SHPËRNDAJE

Intervistë ekskluzive me zonjën, Ermina Lekaj Prljaskaj, ish deputete dhe tash më kandidate për deputete në zgjedhjet e parakoshme parlamentare në Kroaci

erminalekaj-01

„16 vite na kanë përfaqësuar boshnjakët, të cilën as në mënyrë deklarative nuk na kanë përkrah. Është, në interesin e të gjithë shqiptarëve të Kroacisë, që votat t’ia japin një kandidati dhe jo t’i shpërndajmë votat mes dy apo më shumë kandidatëve, sepse për të njejtin vend deputeti në Parlamentin kroat, kandidojnë edhe pakicat tjera. Prandaj, dilni dhe më votoni, do ju përfaqësoj denjësisht“, na tha ndër të tjera, zonja Prljaskaj.

Kanë mbetur edhe pak orë deri te dita e zgjedhjeve të parakohshme Parlamentare në Kroaci, që do të mbahen, këtë të diele, me datë 11.09.2016. Në këto zgjedhje, si në ato të kaluarat, po kandidon një bashkëkombase e jona, e cila në mandatin e kaluar për gjashtë muaj sa ishte në këtë Parlament, u mundua të ngrej zërin për të mirën e shqiptarëve, që të kenë qendrën Kulturore dhe për shumë projekte të tjera në të mirë të komunitetit tonë. E premte në mbrëmjë, pra më 09.09.2016, në një koktej përmbyllës të fushatës, zonja Lekaj Prljaskaj, do të falënderoj elektoratin e njëkohësisht, do ti ftoj për të votuar. Në këtë mbrëmje, përveç shumë veprimtarëve nga Kroacia e më gjerë, do të jenë të pranishëm edhe miqë zviceran, si i pari i Zagrebit, z.Milan Bandiç etj. Për të mësuar më shumë nga fushata që ka bërë dhe për projektet e saja në të ardhmen, nëse do ta fitoj vendin e deputetes, ne e realizuam këtë intervistë. Zonja Ermina Lekaj Prljaskaj, ka lindur në Kosovë, në vitin 1971 dhe jetonë në Selce në Primorje – Gorski Kotar County. Shkollën fillore dhe të mesëme i kreu në Prizren dhe shkollën e ligjit në Rijekë, nga e cila ka marr edhe nji diplomë si një e diplomuar i shkollës ligjit. Ka edhe një diplomë pasuniversitare në Menaxhim Marketing të marrë në vitin 2005 në Fakultetin e Ekonomisë në Rijekë.
Ndërsa, ka fituar provimin e jurisprudencës në Ministrinë e Drejtësisë dhe provimit Specialist i Prokurimit Publik. Ajo rregullisht merr pjesë në seminare RRIF, prokurimet publike dhe procedurat e ekzekutimit. 
Është përkthyese e autorizuar në gjyqësor për gjuhën shqipe.

Zonjë e nderuar, ashtu si e do zakoni, fillimisht po të falënderoj për kohën që keni ndarë për të realizuar këtë intervistë. E di, se jeni shumë e ngarkuar, sepse jeni në përfundim të fushatës zgjedhore. Kemi parë edhe prononcimet tua por edhe disa intervista që i ke dhënë për mediat kroate, por kësaj here, ne do të realizojmë këtë intervistë me disa pyetje paksa më ndryshe, që të njoftohen bashkëkombasit tanë. Si ju ka shkuar fushata për zgjedhjet e 11 shtatorit, që po arohen?

Fillimisht ju falënderoj juve dhe të gjithë ata që më kanë ndihmuar me njoftime, biseda e intervista, gjatë tërë fushatës. Jam munduar, të jem sa më afër bashkëkombasve tanë, që të mësoj për së afërmi kërkesat e tyre. Kroacia është shtet mik i kombit tonë dhe nuk e kemi edhe shumë të vështirë që t`i realizojmë kërkesat tona, por natyrisht, duhet të na dëgjohet zëri në këtë parlament, mundësinë e kemi, por na duhet të votojmë. Në përgjithësi ka shkuar shumë mirë fushata. Bashkëkombasit e dijnë mirë, se si kam punuar këto muaj sa isha në parlament. Ju betohem, se me tërë energjinë time shpirtërore dhe profesionale, kam realizuar në përpikshmëri premtimet e mia që ia kam dhënë elektoratit.

E keni menduar, se një ditë do të jeni deputete në Parlamentin kroat?
Nuk e kam menduar t`ju them shumë sinqerisht. Sepse kisha plane të tjera të jetës, pasi disa prej tyre i kryta me sukses, deshta të jap kontribut edhe politikë për komunitetin tonë, i cili e meriton shumë.

Gjatë kësaj fushate, nga kush e pate përkrahjen më të madhe?Si edhe herën e kaluar, mbështetja e parë natyrisht se më erdhi nga familja, miqtë dhe shumë vëllezër e motra që jetojnë e veprojnë në tërë Kroacinë. E falënderoj edhe kësaj here, por edhe gjithmonë, se mbështetjen e madhe e kam pas, e kam dhe besoj se do ta kem edhe kësaj here, nga Unioni i Shqiptarëve me 16 shoqata shqiptare gjithandej Kroacisë. E falënderoj kryesinë e Unionit, të gjithë ata që janë rreth këtij unioni dhe të gjitha shoqatat. Po shpresoj shumë, se të gjithë do të dalin për të votuar dhe do më japin votën.

Në zgjedhjet e kaluara kishit moton: “Dil voto, vendos për veten”, ndërsa në këto zgjedhje keni një moto tjetër. Pse e keni ndërruar dhe mendoni se do të jetë më mirë?
Po, shumë e vërtet, se në zgjedhjet e kaluara, kur edhe mora votat e duhura për të qenë deputete në parlamentin kroat, e që është historikë për ne shqiptarët, kisha ate moto, me që janë zgjedhje të parakohshme dhe nuk munda të mbaroj deri në fund detyrën e projektet gjatë fushatës që kam premtuar, atëherë, vendosa, që të dal me moton tjetër, që të vazhdoj aty ku e kam lënë.

Ja se si ju drejtohet votuesve zonja Prljaskaj:
“ Të dashur votues!: Sot po nisim bashkë fushatën zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme, që do të mbahen më 11 shtator. Uroj të arrijmë bashkë synimet tona për një mirëqenie të përbashkët në shoqërinë kroate. Gjatë mandatit tim gjashtëmujor si përfaqësuese, deputete e juaja në Parlamentin Kroat, arrita të vendos themelet e një pune të mirë për pakicat, ashtu edhe për shqiptarët e mi. Kam arritur të lidhë marrëveshje të shumta në favor të shqiptarëve dhe pakicave të tjera, duke ndihmuar bizneset, punën dhe familjet e tyre. Kam identifikuar disa probleme me të cilat përballen pakicat në Kroaci dhe i kam adresuar disa prej tyre tashmë.
Këtë e sheh më së miri duke qenë vetëm brenda në Parlament, në institucionin më të lartë të vendit. Do të angazhohem të realizoj punët që kam nisur, duke qenë deputete. Do të kërkoj zgjidhjen e shumë problemeve, të cilat i kam parë që janë evidente. Për këtë kërkoj mbështetjen tuaj në këtë fushatë. Kohëve të fundit, kam dëgjuar disa zëra të cilat nuk na çojnë askund. Dua t’ju siguroj ju të dashur votues se nuk qëndrojnë deklarimet që keni pasur rast ndoshta t’i dëgjoni.

Ju kujtoj, sidomos ju shqiptarë të mi, se unë jam bijë hasjane, bijë e një zejtari shumë të devotshëm, bijë e juaja. Më së miri, unë mund t’ju kuptoj punën dhe sfidat me të cilat përballeni. Zotohem se do të vazhdoj përkrahjen për Ju, për familjet tuaja dhe për fëmijët tuaj, që të arsimohen edhe më shumë dhe të marrin vendin meritor në shoqërinë kroate. Kemi shumë të rinj të shkolluar, intelektualë, të cilët duhet të marrin pozitat që u takojnë në institucionet kroate.
Do të jem përfaqësuese e denjë edhe për të gjitha pakicat tjera. VAZHDOJMË ME TUTJE! Ju ftoj që më 11 shtator të kryejmë obligimin tonë qytetar dhe të votojmë numrin 4. Ju faleminderit! Ermina Lekaj Perlaskaj, deputete e juaja!”
Të vazhdojmë aty ku kemi mbet, është një moto me shumë kuptim, sepse kemi shumë punë përpara dhe kemi përkrahjen edhe të miqëve kroat.

erminalekaj-02

Besoni, se do të dalin bashkëkombasit tanë që të votojnë?
Jam shumë e bindur se bashkombasit tanë, këtë here do të dalin në mënyrë masovike sepse jemi vetëdijësu dhe e kemi kuptuar se jemi partner në shoqërin kroate. Duke ja filluar nga lufta atdhetare kroate dhe bizneset me zejtari të ndryshme që i kemi në shoqërinë kroate.

Sa do të jetë në dëm, nëse elektorati do të jetë i thyer apo i ndarë?
Është dëm i madh, se nëse jemi të ndarë atëhere prapë në parlament do të hyjnë boshnjakët dhe ne shqiptarët vështirë do të kthehen në skenë politike. Siç e dijmë, se 16 vite na kanë përfaqësu boshnjakët të cilën as në mënyrë deklarative nuk na kanë përkrah.Është, në interesin e të gjithë shqipëtarëve të Kroacisë, që votat t’ia japin një kandidati dhe jo t’i shpërndajmë votat mes dy apo më shumë kandidatëve, sepse për të njejtin vend deputeti në Parlamentin kroat, konkurojnë edhe disa kandidat të disa pakicave tjera siç janë ajo: maqedonase, boshnjake, sllovene dhe malazeze, prandaj çdo votë, është me rëndësi, dhe mund të jetë vendimtare. Dilni dhe votoni bashkëkombas pavarësisht se nga cila e atdheut vini, unë jam bija juaj, unë do ju përfaqësoj më së miri !

erminalekaj-03

Si juriste profesionale në Parlamentin kroat gjatë fushatës keni thënë, se do të avokoni për zbatimin konsekuent të Ligjit kushtetues për pakicat kombëtare?
Po kam thënë se do të avokoj për zbatimin konsekuent të ligjit kushtetues për pakica dhe kam punuar në atë drejtim. Tj`u them të vërtetën ka qenë periudhë e shkurtër, që të marr hapa më të mëdhenjë, mirëpo prape se prap i kam vënë gurëthemelet në parlamentin kroat.
„Kam parandalu edhe ligjin për të huaj, që të shkon në parlament për arsye, se e njoh shumë mirë çështjen e të huajve“

Sa herë e keni marë fjalë në foltoren e këtij parlamenti?
Në foltore të parlamentit e kam marë fjalën disa here, mirëpo mos harroni se kam qenë anëtare e tre komisioneve ku kam qenë aktive. Mund tj`u them, që e kam parandalu edhe ligjin për të huaj, që të shkon në parlament për arsye, se e njoh shumë mirë çështjen e të huajve dhe kam kërku, që ky ligj të ndryshohet dhe të plotësohet në dobi të huajve.

Pse zgjodhët gjatë mandatit të kaluar që të jeni pjesë e kualicionit qeveritarë?
Zgjodha të jem pjesë e kualicionit qevertiar për arsye se mendoj qe pakica duhet të jetë pjesëe pozitës e jo e opoziteë. Për ti arritur qëllimet dhe të drejtat e pakicave, duhet të jemi me opozitën.

Si ju kanë pritur deputetët e opozitës?
Opozita nuk më ka pritur edhe aq mirë për arsye se ju ka prish disa interese personale, mirepo pas një kohe pune në parlament kanë filluar të më përgëzojnë për qëndrimin tim që e mbaj.

A do të vije koha që të kemi edhe ndoj ministër shqiptarë?
Shpresoj se edhe kjo ëndërr do t`na realizohet, mirëpo tani kemi zëvendësministrin në ministrin e bizneseve dhe zejtarisë. Jemi duke punuar në këtë drejtim, që të arrijmë në institucionet më të larta shtetërore të Kroacisë.
Shqiptarët sigurisht se jemi pjesë e shtetit kroat, ku kemi luftuar për pavarësinë e Kroacisë?
Gjithsesi, ashtu edhe siç thash më lartë, shqiptarët kanë dhe kontribut të madh edhe në biznese edhe në zejtari, duke mos harruar që edhe në luftë kemi qenë ndër vullnetarët më të parë që kemi marrë armër në dorë. Pas luftës, kemi punuar për ndërtimin dhe rindërtimin si dhe për zhvillimin ekonomik të shoqërisë.

„Qendra Kultuore në Zagreb, do të hapet zyrtarisht më 9 shtator“

Kur do të hapet Qendra Kulturore Shqiptare në Zagreb?
Qendra Kultuore në Zagreb, do të hapet zyrtarisht më 9 shtator, pra të premtën. Ky projekt, është i nisur që moti dhe me të ardh në parlamentin kroat kam punuar që të realizohet ky projetk dhe ja arritëm.
Ka gjasa që të rinjtë tanë të punësohen në institucionet shtetërore?
Të rinjtë kanë filluar të punësohen në institucione shtetërore dhe këtu kam kërkuar nga qeveria, që të jetë një politik shtetërore duhe e respektuar nenin 22 të ligjit kushtetues për pakica.

Dihet saktësisht numri i shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë në Kroaci?
Numri zyrtar i shqiptarëve, që jetojnë dhe veprojnë në Kroaci është rreth 18. 000 vet , kurse supozohet që janë mbi 20.000.

Mendoni se shqiptarët në Kroaci janë unikë mes veti?
Është një pyetje e mirë, e përgjigja besoj se dihet. Kudo që jemi, fatkeqësisht jemi të thyer, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës e në gjithë diasporën. Duhet ti japim mundësi, atyre që e meritojnë. Të punojmë më shumë dhe të respektohemi, e padyshim, se na duhet uniteti. Jemi popull i lashtë dhe na çmonë e gjithë bota.

Si e sheh rininë shqiptare që po rritet dhe edukohet në këtë shtet?
Rinia shqiptare, edhe në çdo shtet të botës, por edhe në Kroaci, është në rrugë të mbarë. Jam munduar e do të mundohem që të bashkëpunoj edhe më shumë, sepse ata janë ardhmëria jonë. Kemi mundësi të mira, që të shkollohen në këtë shtet, kur dihet, se arsimi është i fortë dhe besoj shumë, se me sukseset që arrihet këtu, jo vetëm se do fitojë atdheu ynë, por edhe Kroacia.

Diaspora shqiptare në udhëkryq?

Diaspora shqiptare është në një udhëkryq. Kemi mosha të ndryshme, që jetojnë dhe veprojnë, jo vetëm në Zagreb, por në gjithë diasporën shqiptare. Ditë për ditë shihen sukseset e tyre. Duhet të punohet edhe më shumë, që të ruajmë gjuhën tonë, kulturën, traditën dhe gjithçka që ka të bëj me shqiptarinë.

„Të gjithë shqiptarët, qoftë në Zagreb apo në atdhe, Kroacinë e kanë në zemër“

E shihni Kroacinë si atdhe të dytë?
Besoj shumë, se të gjithë shqiptarët, qoftë në Zagreb apo në atdhe, Kroacinë e kanë në zemër, jo rastësisht, edhe kontribuan për pavarësinë e këtij shteti mik të kombit tonë. Kroacia për ne mërgimtarët që jetojmë në Kroaci, është një atdhe i dytë edhe ate mu në mes të zemrës.

Do të mundoheni, që të lehtësohen procedurat e shkollimit të studentëve nga Kosova apo Shqipëria e që duan të studiojnë në Kroaci?
Gjithsesi. Do të punoj edhe në këtë drejtim, që është shumë i ndieshëm, që edhe kur të kryejnë studimet, që ti mundësohet më me lehtësi që të gjejnë edhe punë në profesionet e tyre. Kroacia është shtet i hapur dhe nuk besoj se dikend e ka penguar sa i përket gjetjes së punës.

Keni miqësi të mirë edhe me të parin e Zagrebit?
Po kemi miqësi të mirë dhe më ka përkrahur vazhdimisht dhe e falënderoj.

erminalekaj-04

Me çka nuk pajtohesh asesi?
Me të padrejën. E bardha është e bardhë dhe asesi nuk e pranoj se do të jetë e zezë.

A do ta vizitonit Luginën e Preshevës?
Me shumë kënaqësi, sepse edhe atje kam miqë.

Si qëndroni me mërgatën shqiptare nga Maqedonia?
Edhe mërgata shqiptare nga Maqedonia është shumë e fortë, nuk i dalloj se nga janë, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i zi apo Lugina e Preshevës, ne jemi shqiptarë. Nga do që të jemi, jemi një, shqiptarë.

Kur e mbyll ditën, i numëron të mirat që i ke bërë, sepse komuniteti shqiptar me ata që kam pasur mundësi të takohem, kam marë fjalë shumë të mira, duke thënë, se zonja Ermina është shumë modeste?
Pyetje interesante. Po, thuajse çdo natë, e testoj veten, se si e kam kaluar. Ju them me shumë përgjegjegjësi, se rezultati del pozitiv, se kam kontribuar për të mirë dhe asnjë sekond nuk mendoj negativisht. Për nga natyra jam optimiste dhe e çmoj punën shumë.
Padyshim, se do të doja të bashkëbisedojmë edhe më shumë, por shpresoj, sigurisht, se do të kemi mundësi edhe në të ardhmen për të bashkëbiseduar. Ju pafshim përsëri në parlament dhe suksese.

Shumë faleminderit edhe njëherë juve dhe të gjithë atyre që më kanë përkrahur dhe më përkahin. Ju lutem, përmes medias suaj, i drejtohem edhe njëherë komunitetit tonë në Kroaci, të dalin e të votojnë, do jem zëri më i fortë, besnik dhe i fuqishëm për të mirën tonë shqiptare./ Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Zagreb, presheva.com/