SHPËRNDAJE

 
Të gjitha do t’ i mësoja rastësisht, gjatë një udhëtimi për në Ystad, ku ishim të ftuar në një konsultim dyditor. Duke qenë se bënte ftohtë dhe ngrica ishte e madhe, blemë dy bileta treni dhe, përpos që udhëtuam rehat – rehat, arritëm edhe të flasim pak, të ndërrojmë mendime.S’ ka dyshim se ishim të përmbajtur dhe, përpos gjërave të rëndomta, atyre që kishin të bëjë me shoqatat,nuk morëm tjetër në gojë. Edhe ato që m’ i dëftoi mbi mënyrën si kishte ardhur në Suedi m’ u dukën të tepërta, se unë jetoja me tjetër grua, ajo jetonte me tjetër burrë.Pa marrë parasysh se ishim larg Jugosllavisë Fererative,të dytë ishim stërvitur të mos i besonim askujt, sepse plagët që kishte lënë Lufta e Dytë Botërore ishin gjithnjë të freskëta. Megjithate, jo vetëm gjatë udhëtimit,po dhe gjatë mbledhjeve të SIM-it, kisha vënë re se ajo ushqente një përbuzje të prerë kundrejt përfaqsuesve serbë…
Përndryshe Liliana kurrë s’ e çonte kokën dhe gjithmonë shënonte diçka. Vetëm atëherë kur ndonjëri e pyeste për diçka, ajo ia kthente përgjigjen me ndonjë fjali të shkurtër. Rëndom, fjala ishte për sukseset që kishte arritur Shoqata Kulturore dhe Sportive ”Makedonia” dhe mjetet që duheshin për vitin tjetër. Unë e dija se “Makedonia”, me përjashtim të futbollit, që e kultivonte me ardhacakë turq e shqiptarë, s’ kishte gjë të hajrit. Por ajo kishte disa përparësi tjera…”Makedonia” kishte republikën prapa shpinës, kishte Ministrinë e Arsimit, kishte veshjet kombëtare, kishte librat dhe kishte një trajner që e paguante Legata Jugosllave. Se kush organizatë i kishte paisur me gjithë ato gjëra, e dinte vetëm Liliana dhe kryesia e asaj shoqate.
Ajo që i mbante gjallë shoqatat e emigrantëve, qoftë grekët apo jugosllavët, ishin festat familjare. Përderisa Shoqata Kulturo – Artistike ”Vëllazërimi” funkciononte si duhet dhe askush s’ e pat përmendur Festivalin e Kulturës Ndërkombtare, ne s’ dinim gjë për njëri tjetrin. Si Lili, ashtu dhe unë, ishim tëmartuar. Duke qenë se vetë isha i zhgënjyer me sjelljet e bashkshortes time,unë e mashtroja veten se Lili ishte e lumtur dhe s’kisha pse e vrisja kokën mbi jetën e saj.Gjykuar nga sytë e saj,shakatë që bënte gjatë pushimeve dhe sjelljet e saj korrekte, kisha përshtypje se bënte një jetë të qetë familjare. Edhe ajo, njësoj si unë, kishte dy vajza.Nuk kishte ndonjë shkollë të lartë, po puna që bënte në Pripps paguhej mirë, shtëpinë e kishte afër, dhe vajzat e saj ishin më të mëdha se të miat. Nga ato që kisha parë herë pas here në supermarketin “Mobilia”, ajo dhe të bijat ishin si shoqe. Se ç’ marrëdhënie kishte me burrin apo gjysmë-motrën e saj, që gjithashtu jetonte në Malme, as e dija, as më hynte në punë. Ajo kishte jetën e saj, unë timen.
Mjerisht, u desht një rrënjë e hollë, një festival ndërkombtar – në të cilin do të këndonin e vallëzonin popujt e botës, që unë dhe Lila t’ i gjenim fijet e këputura dhe, krejt papandehur, pa mentuar për ato që do të vinin, të katandisemi nën rrotat e Fatit.
Në fillim, deri sa po merreshim me listën e shoqatave, klubeve e komuniteteve që ishin të interesuara për pjesëmarrje në programin që do të çfaqej në Parkun Popullor, çdo gjë dukej në rregull, sepse askush në botë nuk na kishte autorizuar që ta diskriminonim një popull, komunitet apo shoqatë që merrej me kulturë. Paçka se n’ atë minutë që Shoqata Kulturore ”Matija Gubec” na njoftoi që Seksioni i saj ”Mladi Hrvati” do të paraqitej me një program këngësh e vallesh, të gjitha punët ndryshuan. Papandehur, deri sa ne po bënim gjumin e qëngjit të lodhur nga vrapi, zëvendës konzulli jugosllav e e kishte zënë kufjen me dorë dhe ua kishte nxjerrë gjumin të gjithë kryetarëve të shoqatave ”jugosllave”. Në dorë të parë, ai ishte konsultuar me kryetarin e Organizatës Qarkore në Treleborg, pastaj me të gjithë ata që i drejtonin kroatët, sllovenët, bosnjakët, serbët e maqedonasit. Kërkesa që ata do ta shtronin pak ditë më vonë ishte e shkurtër: ja ne, ja kroatët. Nëse Seksioni ”Mladi Hrvati” paraqitet në festival me programin e tij, shoqatat jugosllave nuk do të mirnin pjesë.
Të gjitha tjerat dihen, se i kam dëftuar në tjetër vend. Mjerisht, në rrëmujën që krijuan gazetarët e shtypit lokal, qytetarët e thjeshtë suedezë nuk e kishin të qartë se ku mbaheshin mbledhjet e Organizatës Qarkore, çfarë thuhej n’ ato mbledhje dhe kush qëndronte prapa vendimeve të saj. Nëse ato mbledhje mbaheshin në vende të fshehta dhe larg pranisë së gazetarëve, kishte mundësi që askujt të mos i shkonte mendja te Legata Jugosllave. Me fjalë tjera, n’ ato orë të ngutshme, kur ne duhej ta bënim hartimin e programit, informatat e Lilianës ishin shumë të rëndësishme. Lili i dinte të gjitha, edhe ate, për arsye e thjeshtë se çdo mbrëmje e kalonte në Shoqatën ”Makedonia” dhe, kur s’ mundej kryetari të shkonte në mbledhjet e Organizatës Qarkore, shkonte ajo. Pa informatat e saj dhe pa ndihmën e gazetarëve suedezë, ne s’ kishim fakte për ta përzënë zëvendës-konzullin Lukavac nga Suedia.
Mos do të thotë kjo se Lili ishte spiune e jona?Jo, jo. Bash përkundrazi, çdo informatë që na lëshonte Liliana ishte në shërbim të të vërtetës… Pjesërisht, sepse të gjitha shoqatat jugosllave – ku bënte pjesë edhe KSD “Makedonia” – njëherë e kishin përshëndetur festivalin dhe kishin dëftuar gatishmëri për pjesëmarrje; dhe pjesërisht, sepse Komisioni donte t’ ua rezervonte ditën dhe orën kur do të dilnin para popullit. Nëse kjo apo ajo shoqatë serbe s’ ishte e prirun t’ i shikonte ”ustashët” me sy, ajo ishte diçkatjetër. Por nëse kishte shoqata tjera – si ato sllovene, maqedonase, boshnjake apo sllovene– që preferonin të mirnin pjesë e s’ guxonin nga Legata, kryesia e SIM-it duhej ta dinte. Aq më tepër që programi do të reklamohej në faqet e shtypit lokal. Shqetësimi ynë ishte njerëzor,se donim të dinim ku jemi. Ndërkaq, shqetësimi i Lilianës ishte më i ndërlikuar, sepse ajo nuk i donte serbët dhe gjërat që thuheshin n’ato tubime ia dyndnin vrerin. Më në fund, shoqatat jugosllave vendosën të mos merrnin pjesë dhe ne i zëvendësuam me shoqata tjera.
Tani që ishim në prag të dimrit – dhe zoti Lukavac kishte ikur në Jugosllavi – dhe ne, shqiptarët, kishim mbajtur një mbledhje vjetore –dhe unë kisha dhënë dorëheqje – takimi im me Lilin ishte si çfaqja e një ujku në midis të qytetit. Unë po e kërkoja një tubë me ngjitës, ajo po priste përballë banakut të mishrave.
” Ua… Ka shekuj që s’ jemi parë,” tha duke qeshur. ” Ҫfarë të ka nxjerrë këtu?”
” Kam marrë shtëpi në këtë lagje. Po ti?” e pyeta.
Ajo bëri sikur nuk dëgjoi. E pash që diçka e fortë i ngeci në fyt, se s’ i gjente fjalët e përshtashme.
” Sapo dola nga shoqata dhe thash ta blej një pulë. Po vdes nga uria. Ku tamam ke marrë banesë?” më pyeti pastaj.
” Këtu, në Tornfalksgatan 3. Një apartament i vogël, në katin e parë të godinës.”
” Më paske ardhur afër,” tha. ”Unë jam në Lindängen… N’ atë soliterin e lartë… Kati trembdhetë… Nuk e dua numrin trembëdhjetë, po atë e kisha patur nafakë… Përndryshe, banesa e mirë, katërdhomëshe, me ballkon të madh. Të luash futboll në te…” Pastaj me pa me ata sytë e saj të pjerrtë, thua se deshti të depërtonte në trurin tim.”Mos është e vërtetë ajo që dëgjova nga Migueli?”
” Që do të tërhiqem nga SIM-i?”
“ Po, pra.”
” Jo momentalisht”, i thash. “ Ndoshta pak më vonë. Por unë, që nga mbledhja vjetore e cila u mbajt në Rosengord, e përfaqsoj vetëm vetveten, por jo dhe shqiptarët.”
” Shumë keq,” tha. ” Edhe unë do të largohem nga ajo Shoqata ”Makedonia”. Të dëftoj një herë tjetër.”
“ Si të duash,” i thash. Atëherë, mirupafshim.”
” Natën e mirë, pra. Unë jam gjithnjë në Pripps.”
Përjashta gurronte. Një shi i ftohtë, kokërrmadh, e kishte zaptuar katin e poshtëm të qiellit dhe e gjuante tokën me kamxhikë të lagshtë. Kishim hyrë në dhjetor dhe dimri s’ ishte aq larg.
Sikur ta dija se cilat do jenë pasojat e atij takimi, unë, jo vetëm që do t’ i shmangesha atij supermarketi, por do bëja çfarëdo marrie tjetër që ta ruaja inkogniton tonë private ashtu siç kishte qenë deri n’ atë ditë. Unë, madje, do bëja edhe më shumë. Unë do ta zeja Lilianën në duar, ashtu siç zihen dy shokë të vërtetë, dhe do ta lusja të mos na merrte në qafë të dyve, se ishim prindër dhe mbanim përgjegjësi për ardhmërinë e tyre.Pash të Madhin Zot, Lili, dhe pash Jezu Krishtin, dhe pash apustujt e tij, mos na i ngatërro fijet e jetës. Kërko çfarë të duash prej meje!.. Eja kur të duash!.. Ejanatën… Eja në orët e hershme të mëngjesit… Dhe do të puth, do të ledhatoj, do të jap dashuri… Por mos na i ngatërro fijet, se nuk dalim të fituar… Ka gjasa, madje, që do t’ i pikëllojmë edhe tjerët… Fare, fare pa nevojë…
Po ate s’e bëra. Ata që kanë punuar qoftë edhe një muaj si zëvendës – drejtorë e dinë se ajo detyrë është e ndërlikuar dhe shumë punë që duhet t’ i bësh gjatë ditës, duhet t’ i vazhdosh natën. Një zëvendës-drejtorqë ka katër shkolla dhe qindra e qindra ardhacakë të vegjël mbi shpinë mbanë përgjegjësi të madhe.Sado energjike që ishte zonja Bauth dhe sado afër që i rrinim ne, të tjerët, ajo, veç mbledhjeve që duhej t’ i mbante, shënimeve, procesverbaleve,dhe diskutimeveku përfshiheshin me dhjetra pedagogë, kishte dhe obligime tjera shoqërore. Unë s’ po i shënoj këto për t’u mburrur me punën time apo djersën e të tjerëve. Po i shënoj për të nënvizuar se – edhe pa thirrjet e shpeshta që më vinin nga fabrika e birrave ”Pripps”– kisha sa të duash obligime.
Nuk isha dhe aq i dëshpëruar.Duke qënë se vëllezërit e mi s’ mundeshin pa vëllezërit jugosllavë, s’ kishim tjetër opcion pos ta shikoj punën time. A s’ po doni? Jo. Atëherë, po ju lëmë të qetë. Ne, ç’ është drejta, ishim më të shumtë në numër se ato pak familje ”kosovare” por – pasi i hodhëm gjërat në kandar dhe e ndamë të mirën nga e keqja, vendosëm të largohemi pa rrëmujë. Si unë, ashtu dhe Nebi Bushi e Adil Zhuta,e dinim se prapa atyre që insistonin se janë shqiptarë “të Jugosllavisë” qëndronte po ajoJugosllavi që shumicën e dallanguzve, açikgjozëve, koldrinasve e reçëve i kishte përzënë në Turqi. Po të donim, ne mundeshim ta shfrytëzonim urrejtjen e tyre kundër regjimit jugosllav dhe ta thellonim jazin e përçarjes. Po kjo s’ ishte ndonjë një punë e hijshme. Aq më tepër që shumica ishin të varfër dhe jetonin nga dromcat e Zyrës Sociale.
Dhjetori mori i lagësht, qielli u vesh me re dhe shirat ishin të përditshëme. Nëse egzistonte diçka e këndshme për një zëvendës drejtor të rraskapitur nga puna, ajo ishte dhoma ime e veshur me një qilim persian, krevati i shtruar në qoshe, komodina e bardhë dhe drita e zbehtë e një llambe që lëshonte paqë e pushim..Që nga dita kur kisha hyrë n’ atë shtëpi, isha i lirë dhe s’ kisha kend ta veja në gjumë. Duhej ta vrisja mërzinë me diçka dhe i vetmi i njeri që ma hiqte mërzinë ishte Faiku. Jo ata faikat që jetonin në Malme, por ai Faiku që ishte lindur në Konicë dhe kishte jetuar në Bruksel, Londër e Washington.Në pamundësi ta gjeja”Albania-n” e tij në ndonjë antikvariat,e kisha kopjuar faqe për faqe dhe, pak nga maraku që kisha për atë revistë, dhe pak nga dëshira që ta ruaj për të ardhmen, i lexoja faqet njërën pas tjetrës, i qëroja nga njollat që kishte bërë kopjuesi, dhe i ngjisja prapë në ca faqe të trasha që m’ i kishte dhënë arsimtari i vizatimit. Unë s’ kisha televizor, por kisha dëshirë. Unë dëshiroja të mësoj sa më shumë nga njeriu që kishte përjetuar shumë më tepër zhgënjime se unë.
Ishte kjo hera e parë që po e ndieja veten frikacak. Që nga dita kur e kisha takuar Lilin në supermarket, unë po ballafaqohesha me një përvojë të re, memece, e cila, ndonëse provonte të më thonte diçka, gjithnjë s’ e artikullonte asnjë fjalë. Thuajse çdo ditë, kur kthehesha nga puna, në derën e jashtme të shtëpisë do ta gjeja ndonjë mollë, ndonjë dardhë, ndonjë kuti me llokume, ndonjë pirog me djathë apo ndonjë pejsazh nga Maqedonia.
Në fillim, deri sa nuk e dija dërguesin e tyre,nuk u bëra i gjallë, por atë çast që m’ u kujtua Liliana, vendosa ta marr në telefon dhe ta falenderoj për ”peshqeshet” e saj. Për të mos rënë në sy, nuk e mora në shoqatë, por në vendin e punës, dhe i luta ata të Fabrikës të më thërriste në Kryddgord, pasiqë dëshiroja ta ftoj në një mbledhje të prindërve. Kjo e fundit s’ ishte e vërtetë, por unë s’ ishpak i prirur t’ i krijoj telashe. Nëse një grua e bukur ta blen një kafe apo ta fal një buzëqeshje, ajo s’ do të thotë se është këmbëlehtë dhe vete në krevat me njeriun më të parë që e takon.
Ajo s’ dukej e habitur. M’u lajmërua nga një automat që e kishte gjetur në oborrin Shkollës së Lartë Pedagogjike dhe më njoftoi se aty pinte gjithmonë kafe para se të shkonte te shpia.
” Mirë që më dëftove,” i thash. “Duke marrë parasysh që ne, ballkanikët, jemi gjithmonë duarlidhur, s’ po kam mundësi tjetër të të falenderoj ndryshe, pos duke të thirrur në vend të punës. Kur mundem të të takoj nja pesë minuta?”
“ Kurtë duash,” më tha. “Këtu në Shkollën e Lartë është një kafene e studentëve ku mund ta pijmë kafe. S’ ka shqiptarë apo maqedonas dhe vendi është i qetë. Jo pse po më prish mua punë, po s’ më pëlqejnë thashethemet”.
“ Ça thua për pasnesër?” e pyeta.
” Krejt në rregull. Për mua bën edhe nesër,” tha Lila.
” Nesër kam një ditëlindje. Goca ime, ajo e madhja, mbush vjet. Ndërkaq e premtja më duket në rregull. Mos është vonë ora pesë?”
” Krejt në rregull,” më tha dhe unë, që nga zyra ime, e ndjeva një notë të lehtë ngazllimi në zërin e saj. Ajo shtoi: ” Se përpak harrova. E kam gjetur një libër ku shkruan për pjesëmarrjen e shqiptarëve në Kryengritjen e Ilindenit. Do ta lexosh?”
” Pse jo,” i thash. Unë s’ kisha dëgjua për atë gjë.
Ditën e premte, pesëmbëdhjetë dhjetor, gjatë kohë para se të shiheshim në hyrjen e Shkollës së Lartë Pedagogjike, i hipa bicikletës dhe lakova në Sheshin e Zarzavateve, ku gjendej një ëmbëltore iraneze dhe bleva një kuti me bakllava. Pastaj, pasi kalova Prippsin, hyra në bibliotekën e Augustenborgut dhe zura vend pranë dritares. Nuk m’u duk me vend të prisja para Shkollës së Lartë Pedagogjike, se helbete mund ta takoja ndonjë të njohur.
Ajo doli pikërisht më katër e dyzet e pesë dhe, pasi e kaloi udhëkryqin që kishte përpara, iku drejt vendit ku kishim lënë takim. Asgjë të re, asgjë të pazakonshme, nuk pashë në trupin e saj. Kjo më frymëzoi të jem i përmbajtur dhe të mos harroj se kisha të bëjë me një grua të martuar, që kishte një burrë dhe dy goca të mëdha. Secili gur ka vendin e vet, thot një fjalë e urtë e latinëve të moçëm.
Ku vete, o njeri, e pyeta veten. Tani që do ta takoja një grua të huaj, flokëshkurtër e me shtat mesatar, që me këmbëngulje fliste vetëm në gjuhën e saj dhe gjithmonë të shponte me sy të qeshur, unë, kundër villnetit tim, e ndjeva veten të shushatur. Ata peshqeshet e saj kishin mbjellë në shpirtin tim një ndjenjë të mosdashjes dhe ngurrimit. Se si ndjeva një pshtjellim të madh në shpirt. Përse, vallë, kisha hyrë n’ atë bibliotekë? Përse e prisja atë grua? Me ç’ të drejtë e joshja në rrugë të gabuar?
Ajo më buzëqeshi prej sëlargu dhe, kur i shkova pranë, më tha se dukesha pak i çoroditur.
” Ashtu dhe jam,” i thash duke ia zgjatur dorën.
” Aq zor qenka të punosh në shkollat suedeze?”
” S’ ka punë më të poshtër,” i thash. ”Ajo më e keqja me shkollën suedeze është – anarkia. Këtu s’ dihet se kush është nxënës, kush është arsimtar dhe kush është drejtor. Të gjithë të japin përshtypje se i kanë ruajtur delet me ty.”
” E di, e di,” tha duke e ndjekur një korridor të gjërë, të rrethuar me stola, karriga e dollape të mbushur me libra. Aty këtu dukej ndonjë student apo studente që shkruante diçka në fletoren e shënimeve.
Ne morëm më të djathtë, kaluam një atrium të mbushur me lule dhe, pasi e hapëm derën anësore, u ballafaquam me gjymtyrët e një banaku të qelqtë, përtej xhamave të cilit ishin radhitur sallatat, pastat, ëmbëlsirat dhe pijet alkoholike. Ata dy që ishin para nesh, një mjekërrgjatë dhe një femër simpatike, morën nga një sandviç dhe ikën drejt arkës.
” Për çka jeni?” e pyeta.
” Sot vetëm për një kafe,” tha Liliana. ”Do ta marr një sandviç me djathë dhe një birrë.”
” Gjeni një vend të qetë, se sandviçin ua sjell vetë.”
” Gabim,” tha Lili. Ai që duhet të qeras jam unë. Ju keni bërë shumë për shoqatën tonë.”
” Ate e lëmë për një herë tjetër,” i thash, duke e ngarkuar tavllën me du sandviçë, dy birra e dy peceta të mëdha.
Ajo më e mira me atë tavolinë ishte – qetësia. Me përjashtim të tre katër studentëve që na ishin ulur përballë dhe kuvendonin për provimet që kishin dhënë, poenat që kishin marrë dhe padretësitë që kishin përjetuar, ne ishim të vetmit njerëz që bisedonim në dy gjuhë dhe ato tingllonin si t’ ishin një. Ajo më pyeste në gjuhën maqedonishte, unë i përgjigjesha në serbishte.
” Si e kaluat ditëlindjen e çupës?” më pyeti.
” Mirë, mirë, ” i thash, duke ia zgjatur cigaret. ” Ajo është shumë e vogël për ta kuptuar dramën që zhvillohet në shpirtin tonë.”
” Fjalë me vend,” e pranoi Lili dhe, pasi e ndezi cigaren e saj, më vështroi gjatë kohë me ata sytë e saj të pjerrët.Duke buzëqeshur me domethënie. ” Ama mua s’ ma thatë të vërtetën. Edhe sikur të më vriste njeri, nuk do më shkonte ndër mend se ç’ bënit në Tornfalksgatan.”
“ Po ju si e morët vesh?” e pyeta. Askujt s’ i kam dëftuar qëjam ndarë nga Nina.
Ajo po më vështronte gjithnjë ngultas, tani me sy serioz.
” Krejt rastësisht, për Zotin,” m’ u betua. ” Pasi ikët nga shitorja, m’ u kujtua ky libri që ua kam sjellë dhe i rash numrit që kam patur përpara. Po kush e zuri kufjen?Shoqja juaj… Gjegjësisht ish shoqja juaj… Jo, tha. Ai ka ikur nga kjo shtëpi dhe gjendet në Tornfalksgatan. Duhet ta kërkoni në Kryddgord, se s’ besoj që ka telefon te shtëpia.”
” Dhe ju më kërkuat atje?”
” Jo, jo,” tha Liliana. ” Kush jam unë të ju shqetësoj? Po nuk m’ erdhi mirë. S’ di për ç’ arsye, po zemra më pikoi gjak. Po pse po ndaheni? Ҫka s’ funkciononte midis jush?”
Zëri i saj ishte i butë, konfidencial, por ajo ishte sllave dhe unë kisha shumë arsye të jem hipokrit dhe një arsye të jem i sinqertë. Unë isha në Suedi dhe s’ më pengonte njeri të flas hapur.
” Si të them,” i thash, duke i kërkuar fjalët më të rëndomta. ” Do kisha patur qejf ta jap një përgjigje të shkurtër, po ti je maqedonase dhe s’ jam i sigurtë që do ta kuptosh drejt. Nejse, ajo që s’ funkciononte midis nesh ishte vendlindja… Mos harroni se ai që ka vendlindje, ka dhe shtëpi, ka dhe fqinj, ka dhe shkollë, ka dhe punë, ka dhe krenari kombëtare. Krenaria është kryesorja… Ai që ka vendlindje është krenar që është serb, kroat, slloven, gjerman, francez apo suedez, edhe atëbotë kur s’ i ka as dhjetë korona në xhep. S’ di a jam i qartë apo duhet t’ i thjeshtoj fjalët?”
Ajo më bëri shenjë të vazhdoj.
” Dua të them se ai që ka vendlindje, ai është si Nina, me të cilën paski folur,” i thash. ” Ai që s’ ka vendlindje është si unë. Unë me të lartpërmendurën kam jetuar dymbëdhjet vjet, por gjatë asaj kohe, edhe pse është grua e arsuimuar, me fakultet, Nina s’ i ka mësuar as dymbëdhjetë fjalë të gjuhës time. Po pse, do të thoni? Për arsyen e thjeshtë se ajo gjendet në shtetin e saj dhe i duket qesharake që fëmijët e sajtë flasin shqip… Pa marrë parasysh se Ministria e Arsimit po e thotë të kundërtën… Pa marrë marasysh se ajo po na paguan t’ i mësojmë fëmijët shqip, turqisht apo greqisht… Paçka se edhe ajo dardhë… Që Ministria e Arsimit po na paguan t’ ua mësojmë fëmijve gjuhët amtare… E ka një bisht… Unë po i mësoj ardhacakët e vegjël shqip, që ata të mësojnë sa më shpejt suedisht, sepse Mbretërisë nuk po i duhen shqiptarë analfabetë, por ”suedezë” të çanalfabtizuar… E kjo ka të bëjë me elaboratet… Secili shtet ka elaboratet e tij dhe ca prej tyre janë të mirë, të tjerëtmë paktë mirë. Kjo varet nga ai që do t’ i aplikojë në jetën e përditshme.
Papandehur, ajo m’ u duk pak si e hutuar, sepse gjatë kohës që po flisja, disa herë deshti të thonte diçka. Andaj dhe pushova. Thash: të pras pak.
” Ju më dukeni njeri i mirë,” tha Liliana. ” Sa herë që rri me juve, mësoj dicka të re. Po ç’ është elaborati, me fjalë tona. Unë edhe po e kuptoj, edhe s’ po e kuptoj.”
Eh, ec e gjej fjalët ”tona”.
” Elaborati është një fjalë tjetër për provat, eksperimentet apo studimet që bëhen nëpër laboratore të spitaleve, të fabrikave dhe të instituteve për të ardhur deri te zgjidhja një problemi. Elaboratet bëhen me bimë, me kafshë dhe me njerëz. Ashtu siç ka lloje të minjëve apo njerëzve, ka dhe lloje të elaborateve për asgjasimin e tyre. Perandoria Osmane, për shembull, kishte elaborate të shumta për mbledhjen e fëmijve të krishterë dhe për integrimin e tyre në shoqërinë islame. Gjermania, për shembull, kishte poashtu elaborate për studimin dhe asgjasimin e çifutëve. Perandoria spanjolle, për shembull, kishte elaborate për plaçkitjen dhe asgjasimin e vendasve të Amerikës Jugore. Ndërsa Jugosllavia, si e Para, ashtu dhe e Dyta, kishte elaborate për asgjasimin e popullit shqiptar… Kaq e thjeshtë ështe puna. Një popull, qoftë ai lëkurëbardhë apo lekurëzi, ka territorin e tij, ka ambientin ku është formuar, ka doket e tija dhe ka zakonet që e bëjnë unik dhe të veçantë. Zhgule atë popull nga ambienti ku është formuar, prishja kishat dhe xhamitë, dhe ai shndërrohet në një kope delesh… E kuptuat tani? Se ju lodha, më falni…”
” Jo, jo,” tha Lili, po dukshëm e pavemendshme, si femra që ka përjetuar diçka të trishtë dhe gjithnjë e ka plagën të hapur. ” Po ju dëgjoja dhe m’ u kujtuan ato mbledhjet e Organizatës Qarkore dhe marrëzitë që thuheshin kundër jush e Vlados e kundër shqiptarëve në përgjithësi. Ju e dini që unë s’ e duroj atë Stojadinin e Shoqatës ”Vuk Karaxhiq” apo jo? O, serbët s’ i dua në përgjithësi, po atë kafshën s’ e shihja me sy.”
Edhe këte e dija.
” Mjerisht, as ne s’ jemi më të mirë,”shtova. ” Merreni me mend! Unë me disa shokë të tjerë bëmë çmos që t’ ua themelojmë një shoqatë dhe t’ ua mbushim mendjen se janë shqiptarë, po ata gjithnjë ngulin këmbë se janë jugosllavë… Janë të gatshëm edhe gjuhën ta këpusin, por kurrsesi tëçojnë dorë nga Jugosllavia e Titos, që de facto s’ ka bërë tjetër pos ua ka dhënë nga një pasaportë dhe i ka përzënë nga vendlindja e tyre.Mos më keqkuptoni, ju lutem, po as Maqedonia juaj s’ kanë tjera synime, pos të na bëjë të gjithëve sllavë të jugut. Nëse i shohim punët nga ky këndëvështrim, ju jeni sllavë të Jugut, po jo ne. Ne kemi territorin tonë, gjuhën tonë, doket tona, dhe ato nuk janë si tuajat.”
As sot s’ e di se qysh e mori replikën time, por sytë saj papandehur morën flakë dhe Liliana , deri sa po i flisja mbi ndryshimin e dokeve dhe zakoneve tona, e zgjati dorën në trastë dhe s’atejmi e nxori një libër goxha të yndyrosur e keqtrajtuar.Ishte një libër historie për klasët e larta të tetëvjeçares, i botuar në Shkup, gjatë kohë para se ajo të vinte në Malmö.
” Ato që thoni janë shumë të vërteta, po s’ hyjnë në veshët e dyellosur të serboflëve maqedonas,” tha. Tani goxha e nxirë nga mllefi. ” Andaj ua solla këtë libër që ta shihni vetë, me sytë e tuaj, dhe ta kuptoni pse nuk i dua as serbët e Serbisë, as serbofilët e Maqedonisë. Ata s’ kanë punë tjetër pos ta falsifikojnë historinë. S’ di a keni patur kohë të merreni me historinë tonë, por dua t’ ua kujtoj se kur bëhet fjalë për Maqedoninë, s’ bëhet fjalë për këtë që e pushtuan Serbët, por për një Maqedoni tjetër, një Maqedoni më të madhe, ku jetonin shqiptarë, turq, grekë, maqedonas, pomakë, evgjitë, torbeshë e çifutë. Ajo Maqedoni përbëhet nga Maqedonia e Pirinit, Maqedonia e Egjeut dhe Maqedonia e Vardarit. Atëbotë të gjithë ata popuj donin të çliroheshin nga Turqia dhe ta bënin një Maqedoni të Lirë, një Maqedoni për popujt e Maqedonisë. Hapeni librin dhe do të shihnise ata që e mbajtën barrën kryesore të luftës dhe i shtruan themelet e Republikës së Kërçovës ishin shqiptaret dhe maqedonasit. Ama kot… Maqedonia e vërtetë, edhe pas Luftës së Dytë Botërore mbeti e copëtuar, ndërsa këte tonën e kanë pushtuar serbët dhe bullgarët. Po të shkonit atëherë kur ndodhi termeti në Shkup, s’ këndohej për tjetër veçse për kontributin e madh që dha Nëna Serbi…
Ajo pushoi pak. Me sa duket, s’ donte të hynte më thellë n’ atë temë, sepse ia turbulonte barkun.
” Dua t’ ju pyes diçka, po s’ jam e sigurtë se e dini,” tha pastaj.” Ju keni ardhur vonë në Malmö ndërsa personi për të cilin bëhet fjalë ka ardhur herët, me ardhacakët e parë jugosllavë. Mos e njihni Ivanin? Një burrë i gjatë, leshverdhë? Gjithmonë rri në Epa dhe pi kafe me shqiptarët?”
” Ҫ’ është ai – serb, kroat, rus? Se s’ ka popull sllav pa një Ivan apo dy.
Kjo e fundit i shkoi për shtati dhe qeshi metë madhe.
” Jo, jo, ky është slloven,” tha Lili dhe, pasi ma përshkruajti edhe një herë, shtoi se është bojaxhi. ” Ai është një burrë i mirë, human, por pi nga pak dhe s’ iu përmbahet ligjeve të këtij vendi. Punëson këdo dhe s’ paguan mirë.”
Oho… Edhe mua më hipi gazi.
” Atë Ivan e njoh dhe është njeri i mirë,” i thash. ”Ҫ’ është e drejta, ai ka ndihmuar shumë shqiptarë dhe, pa qenë i ndërgjegjshëm, ua ka dhënë një shansë të qëndrojnë në Suedi apo të arratisen në Norvegji. Si qëndron puna, se s’ e kam parë moti në Rosengord?”
” A, do ta kenë futur në burg. Sidoqoftë – vazhdoi Lili – ai e ka kryer ushtrinë në Dibër. Atje është njohurme Dolën, një kushërirën tone, dhe pastaj është martuar me të. Ata kanë ardhur ndër të parët në Suedi dhe tërë kohën kanë jetuar në City. Kanë një djalë sëbashku, po jetojnë të ndarë… Ai më vete, ajo më vete… Duke qenë se Dola është e vetme dhe s’ ka as motra, as vëllezër, shpesh herë i fton prindërit në Suedi dhe i mbanë nga dy muaj – tre muaj, sepse të dytë janë penzionerë dhe shakaxhinj… Veçanërisht xhaxhi Kola, që është rritur jetim dhe ka qenë partisan… Kështu ndodhi që vitin e kaluar, tani s’ po më kujtohet muaji, më merr Dola në telefon dhe më thotë ta marr burrin dhe Mamin e të shkojmë për darkë… Vajzat s’ deshën të vinin, ndërsa Mami do të shkonte në Jugosllavi… Paçka se populli ynë është grabitqar dhe për ta shtruar një darkë, do t’ ia paguash trefish… Sidoqoftë, çohemi ne, e marrim nënën,blejmë dy peshqeshe, xhemper për xhaxhi Kolën, triko për teta Vaskën, dhe – trokasim në derën e Dolës. Mirëpo ajo që ishte e shkruar – duhej të bëhej.Si hëngrëm darkë dhe dolëm në sallon, xhaxhi Kola filloi ta pyeste Nënën për tim për tim atë, për gruan e tij, një greke hundmadhe dhe – krejt papandehur– kapërceu nënjë gjuhë tjetër, një gjuhë që s’ ishte folur në shtëpinë tonë, por ata e flisnin… Unë s’ ia mora për të madhe, se e njoh xhaxhi Kolën, po ai tatarkurti,burri im, u bë qymyr dhe nisi të murmuronte më vete, t’ i ndezë cigaret njërën pas tjetrës dhe të përdridhet sikur e kishin kafshuar grenzat… Më në fund ia bëra Mamit me kokë dhe u çuam, po zënka plasi hala pa dalë në rrugë… Pse fole që pse fole shqip, e qortonte ai. Kush të ka mësuar?..Mami e qepi gojën dhe s’ i tha gjë… Ajo s’na kishte thënë se në fshatin e sajishte folur shqip…”
Pikërisht n’ atë çast, deri sa Lili po rrëfente për atë ngjarje që kish qenë por s’ ishte më, unë s’ isha në gjendje ta kapja thelbin e problemit. Megjithate, shtova si pa lidhje.
” Të parët tanë s’ e kanë njohur mosdurimin,” i thash. ” Tani nacinalizmi është shndërrua në bukë të përditshme.”
” Qëndron,” tha Lili. ”Po që ua pata fjalën, ashtu filloi prishja ime me Boshkon… Ditë për ditë, pas asaj dite, duhej të përtypja thumba, ironi e poshtrime të panevojshme. Papandehur u bëra bijë e asaj “shiptarkës”…Durova një muaj… Durova dy muaj… Durova tre muaj… Por më në fund e mora Kittyn, vajzën më të vogël, dhe kërkova banesë… Sa më larg fjalëve, sa më larg poshtrimeve… Ata të Komunales, po, s’ gjetën vend më të mire se Lindängn. Dhe s’ kishin faj, se unë punoj në Pripps ndërsa Kitty shkon në Shkollën e Nydalës. Kështu filluan telefonatat, kërcënimet, sharjet…”
Se si m’ erdhi për atë qenie që e kisha parë shumë herë, e dija si e kishte fytyrën, si i kishte sytë, si e kishte zërin, si i shtronte fjalitë, po s’ e dija çka kishte në shpirt. Për një çast kafeneja m’ erdhi rrotull, por edhe ai ishte vetëmashtrim. E fortë ishte Liliana, se kurrë s’ e jepte veten, kurrë s’ ankohej për ato që ndodhnin në shtëpinë e saj, edhe pse herë pas here shiheshim në mbledhjet e SIM-it dhe dy herë kishim udhëtuar për në Ystad. Asnjë herë s’ e dha veten deri n’ atë gradë sa të ma blente një kafe dhe të ankohej në burrin e saj. Kaq të thella ishin rrënjët e mosbesimit tone.
” Kurrë s’ do më shkonte mendja,” i thash. ” Edhe të më vrisje, s’ do të besoja që ty do të shihja në këtë gjendje. Jo se është ndonjë burrë i mire ai Boshkua, se ate nuk e di, po se kisha përshtypje që ishit të lumtur. Ҫka ju duhej më shumë se ato që kishit? Shtëpi kishit – vetë më ke thënë – punë kishit, makinë kishit, fëmijë kishit, të gjitha i kishit… Po sot më befasove… Ma mbushe zemrën me trishtim…Unë, edhe atë ditë kur të pashë në shitore, e ndjeva veten të konfunduar. Përse më foli për katin e 13-të një shumëkatshi, mendova. A nuk kishin ata vilë? Megjithate, m’ erdhi turp të kthehesha prapa e të pyesja, se binte shi. Po gocat ça po thonë? Si po e përjetojnë krizën tuaj?
Ajo e zuri një pecetë dhe i fshiu lotët.
” Ato janë të reja dhe do ta kalojnë, po unë kam ngecur në kurth. Mua s’ më ka mbetur asnjë argument për ta mbrojtur veten. Nëna, të paktën, e kishte një tërfurk në duar, një gjuhë që e kishte folur kur ishte e vogël, ndërsa unë jam duarthatë… Unë jam një gjysmë njeriu… Unë jam fije e këputur një lëmshi të gjatë… Nëna më ka ikur në Maqedoni… Babai është martuar me një grua tjetër… Burri më quan kurvë… Ndërsa vajzat e mia por riten diku midis Tokës dhe Qiellit…As në qiell, as në tokë… As janë për t’ i zjerë, as për t’ i pjekur… Me prindër të gjallë, por pa prindër fare…”
Ndërkohë po errësohej. Ishte e premte mbrëma, ligjëratat kishin mbaruar, dhe të gjithë po iknin në shtëpitë e tyre. Gjatë kohës që Lili po më dëftonte se si kunata e saj, motra e Boshkos, shkonte në shkollë dhe i dëftonte Kityt se si – gjyshe Skeva ishte martuar me një grek të qelbur dhe ajo, Liliana, ishte e përdalë – kafeteria ishte boshatisur fare. Pronarja, një grua e sjellshme tailandeze, po na pristeme një durim shembullor.
“ Po më duket që s’ jeni mirë,” i thash. “Pse s’ shkojmë te unë e ta pini një çaj të ngrohtë? Unë s’ jam kushedi sa i zënë dhe me gjithë qejf do t’ u bëj diçka të hani.”
Nuk vjen në pyetje. Përgjigja e saj ishte vendosmërisht negative.
“ Në qoftë se jeni të uritur, shkojmë të unë,” tha ajo.” Jo pse jam hala e martuar dhe kam frikë prej llafeve, po sepse e kam frigoriferin plot me qoftë, japrakë, mëlçi, byrekë e lloj lloj hamburgerësh e kofshesh të blera në Mobilia.”
Rash në hall. Unë s’ isha mjek dhe s’ kisha dituri për ta ngushlluar një njeri që ishte në hall. Ajo më e mira që Lili mundej të bënte ishte të shkonte në City dhe të bisedonte me ndonjërën nga ato zonjat që i takonin Shërbimit Familjar. Ato do ta drejtonin te ndonjë avokat apo në zyrën ePolicisë.
“ S’ mundem të vij, se keni Kityn te shtëpia dhe ajo ka më shumë nevojë për juve,” i thash. “ Por s’ kam kundër të ju shoqëroj deri te shpija, se ajri i pastër na bën të dyve mirë.”
Ajo e veshi lëkurën dhe më pa më sy të pikëlluar.
” Ju jeni njeri i padjallëzuar,” tha. ” Ndoshta dhe i lodhur. Sikur ta kisha Kityn te shtëpia, as vetë s’ do të ju ftoja… Edhe pse Kityn e kam të mirë dhe aty qëndron e keqja… Unë akoma s’ jam ndarë me ligj dhe ata qenët, vjehrri e vjehrra, nuk pranojnë që vajzat të flasin me mua. Jo më të vijnë e të rrijnë në Lindängen.”
” Tani e kam të qartë,” i thash.
Atë natë e kalova me Lilianën.
Sikur t’ i kisha mendtë e sotit, do ta përcillja deri në shtëpi, do pija çaj me të, do të rrija,do të kuvendoja deri në orët e para të mengjesit – dhe do t’ ikja në shtëpinë time. Shtëpia jote, hasra jote, thotë populli.Por ashtu s’ kishte qenë e shkruar në fletorën e Atij që e ka ndarë ditën nga nata, se sikur të mos shiheshim atë pasdite, mbase nuk do t’ ishim kaq të mençur, por definitivisht me të lumtur me fatin që na kishin caktuar tjerrëset e jetës.

Shkruan: Ramadan Rexhepi