë.Unë s’ kisha asnjë ankesë kundër saj,kurrë s’ ishim sharë, kurrë s’ ishim zënë, kurrë s’ e kishim ofenduar njëri tjetrin, por sa i përket të ardhmes së përbashkët kishim botëkuptime të ndryshme. Unë, pa marrë parasysh që kisha jetuar me vite në Suedi, nuk mundesha të ndahem nga popull im. Asaj, pra, këmbëngulja ime i dukej qesharake. Qysh ishte e mundur që vajzat tona duhej të flisnin edhe shqip, edhe suedisht, kur ato kishin lindur në Suedi dhe nënën e kishin suedeze, gjyshen dhe gjyshin e kishin suedez, dhe asnjëri nga kushërinjtë e tyre nuk e dinte shqipen. Kjo ishte një shkapërderdhje me kohën.Ҫa do të ndodhte me gjithë ata shqiptarë, italianë, francezë e suedezë që kishin ikur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sikur të mos integroheshin në shoqërinë amerikane? Ne, edhe sikur të donim, s’ kishim ndonjë shansë të jetonim në Kosovë apo Shqipëri. Vajzat bënin mirë ta mësonin suedishten, anglishten e gjermanishten, se shqip mund të mësonin edhe kur të rriteshin…
Fërkimet tona rreth kësaj çeshtjeje patën filluar herët, por tani morën përmasa të reja, herë pas here dhe ofedunduese. Për herë të parë, pas kaq vitesh, ime shoqe nxori në pah fytyrën e vërtetë të ”integrimit suedez” dhe më dha të kuptoja se edhe ky elaborat, njësoj si elaboratet e Mbretërisë Jugosllave, kishte për qëllim asimilimin e emigrantëve shqiptarë, grekë, turq e latino-amerikanë. Unë kisha dy vajza që ishim gjysmë shqiptare dhe gjysmë suedeze, por Suedia, ndonëse më mbante me rrogë, s’ jepte shumë lekë për gjuhën dhe kulturën e prindërve të mi, pasi që asaj s’ i duheshin nacionalistë shqiptarë, por një krah i talentuarpune. Të mos flas për ndërhyrjet e vjehrrit dhe vjehrrës sime! Ato më preknin aq shumë, saqë një ditë, deri sa po kalonim pushimet në shtëpinë e tyre verore, i mblodha plaçkat dhe ika në Malmoe, thellësisht i pezmatuar nga botëkuptimet e tyre konzervative. Këtë herë s’ ishte në pyetje gjuha shqipe, po dhe të drejtat e popujve të vegjël në përgjithësi.
Mjerisht, unë isha prind dhe s’ mundesha ta braktis vaporin pa qenë i sigurtë se të gjithë kishinikur nga anija. Duhej të bëja gjithçka që dy vajzat e mia, përpos mungesës fizike, të mos ndieninasnjë mungesë tjetër. Edhe pse nëna e tyre ishte kandidate e filozofisë, kishte rrogë të mirë dhe dy prindër të pasur, unë, në përputhje me avokatin e saj, rash dakord që muaj për muaj, konform Ligjit suedez, t’i jap një shumë të arsyeshme materiale dhe kërkova t’ i takoj vajzat e mia rregullisht. Me pak fjalë,s’ kishim aspak nevojë t’ i drejtohemi Gjyqit apo ta ofendonim njëri tjetrin. Bash përkundrazi, ndarja ynë ishte shumë paqësore dhe unë, përpos librave që kisha blerë me lekët e mi, nuk mora asgjë nga shtëpia. Dhe atë premtim e kam mbajtur deri sa vajzat e mia u bënë të mëdha dhe s’ kishin nevojë për ndihma materiale.Unë s’ e mbaj mend një here të jem zënë me to, muaj për mua i kam përmbushur detyrimet e mia dhe, për çdo pashk apo krishtlindje, i kam kujtuar me peshqeshe e me lekë. Tek tani që i kanë kaluar të tridhjetat e kanë krijuar familje kemi filluar ta neglizhojmë njëri tjetrin. Sepse këto i paska jeta.
Apartamenti që kisha blerë në rrugën Tornfalksgatan ishte i përshtatshëm për nevojat e mia. Ai kishte një dhomë të madhe, dy vitrina të librave, një krevat dhe një banjo. Qiraja ishte e ultë dhe pista që çonte deri në Rosengord kalonte përskaj ballkonit tim. E vetmja gjë që duhej të bëja ishte ta gjeja një tavolinë pune, nja dy perde të gjata muri dhe nja dy vitrina për t’ i vënë librat. Falë Besnik Kolgjinit, që atëherë punonte në Zyrën e Emigracionit, të gjitha u zgjodhën për mrekulli. Një pasdite, pak para se të përktheja për një ulqinak, u ngjitëm në depon e asaj zyre dhe gjetëm të gjitha ato më duheshin: një bukëthekës, një aparat për zierjen e kafes, filxhana, pjata, katër perde të gjata, ngjyrë misri, dy llampa, një tavolinë të madhe pune, dy dollapë, një shportë, si dhe tre katër peshkira të mëdhenj. Tani, sa herë që ishte e nevojshme, për pesë minuta mund të shkoja në Kuladal dhe t’ ua bleja vajzave të mia ndonjë akullore apo të shëtisja me to nëpër kodrat e Holmës. Unë s’ kisha njeri dhe ato ishin gjithçka që hynë në përbërjen e termit ”familje”.
Një natë, deri sa binte një shi i madh, dola në rrugë dhe e mora me telefon mikun Miguel Sengho.
” Kam diçka të rëndësishme,” i thash.
” Ҫfardo që të jetë, s’ luan rol,” më tha. “ Unë, sapo të ha darkë, do të kthej te ti, se atje diku është edhe shoqata ynë. Mos do të shkojmë e ta pimë nga një birrë?”
” Një herë tjetër,” i thash. ”Sonte do të pimë çaj menexhiku.”
Miguel Sengho ka qenë një burrë i qetë. Edhe ai, njësoj si shumë ushtarakë tjerë portugezë, që kishin shërbyer në kolonitë e Afrikës, ishte katandisur në Suedi si “azilant”, por tani që Portugalia ishte e lirë dhe bënte hapat e parë drejt demokracisë, po matej të kthehej në vendlindje dhe të kërkonte ndonjë punë tjetër. Portugalia kishte shumë më tepër nevojë për dituritë e tia, se Monarkia e qelbur Suedeze.
Për çka s’ folëm atë natë, duke pirë çaj menexhiku dhe duke i përcjellë lajmet? Këtë herë Azinë Juglindore përsëri e kishte mbërthyer zjarri dhe Ushtria “liridashëse” e të Madhit Ho Chi Min e kishte pushtuar një pjesë të mirë të territorit kampuçean. Herë pas here përmendej mbreti Sihanuk, një mik i vërtetë i Kinës së Madhe, pastaj flitej për luftën qytetare midis partizanëve kmerë dhe forcave të djathta të gjeneralit Lon Nol, po më së shumti për dëshmitë e ca banorëve të qytetit Pnom Penh, që deklaronin se qytetet e atij vendi ishin zbrazur dhe i tërë populli ishte shpërngulur nëpër fshatra. S’ kishte më familje, s’ kishte me dyqane, s’ kishte më shkolla, sepse të gjithë avokatët, arsimtarët, gjurmuesit shkencorë, inxhinjerët dhe përfaqsuesit e regjimit shoqërisë së vjetër duheshin vrarë në vend. Aty e tutje Kampuçea do të shndërrohej në një kamp të Socializmit dhe të gjithë reakcionarët duheshin vrarë, fëmijët duheshin ndarë prej prindërve të tyre dhe në vend të Kampuçesë së Vjetër duhej të ndërtohej një Kampuçe e Re, një Kampuçe e Kuqe.
Të bindur se ato që thuheshin në televizion ishin shpifje të regjimit vietnamez, e pimë edhe nga një cigare dhe unë, goxha i lodhur nga puna, dola ta përcjellë Miguelin deri në qoshe të rrugës.
“ Sa i përket asaj dorëheqjes, s’ ka nevojë të ngutesh,” tha ai dhe mori më të majtë, drejt rrugës Södra Gulsparvsgatan, ku gjendej njëra nga dy shoqatat e atëhershme portugese. “ Shkruaj nja dy rreshta formalë dhe m’ i dërgo në adresën e SIM-it… Ndërkohë, unë do të përpiqem t’ i njoftoj anëtarët e kryesisë në mënyrë diskrete, pa hyrë në shpjegime të gjata.”
“ Shumë falemnderit,” i thash duke e përqafuar. “ Do ta dija për nderë, se momentalisht jam i lodhur dhe zhgënjyer.”
Tani edhe kontaktet tona me Kosovën e humbën atë peshën e dikurshme. Nëse do ta mbanim zyrën e Seksionit të Rinisë dhe do të vazhdonim me ndonjë shoqatë të re, do na quanin përçarës dhe ngatrrestarë, gjë që s’ kishim qenë, dhe më e mira që mund të bënim ishte t’ i shikonim individuale.Mos qofsha gabim, ato ditë ia dorëzuam Safetit jo vetëm dosjet, po dhe instrumentet që kishim nëpër rafte, ca libra që na kishin sjellë anëtarët e ndryshëm, si dhe çelësat që duhej t’ i dorëzoheshin Shtëpisë për Aktivitete të Lira, pasi që aty e tutje tjetërkush do merrej me organizimin e aktiviteteve.
Kështu ndodhi që edhe një herë, ndonëse i lodhur nga imbecilët shqiptarë, t’ ia drejtoj sytë ”Albanisë” së Faik Konitzës. Unë, qysh atëherë kur isha njohur me zotërinjtë Emil Lafe dhe Ali Dhrimon, kisha mësuar se në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës gjendeshin shumë dorëshkrime të poetëve e shkrimtarëve arbëreshë, por ajo që m’ interesonte më së shumti ishte veprimtaria konkrete e Faik Konitzës, si dhe korrespodenca e tij me personalitetet e ndryshme evropiane. Duke qenë se njihesha mirë me zonjën Cecilia Bonning, që atbotë ishte shefe e Bibliotekës Lokale të Rosengordit, e luta të ma sillte edhe një herë ”Albania-n” e Faikut në Malmoe dhe, sipas rregullave që vlejnë për librat e rrallë, ta shfletoja revistën në sallën e leximit. Po tekstet që kishte botuar Faiku në revistën e tij ishin tepër të rrallë për t’ i kthyer ashtu siç kishin ardhur, andaj e luta Cecilian të ma mundësonte – kundrejt një çmimi që ishte tepër i lartë me përmasat e soçme – një kopje të tyre.U morëm vesh që unë, sa herë ta gjeja një artikull interesant, ta kopjoja në kopiatorin e tyre kundrejt një çmimi një koronë – një faqe.
Revista ”Albania” që gjendet në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës është e lidhur në disa vëllime. Kjo do të thotë se unë, mos çdo ditë, të paktën çdo të dytën ditë, ktheja në zyrën e zonjës Boning dhe aty i leja nga njëzet tridhjet korona në ditë. Pastaj, pasi i mirja faqet e kopjuara, shkoja te shtëpia, i lexoja kadalë dalë dhe i ngjisja faqe për faqe në ca A4 faqe të trasha, për t’ i ruajtur sa më mirë dhe për të mundur të shënoj në faqet e mbrapme. Me ecjen e kohës, unë jo vetëm që njihesha me botëkuptimet e vet Faik Konicës, po dhe me rrethanat politiko shoqerore që mbretëronin n’ atë kohë. Ajo më interesantja ishte se shumica e artikujve ishin të shkruar në një shqipe që, ndonëse kishin kaluar shumë dekada, ishte fort ekuptueshme, shumë e gjallë dhe pasqyronte erupcionet e një shpirti të paqetë që i kishte vënë vetes për qëllim të luftonte për popullin e tij. Në këtë drejtim, shumë artikuj të tij, edhe atëherë kur janë krejt subjektivë,janë të fuqishëm si krijime artistike. Në radhën e tyre hyjnë edhe shumë artikuj që kanë të bëjë me liritë dhe të drejtat e njeriut për t’ i çfaqur mendimet e tyre me gojë e me shkrim.
Nuke e teproj, pra, nëse them se ”Albania” e Faik Koicës u bë shkak që unë, edhe pse i ftohur në shpirt, sapo dilja nga Shkolla Kryddgord, e merja çantën dhe, pasi theja ca dhjetshe në Qoshkun e Selmanit, kaloja me të ngutur nëpër Qendrën e Rosengordit dhe shkoja e trokisja në derën e zonjës Bonning. Ajo e dinte se çfarë kërkoja dhe menjëherë ma dorëzonte vandakun e revistave të lidhura në 7 vëllime.
Herë pas here rastisja edhe ndonjërin nga cfilakajt, acikgjozët apo dallanguzët që shkonin në postë për ta paguar ndonjë qira apo llogari telefonike por unë, me vendosmërinë e njeriut të lodhur nga llafet, edhe kur provonin të më pyesnin për diçka apo për dikend, gjithmonë e gjeja një shkas të largohem sa më parë nga ai strofull i thashethemeve.
Kështu ndodhi që një pasdite, për të qenë i saktë, në pasditën e të martës së dytë të muajit dhjetor, deri sa po kaloja pranë vitrinës ku radhiteshin gazetat dhe revistat e huaja sipas rendit alfabetik, të takoja një njeri që e njihja mirë dhe e kisha ndihmuar më parë. Ai po e shfletonte të përditshmen ”Sydsvenska Dagbladet” dhe e kishte hapur mu në faqen ku shkruante se atë natë, për herë të dytë, Stenmarku dhe Borgu do të mernin çmimet e saj si atletët më të mirë të atij viti.
” Hë, ç’ kemi,” i thash duke buzëqeshur, pa dashur të hyj në hallet e tij. Fundja, s’ kisha kurrfarë të drejtash, morale apo juridike, të përzihesha në punët e tij. Përderisa ishte i veshur si zotëri, gjithnjë n’ atë kostumin e kaltër, vija – vija, që e kishte qepur në Jugosllavi, dhe kishte një kulm mbi krye, s’ më ra ndër mend ndonjë frazë më e përshtashme se kjo. Hë, ç’ kemi?
” Kurxho,” tha ai duke ma shtrënguar dorën. ” Jemi në pritje. Pas dorëheqjes tuaj, ata ia kanë hyrë një organizimi të thellë, se natë për natë po mblidhen te Izeti dhe po bëjnë plane.”
Kjo ishte diçka e re.
” Po, pse bash te Izeti?” e pyeta. “ Sipas dijenive të mia, Izet Izedini s’ ka qenë fare në mbledhjen vjetore dhe s’ është zgjedhur asgjë. Nga piku tani ky interesim për të ardhmen e Shoqatës?”
Aqifi më hoqi përjashta, se donte ta ndizte një cigare. Ma zgjati edhe mua.
” Nga papunësia,” tha duke shikuar anash, mos e dëgjonte njeri. ” Sipas fjalëve të Ajetit, Izetin e kishin përzënë nga puna, se një natë kishte pirë shumë dhe ishte zënë me kamarierët tjerë. Për të qenë e keqja më e madhe, shkoi dhe e mori atë tartabiqen e zeshkët nga Turqia dhe bleu shtëpi. Ajo laskurica, që harxhon nga katerqind gram kremë për ta lyer fytyrën, ka kërkesa. Jo s’ dua të jetoj përballë ishes sate – jo s’ dua të ndaj banjo me nënën tonde – jo s’ dua që nëna jote të përzihet në punët e mia – ama e nxori Izetin m’ atë anë Qendrës.Atje diku, në von Lingenns veg, ka blerë një banesë dykatëshe. Tani po kërkon punëme ”lönebidrag”, si Safet Ҫela, po për t’ ia dalë asaj ndërmarrje, duhet me hy në shoqatë. Shyqyr Zotit,tani s’ e ka zor, se me ikjen tuaj, rrugën e ka të hapur. Ai, duke u martuar me një ish jugosllave dhe duke hyrë në aleancë me Cfilagajt, sikur e kashtruar rrugën për t’ u bërë arkatar i Shoqatës.”
” Po ai s’ ishte në mbledhjen vjetore… Ate s’ e ka zgjedhur njeri,” i thash.
” Ate s’ e di unë,” u arsyetua Aqifi. “ E di Safet Ҫela me shokë, që natë për natë po pine çajdhe po zhvillojnë diskutime. Sipas Qemalit, ata kanë probleme. Problemi i parë dhe më pak i rëndësishëm është ta kompletojnë kryesinë. Problemi i dytë është ta gjejnë një lokal të madh, shumë më të madh se ai bodrumi i famshëm, që ta financojnë veprimtarinë me bilardo e pije të forta, si raki rrushi, viski, votka e konjak francez.Nejse, qysh ke qenë dhe me çka po merresh?”
” Me fëmij, me çka tjetër,” i thash. ” Me nxënës problematikë, konferenca, procesverbale, orare të punës, si dhe ndonjë libër të moçëm që po e gjej në bibliotekë.”
” Animirë,” tha, duke ma dhënë dorën. “ Ne e kemi shitur shtëpinë dhe kemi dalë në Holma. Numri është i njejti.Të na vijsh kur të duash, po jo pa na dhënë një sinjal.Ti je gjithnjë i mirëseardhur!”
“ Patjetër, patjetër,” i thash.
Ate, që do ta vizitoja një ditë dhe, eventualisht, do të pija kafe me shoqen e tij, e dija me siguri. Mundësitë ishin të pakëta, por dëshirat të shumta.
Ajo, që nuk e dija,ishte se po atë ditë, por në orët e mbrëmjes, deri sa po hyja në njërën nga shitoret e lagjes për ta blerë një tube me ngjitës,përpara syve të mi do të hapej një parantezë e thellë, që së pari do më hipnotizonte me sytë e saj të pjerrët, ngjyrë gështenje, e pastaj do më gëlltiste si rëra e gjallë.Ishte Lili…Liliana Doganova…
Lili s’ ishte kushedi sa e bukur. Ajo ishte e hirshme por nuk meritonte ta krahasosh me nimfat e gjata nga Stockholmi, Uppsala apo Lundi, që i kanë sytë të kaltër dhe flokun si drithi i pjekur. Përkundrazi, si shumë bashkatdhetare të saj, ajo ishte e plotë, me shtat mesatar dhe sy të mëdhenj e të pjerrët, gjithnjë të qeshur. Ndonëse e re nga mosha, flokët i mbante të shkurtër, gati si një djalë, dhe herë pas here i ngjyroste me një nyansë që as ishte e zezë, as ishte ngjyrë kafe. Ajo ishte modeste dhe në mbledhjet e SIM-it vinte gjithmonë në një lëkurë të lehtë, me të cilën e mbulonte shtatin, dhe një palë çizme që i shkonin deri te gjunjtë. Por sytë i kishte të gjallë, zërin e kishte të thekshëm dhe, sa herë që duhej të fliste për shoqatën e saj, bënte çmos që ta çonte në kupë të qiellit, edhe pse faktet e thoshnin të kundërtën.
Ajo s’ kishte bërë ndonjë shkollë të lartë, se shihej nga raportet e saj njëfaqësh, por me të ardhur në Suedi, e kishte marrë patentin e makinës, kishte blerë një fjalor serbisht – suedisht dhe paradite punonte në Pripps, ndërsa pasdite, gjatë kohës së lirë, shkonte e përkthente në Zyrën e Emigracionit. Falë kontakteve që mbante me zonjën Johanna Berglund, shoqata “Makedonia” e kishte siguruar një lokal në qendër të qytetit, ishte antarsuar në SIM dhe për çdo vit mirte nga Bashkia 5000 korona ndihmë. Kjo shumë s’i plotësonte as dhjetë përqind të nevojave të shoqatës, por kaq ishte maksimalja.
Liliana kurrë s’ kishte shkelur në fshatin e të jëmës dhe e vetmja gjë që mbante mend ishin ato që kishte mësuar nga Skeva, nëna e saj. Ka gjasa që edhe kishte qenë në fshat, e kishte parë oborrin e gjyshit të saj, po për ca arsye që vetëm ajo i dinte, ishte rritur te daja i saj. Më vonë, kur kishte mbaruar lufta, ajo, bashk me të jëmën, ishte katandisur në Shkup.
Ato kishin jetuar në jug të kazermave ushtarake, në një lagje që gjendej përballë Lakës, dhe nëna, falë parave të babait partisan, e kishte blerë një arë dhe mbillte speca, domate, lakra, presh e zarzavate tjera. Përderisa i jati punonte si ushtarak, ato bënin një jetë relativisht të mirë, por një ditë ai ishte zhdukur dhe Skeva me fëmijët kishte mbetur vetëm, në mëshirën e komshinjëve ”turq”, të cilët, edhe pse ishin turq, e trajtonin me respekt të madh.
Tani Skeva ishte edhe burrë, edhe grua. Ajo mbante nga dy punë, nga tri punë, dhe punonte kudo që e kërkonin. Lante enë nëpër restorante, fshinte shkallët e ndërtesave, hekuroste fustanet e zonjave nëpunëse, përgadiste gjellëra në kuzhinën e Teatrit Popullor dhe, çdo të djelë, verë e dimër, e kalonte në bahçenë e saj. Lili gjithmonë e kujtonte atë kohë kur ajo, bashk me nënën, zbrisnin ne bregun e Vardarit dhe i freskonin këmbët në ujrat e ftohta.
Një ditë ajo e mbaroi tetëvjeçarën dhe, në vend se të vazhdonte gjimnazin, iku për një djalë që e kishte njohur në Bulevard. Bogdani ishte i urtë, i sjellshëm, po shumë i varur nga prindërit e tij. Mjerisht, ata s’ ishin vetëm të varfër po dhe të vrazhdë dhe, me të marrë vesh që babai i saj kish qenë grek dhe kishte ikur nga Jugosllavia, kishin filluar ta shanin, ta përbuznin dhe trajtonin si hardhje. Për të qenë e keqja më e madhe, ajo ishte bërë nënë dhe s’ donte të jetonte me ta. Kësisoji, pasi u konsultuar me të jëmën, ajo e mori gocën dhe Bogdanin e saj, e iku te i jati… në Suedi.
Se mos e dinte ajo që Babi jetonte me një grua tjetër? Se mos e dinte ajo që ai kishte dhe dy fëmijë tjerë? Ҫuditërisht, ai e priti mirë dhe bëri çmos t’ ua gjente një shtëpi e t’ i punësonte në ndonjërën nga fabrikat e shumta. Për fatin e saj të mirë, Suedia kishte nevojë për krah pune dhe Lili, pak duke pyetur e pak duke sharë, e futi kokën në Fabrikën e çorapave… Shtëpia që morën me qira s’ ishte kushedi çfare, por gjithësesi më e ngrohtë se ajo përdhesja e vogël që gjendej në rrugën Gjuro Salaj… ( vazhdon )

 

Shkruan: Ramadan Rexhepi